Shendet

Asnjë qytetar nuk është gjobitur se nuk mban maskë në urban

Një qytetar i mbështetur pranë derës në një nga autobusët e linjës së “Unazës së Re”, pa maskë anti-covid në gojë mendon se ato duhet t’i mbajnë shoferët dhe faturinot se ata janë të detyruar.
“Nuk ka ça na duhen maskat ne që lëvizim një herë me autobus”, thotë ai.
Kudo nëpër urbanët e kryeqytetit ka plotë udhëtarë moskokëçarës.
Një nga përfaqësuesit e linjës së urbanëve, Kinostudio-Kombinat i tha Gazetës “Si” se nuk është detyra as fatorinove dhe as e shoferët, që të detyrojnë qytetarët të vendosin maskat.

Foto ilustruese


“Se di nëse ju kujtohet në fillim, por ne nuk kemi dashur të hapim transportin publik, kjo ka qenë një ndër arsyet fillestare. Nuk kishim kapacitet të mbulonim edhe këtë pjesë prandaj vonuam edhe hapjen deri sa të vendosej kjo pjesë dhe tani e ka në dorë Ministria e Shëndetësisë me Bashkinë e Tiranës,”-i tha ai gazetës Si.
Burri pa maskë tek dera e urbanit e di shumë mirë që nëse nuk ve maskë gjobitesh, por ai nuk beson tek ndëshkimi. “Nuk na vendosin gjobë ne që lëvizim radhë, vini ju gazetarët qe pyesni”-tha jo pa ironi.
Sipas ekspertëve të shëndetit, vendosja e maskës më shumë mbron qytetarin pranë teje nga mundësia e infeksionit. Siç kuptohet kërkon një gjest të lartë qytetarie dhe kujdesi të përbashkët, të cilën fatkeqësisht nëpër urban e Tiranës është vendi i gabuar për ta gjetur.
Por kush na mbron ne nga njerëz të tillë?
Vetëm ligji dhe rregulli. Për lëvizjen në urban që kur rinisi qarkullimi, rreth dy muaj më parë, ka një akt normativ dhe protokoll ku siç edhe e ka shkruar Ministria e Shëndetësisë është një rregull “strikt” që duhet zbatuar ose gjobitesh me 2000 lekë nëse nuk përdor maskën. Më herët, që kur nisi transporti dhe kur numrat e infektimit pas daljes nga karantina u dyfishuan e frika nuk kishte dalë, indiferenca e qytetarëve për të mbajtur maskën ishte e dukshme.

Por kush e mbron një tjetër qytetar nga papërgjshmëria? Ligji sigurisht dhe autoritet e detyruara me ligj që ta zbatojnë atë.
Drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Areti Beruka, konfirmon për Gazetën “Si” se detyrën për kontrollin e maskave të qytetarëve në urbane ja ka ngarkuar policisë bashkiake dhe policisë rrugore, ndërkohë ata raportojnë çdo ditë në grupin e Task Forcës së ngritur nga Inspektorati.
Për një shpjegim më të qartë, Gazeta “Si” kërkoi informacion edhe në Bashkinë e Tiranës, ku Policia Bashkiake, na tha se ky institucion ushtron kontrolle periodike në orare dhe linja të ndryshme të transportit, por nga vëzhgimi i fundit i gazetës “Si” në asnjë nga linjat nuk ndodheshin policë bashkiake.
Megjithëse me sy fare të lirë dallon në çdo autobus plot udhëtarë që nuk përdorin maskat e në shumë raste nuk zbatojnë as distancimin fizik kurse rastet me gjoba janë fare të vogla. Që nga dita e parë e lëvizjes së urbanëve e deri dje ishin vendosur vetëm 10 gjoba për personat pa maska në linja të ndryshme të transportit publik. Por as ato nuk janë depozituar dhe janë falur së bashku me gjobat e tjera gjatë pandemisë nga një vendim i fundit i qeverisë. Megjithëse protokolli për urbanët ku përgjegjës janë udhëtarët dhe jo subjektet siç është rregulli në të gjitha bizneset e tjera, sërish ai duhet zbatuar. Për gati një muaj me radhë u harxhuan energji përmes negociatash për të arritur një përfundim të tillë, por siç duket ato shkuan dëm. Ligji nuk funksion dhe qytetarët duhen të mbrojnë veten përmes refuzimit ose drejtësisë personale, njësoj si në një vend ku nuk ka rend.

…..
Ndërkohë, nëse shkon sot në tregun e madh të Medresesë ose në tregun e zonës së Kombinatit, me siguri nuk do të gjesh vend për të kaluar jo për shkak të radhës që duhet mbajtur për të hyrë në tunelin e dezinfektimit, por për shkak të grumbullit të njerëzve që shtyhen me njëri-tjetrin.
Gazeta “Si” foli me qytetarët dhe me shitësit që janë rikthyer përsëri në rrugë, për merakun e koronavirusit që ende është prezent mes nesh dhe shumica e tyre shprehen “nuk na gjen gjë”. Tregu i kombinatit u reklamua si modeli e kujdesit gjatë periudhës së karantinës, por ky kujdes u “shua” shumë shpejt. Dhe sot kur Ministria e Shëndetësisë raporton shifra më të larta se në karantinë, shqiptarët janë dyndur në jetën normale (jo në normalitetin e ri) njëjtë si zakonisht dhe pikërisht në këto tregje nuk mbajnë maska “sepse nuk marrin gjobë”-i treguan gazetës tregtarët aty.

Më herët Gazeta “Si, një javë pas karantinës, ka kryer një reportazh nëpër farmacitë e kryeqytetit të Tiranës ku konstatoi që shitja e produkteve mbrojtëse, si maska dhe dezifektantë, kishte pasur një ulje të ndjeshme.

Foto ilustruese

Kur qytetarët dhe farmacistët u pyetën se për se kishte ndodhur kjo gjë, justifikimi ishte se “mbaroi karantina dhe nuk ka ç’na duhen dezifektantët”.
Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë, vazhdoi të jap këshilla e të përditësojë shifrat me të infektuar që nuk po pakësohen… Rreziku nuk ka ikur. Madje është më i lartë se më parë.
Gazeta “Si” komunikoi me disa depo farmaceutike në Tiranë të cilat na thanë se ka pasur një rritje të medikamenteve për trajtimin e Covid-19, ku disa prej tyre janë edhe në mungesë. Ky virus nuk luftohet vetëm thonë shpesh ekspertët. Por mesa duket shumë prej nesh do të ndihen ende vetëm, as me ligjin në krah të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë