Rend dhe Ligj

Atentati ndaj Gjon Memës, policia arreston Gjergj Cukalin dhe dy vëllezër

Policia ka vënë në pranga tre persona për atentatin me eksploziv ndaj Gjon Memës në Kamzë. Një nga tre të arrestuarit është Gjergji Cukali, 42 vjeç, një personazh shumë i njohur i botës së krimit. Ai është dënuar më parë për disa vepra penale, si “Rrëmbim personi”, “Vrasje me paramendim”, “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, apo dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Cukali mendohet se është personi që porosity atentatin ndaj Memës. Përveç tij, janë arrestuar edhe vëllezërit Enver J., 33 vjeç, dhe Ermond J., 24 vjeç. Më 9 shkurt, poshtë makinës së Gjon Memës në Kamzë ishte vendosur eksploziv. Nga shpërthimi Mema u plagos në të dyja këmbët, por pa rrezikuar jetën.

Njoftimi i plotë i Policisë:
Zbardhet ngjarja e ndodhur në Kamzë me eksploziv ku për pasojë mbeti i gjymtuar një shtetas. Kapen dhe vihen në pranga tre shtetas si autorë të dyshuar të ngjarjes.

Pas një pune policore dhe proceduriale të pandërprerë të bërë nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i plotë ligjor i ngjarjes së ndodhur në datë 09.02.2021, ku në rrugën “Silvio Berluskoni”, Kamzë, Tiranë, është tentuar të vritet me ekspoloziv të telekomanduar shtetasi Gj.M,, i cili si pasojë e shpërthimit ka ngelur i dëmtuar në gjymtyrë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Bazuar në provat ligjore të siguruara nga puna hetimore dhe veprimeve të shpejta hetimore proçeduriale si dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative në lidhje me këtë ngjarje, nga Sektori Krimeve të Rënda Ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, Sektori Forcës së Posaçme Operacionale në D.V.P Tiranë në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Nr.5, Nr.2 dhe Nr.4, Tiranë, Sektori Forcës Posaçme Operacionale dhe Sektori Forcës Posaçme Operacionale për mbështetjen hetimore/kërkimin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, u finalizua me sukses OPERACIONI POLICOR “SATELITI”.

Në përfundim të veprimeve të para nga ana e specialistëve të Seksionit Hetimit të Krimeve Ndaj Jetës, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, u bë arrestimi në flagrancë i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje:
Gj.C, 42 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale të ‘Rëmbim personi’ ‘Vrasje me paramendim’, ‘Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike’ dhe ‘Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake’.

E. J, 33 vjec, dhe E. J, 24 vjec, lindur dhe banues në Tiranë..
Nga grupi hetimor i ngritur posaçërisht për hetimin e kësaj ngjarje, janë sekuestruar prova materiale, si automjete dhe sende të tjera, të cilat kanë shërbyer për kryerjen e veprës penale dhe implikojnë drejtëpërdrejtë autorët e saj, prova të cilat për shkak të sekretit hetimor nuk bëhen të ditura në këtë moment.

Materialet në ngarkim të shtetasve Gj.C, E. J. dhe E. J. i dërgohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësore Tiranë, për veprat penale të ”Vrasje me paramendim”, e mbetur në tentativë,e kryer në bashkëpunim, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë