Bota

Atentat në Teheran, vritet ‘babai i bombës iraniane’

Mohsen Fakhrizadeh Mahabadi, shkencëtari Iranian që njihej si ‘babai i bombës iraniane’ ka mbetur i vdekur si pasojë e një atentati. Lajmin e kanë bërë me dije mediat iraniane, konkretisht Ministria e Mbrojtjes së Iranit, në një deklaratë për mediat, konfirmoi vdekjen e Mohsen Fakhrizadeh.

Atentati ndodhi në Teheran, teksa shkencëtari Iranian po udhëtonte ne një makinë bashkë me truprojat e tij. Sulmuesit i shpërthyen makinën dhe më pas qëlluan me breshëri automatiku drejt tij, duke e lenë shkencëtarin e plagosur rëndë bashkë me truprojat. Mohsen Fakhrizadeh u dërgua në spital, por pavarësisht përpjekjes së mjekëve nuk ia doli dot që të mbijetonte duke ndërruar jetë. Truprojat ndodhen në gjendje të rëndë në spital.

https://www.youtube.com/watch?v=WUAyEfylIDA

Fakhrizadeh, një gjeneral brigade në Trupat e Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC), dhe një profesor i fizikës në Universitetin Imam Hussein të Gardës, ishte një njeri misterioz, duke evituar daljet publike. Askush nuk e ka marrë ende përgjegjësinë për atentatin, por shteti izraelit ka një histori të errët të punësimit të njerëzve për të vrarë shkencëtarë dhe intelektualë bërthamorë në Iran. Katër shkencëtarë bërthamorë iranianë dyshohet se jane vrarë nga regjimi izraelit midis 2010 dhe 2012. Sipas agjencive të inteligjencës perëndimore, aktet e terrorit u kryen nga agjentët izraelitë, një akuzë që zyrtarët izraelitë nuk e kanë pranuar kurrë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë