Ekspozite

Astrit Ismaili – Artisti që ka krijuar një trup të ri për veten

Në qendër të Prishtinës, në Kosovë, qëndron një simbol i dëmtuar arkitekturor i vëllazërisë mes shqiptarëve dhe serbëve. Skeleti brutal, pjesërisht i djegur, i Pallatit të Rinisë dhe Sporteve ka marrë nofkën “Boro dhe Ramizi”, në nder të dy partizanëve jugosllavë që prinë betejën kundër autoriteteve fashiste në Luftën e Dytë Botërore. Pavarësisht ekspozitës aktuale të MoMA-s, që kremton pikërisht këtë epokë arkitekturore, Boroja dhe Ramizi – bashkë me shumë monumente të “vëllazërisë dhe unitetit” jugosllav – janë lënë në shpërfillje, qysh kur konfliktet ndëretnike ndanë vendin, më 1990-ën. Në fund të verës së 2012-ës, një grup artistësh të rinj e ripropozuan këtë hapësirë historike dhe të ngjashmet me të – për një qëllim funksional, edhe pse radikal. Për më se dy muaj, 33 ngjarje rreth Prishtinës kulmuan në një “mega-performancë ndëraktive”, në fillim të shtatorit, ku morën pjesë më shumë se 2500 njerëz. Titulluar “PRISTINË—mon amour,”, seria pa jo vetëm një shtytje kundër tensionit të pazgjidhur etnik në shoqërinë kosovare, por sfidoi sjelljet konservatore ndaj dy grupeve të tjera: grave dhe minoriteteve seksuale. Për t’i dhënë fund performancës, një trupë prej shtatë brohoritësish të mavijosur marshuan në skenë duke shpalosur një vizatim të Boros dhe Ramizit që putheshin në buzë, me pasion. Duke i paraprirë shpërthimit, atëherë kuratori 23 vjeçar, Astrit Ismaili tha për
Neë York Times “Nëse do të bësh diçka këtu, duhet të shpikësh rrugën tënde.”

Gjatë provave për “Trupi i Ri”, fotografia: Rinaldo Sata, 2018


Gjashtë vjet më vonë, në Amsterdam, Astriti sjell ndërmend punën e tij nga ai vit si një pikë kthese, jo vetëm për karrierën e tij artistike, por edhe vetëdijen. Krijimi i një platforme artistike për të shprehur veten si një djalë “queer” në një mjedis konservator, ishte një “strategji mbijetese” , thotë Astriti. Pak kohë më parë, do të shkruante në Instagram, “Atë kohë, plagët ende ishin të hapura, nga lufta e Kosovës, më 1999-ën. Seksualiteti nuk ishte përparësi për pjesën më të madhe të njerëzve, por po rritesha. Kisha nevojë të zgjidhja në cilin drejtim të shkoja. Nuk kisha një diskurs dhe nuk e dija si ta mbroja veten, por trupi im më thoshte se duhet ta lija të lirë nga pritshmëritë. Duke pasur një trup mashkulli, por të paaftë të marrë rolin e një burri, protestova. Protestova i vetëm, duke mos ditur nëse atje kishte të tjerë që ndiheshin njëlloj. Pavarësisht hapave të Kosovës drejt pajtimit dhe zhvillimit qysh nga koha e konfliktit, moret konservatore të shoqërisë sundojnë ende. Zhytur në një ekonomi në stanjacion, paga të ulëta dhe kufizimet e regjimit të vizave, çështjet progresive të shoqërisë si të drejtat e homoseksualëve janë shpesh një shqetësim i dorës së fundit, në vendin me 90 përqind myslimanë. Astriti, megjithatë, thotë se ndryshimi i brezave po ndodh: Kosova ka popullsinë më të re në Europë, me më shumë se 70 përqind, nën moshën 35 vjeçare. Megjithëse i ndrojtur për ta pranuar, atëherë më 2012-ën, vite përpara se të bëhej marshimi i parë i krenarisë homoseksuale më 2016-ën, nën mbrojtjen e rreptë të policisë, Astriti ishte një nga artistët e parë që shtynte me zhurmë çështjet e gjinisë dhe seksualitetit në hapësirën dhe diskursin publik.

Duke performuar “Trupi i Ri”, në SALTS, Foto: Nicolas Gysin, Kortezi e artistit dhe Lambdalambdalambda

Kur e pashë të performonte për herë të parë në një hapësirë artistike në Amsterdamin verior, të quajtur “Sociëteit Sexyland”, ishte i lidhur me zinxhirë bashkë me performues të tjerë, i veshur me një fustan të bardhë, një paruke në vjollcë metalike dhe një jastëk të fryrë për barkun – një alterego e titulluar “Djali shtatzënë”. Duke gërmuar më tej, nisa të vë re pika referuese të Astritit në traditën e thellë të artit performues, në Jugosllavi. Thuajse në gjysmë të një performance të titulluar “Nemesis” , në muajin shkurt, një përvojë “emo pop”, që eksploron brishtësinë e zërit në marrëdhënie me vetë-ekuilibrin, shkatërrimin dhe seksualitetit – Astriti luante lojën e thikave. Kalimi i guximshëm mes gishtash, gjaku që rrjedh ndërsa ai këndon, të sjell ndërmend performancën e 1973-shit, të Marina Abramović-it, titulluar “Ritëm 10” , që në mënyrë të ngjashme testonte kufizimet fizike dhe mendore të trupit të saj në performancë. Në serinë e 2011-ës, që e bëri Astritin të fitonte një vend në rezidencën ISC, në Nju Jork, kur ishte vetëm 22 vjeç, pozoi i zhveshur nëpër Prishtinë në mes të ditës, duke vënë në provë kufijtë shoqërorë dhe vendin që ka trupi në mjedisin publik. Ashtu si me performancat goditëse të artistit kroat Tomislav Gotovac në Zagreb, dekada më herët, Astriti u arrestua.

Duke qeshur, kujton “Duke qenë se isha i pari që u kap i zhveshur në historinë moderne të Kosovës, nuk dinin si ta trajtonin rastin tim, kështu që thjesht më gjobitën me 500 euro.” Për befasi, “PRISTINË—mon amour”, më 2012 –ën, nuk ishte performanca e parë Astritit në monumentin tashmë të dëmtuar “Boro dhe Ramizi”. Një dekadë e gjysmë më herët, një konkurs kënge në atë hapësirë i dha famë, atij dhe së motrës. Në mes të konfliktit, zërat e rinj ofronin pak shpresë. “Mamaja ime besonte se muzika mund të na ndihmonte të shëronim popullin, që kishte përjetuar ngjarje të rëndë si lufta,” kujton Astriti. Në një mendje me besimin e së ëmës, zëri mbetet një element kyç i punës së tij. Ashtu siç është një balsam për plagët politike, muzika gjithashtu mund të adresojë beteja personale, si homofobia, seksizmi, gjinia, deformimi që ka dëshmuar duke u rritur. E megjithatë, në bisedën tonë, Astriti përcjell shqetësim në mënyrën sesi kritikët e interpretojnë lidhjen mes artit të tij dhe identitetit. Megjithëse i tërhequr nga një dëshirë e qartë për t’i dhënë zë, literalisht, përmes këngës, kosovarëve të rinj që luftojnë me pikëpyetje të ngjashme rreth identitetit, Astriti, i qaset kategorive të tilla me lojë më shumë sesa me çiltërsi. Vitet e fundit, në fakt, vepra e tij ka qenë më pak e fiksuar në reagimin ndaj shtypjes së politikës së jetës së vërtetë dhe më shumë për të gjetur si t’i kapërcejë të gjitha përnjëherë. Kësaj vepre, më ezoterike, i mungon joshja e menjëhershme e performancave më të hershme politike si “Jemi trokë”; një koreografi publike në pazarin e Prishtinës, duke folur ndaj “pamundësisë së aktivizmit rinor për të ndryshuar situatën politike dhe ekonomike në Kosovë”. E megjithatë, ky ndryshim është i motivuar ndoshta nga koncepti më imponues në veprën e Astritit: e drejta për të qenë i papërkufizuar.


Astrit Ismaili në provat e “Trupi i Ri”. Foto: Rinaldo Sata 2018


Shpërngulja drejt Amsterdamit “ishte si një ngutje për të etiketuar veten dhe punën time në një mënyrë që, sfondi im kulturor dhe situata politike në Kosovë, të mund të ishin pjesë e brendshme e praktikës sime të artit”, ka thënë ai. Çuditërisht, komunitetet e artit në Perëndim duket se duan ta përkufizojnë Astritin brenda kategorive shumë të viktimizuara, të cilave ai është përpjekur tu arratiset. Mospasja e kërcënimeve të drejtpërdrejta ndaj seksualitetit dhe shprehjes gjinore në Holandë, e megjithatë i futur në një narrativë njëdimensionale, e vendos në një disonancë të parehatshme. “Tëhuajsësimi im”, zbulon ai “më frymëzoi të krijoja botë të reja dhe personazhe që shkojnë përtej historisë sime personale, duke kapur çështje universale.” Sipas Astritit, “Djali Shtatzënë” nuk ka emër, racë, profesion, gjini, me pak fjalë nuk i përket asnjë kategorie.” Pa mjete të klasifikimit shoqëror, “Djali Shtatzënë” ekziston në një realitet alternativ, një ndarje e hollë ndaj strukturave shtypëse shoqërore që përkufizojnë ekzistencën tonë të vërtetë.

Astrit Ismaili, “Djali Shtatzënë”

Këtë verë, Astriti u kthye në Kosovë për të ndërtuar “Trupin e Ri”. Një konstrukt prej metali, dritash blu, rrjete dhe sensorësh lëvizjeje, që dikush mund ta përshkruante si një ekzo-skelet zanor. Duke përkthyer gjestet trupore në një kakofoni zërash, kjo strukturë e mbathur, teknologjike, supozohet të “imagjinojë mënyrat e reja dhe utopike të të menduarit sesi trupat banojnë dhe zënë hapësirën.” Kur fola me Astritin në muajin gusht, dukej se ansambli i tij në Kosovë kish ngecur. Artizanët vendas ishin trembur edhe nga aspektet teknike të projektit e jo më, pastaj, rreth bazës konceptuale të veprës në një diskurs progresiv, të huaj për ta. Por, duke punuar intensivisht për më se një muaj në Prishtinë, Astriti kapërceu ndarjen personale, kulturore dhe politike që mund ta kishte bërë atë të huaj ndaj atyre burrave të moshuar kosovar, vite më parë. Trupi i ri doli në jetë. E ndërsa bëri turne nëpër Europë këtë vjeshtë, ishte e vështirë, si shikues, të mos të dëshiroje një transcendencë të ngjashme përtej asaj sesi identitetet apo perspektivat mund të na ndajnë. Astriti do të performojë “Trupin e Ri” në Amsterdam më 21 dhjetori, në galerinë “Lost & Found Oude Kerk” dhe më 15 janar në Institutin për Art Kontemporan në Berlin.
*Andrew Pasquier/ Vice

 

Më Shumë