Gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur për rihapjen e hetimit për Ergys Kolaverin, i dyshuar për atentatin me snajper ndaj një të dënuari në burgun e Vaqarrit. Do të shihen pamjet filmike të vilës së Xhelal Mziut, ku është fiksuar edhe autori i dyshuar. Do të bëhet edhe një eksperiment hetimor.
Ergys Kolaveri akuzohet për tentativën e vrasjes në burg të Gazmir Dacit. Ai u lirua nga qelia me vendim të Gjykatës së Apelit, por do të jetë në mbikëqyrje elektronike, ndërsa punonjës të policisë do të mbajnë nën vëzhgim banesën e tij.
Kolaveri u dënua më 16 nëntor 2017 me 20 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Gazmir Dacit, me të cilin kishte hasmëri. Ai e apeloi menjëherë vendimin e këtij dënimi. Seanca për ndryshimin e masës është mbajtur sot dhe ky është rasti i dytë brenda pak ditësh që një të dënuari i ndryshohet masa, pas anëtarit të bandës së Durrësit, Endrit Dokle. Vendimi për ndryshimin e masës së Ergys Kolaverit u mor nga treshja gjykuese e kryesuar nga Shkëlqim Mustafa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.