Shendet

Përzierja e drogave është bërë tashmë normë në Europë

Kokaina dërgoi më shumë njerëz në urgjencë sesa çdo drogë tjetër në vitin 2025, sipas një analize të re të kryer nga Agjencia e Bashkimit Evropian për Drogat në spitale të përzgjedhura.

Agjencia bëri të ditur se, në vitin 2025, pothuajse 14,700 persona kërkuan ndihmë mjekësore urgjente për shkak të mbidozimit ose formave të tjera të “toksicitetit akut nga droga” në spitalet e përfshira në studim. Kjo shifër përfshin si drogat e paligjshme, ashtu edhe medikamentet me recetë që janë përdorur në mënyrë të papërshtatshme. Analiza shqyrtoi rreth 7,400 nga këto raste në 45 spitale, të shpërndara në 18 shtete anëtare të BE-së dhe në Norvegji.

Kokaina ishte e pranishme në 32% të vizitave në urgjencë, e ndjekur nga kanabisi (24%) dhe amfetamina (11%). Në total, 39% e vizitave lidheshin me përdorimin e një substance të vetme, 23% përfshinin një drogë së bashku me alkoolin, ndërsa 38% përfshinin substanca të shumta.

Për shembull, raporti gjeti se 72% e pacientëve që u paraqitën në urgjencë për shkak të ketaminës, kishin konsumuar gjithashtu alkool ose një drogë tjetër. Kombinimi më i shpeshtë ishte ai i kanabisit, kokainës dhe alkoolit.

“Përdorimi i substancave të shumta është më tepër normë sesa përjashtim,” u shpreh Isabelle Giraudon, shkencëtarja kryesore në Agjencinë e BE-së për Drogat (EUDA) që merret me pasojat shëndetësore të përdorimit të drogave.

Kjo është shqetësuese, pasi disa droga ndërveprojnë në mënyra që “shkaktojnë probleme shtesë dhe rrisin rrezikun për pasoja të rënda,” thotë Giraudon.

Ajo theksoi, për shembull, se personat që përdorin opioide ose GHB/GBL (gama-hidroksibutirat/gama-butirolakton)- të njohura ndonjëherë si “G” ose “ekstazi i lëngshëm”- së bashku me alkoolin, benzodiazepinat apo substanca të tjera depresante, mund të jenë më të rrezikuar nga ngadalësimi i frymëmarrjes, gjendje kjo që mund të bëhet kërcënuese për jetën.

Analiza tregoi se pacientët që kishin përdorur vetëm një lloj droge, ose një drogë së bashku me alkoolin, qëndronin mesatarisht pesë orë në spital; ndërsa ata që kishin përdorur të paktën dy lloje drogash, qëndronin mesatarisht shtatë orë.

Në përgjithësi, 66% e pacientëve u larguan nga spitali direkt pas trajtimit në urgjencë, por kjo përqindje ndryshonte në varësi të llojit të drogës që kishin përdorur. Pacientët që përdornin metamfetaminë ose amfetamina kishin më shumë gjasa të referoheshin në një repart psikiatrik sesa njerëzit që merrnin droga të tjera.

Ndërkohë, njerëzit që merrnin heroinë ose GHB/GBL kishin më shumë gjasa të dërgoheshin në një njësi kujdesi kritik.

Të rinjtë kishin më shumë gjasa të vizitonin urgjencën për ekstazi ose oksid azoti, i njohur zakonisht si gaz qeshës, ndërsa mosha mesatare ishte 38 vjeç për vizitat që përfshinin heroinë dhe 36 vjeç për kokainë.

Burrat përbënin 72% të vizitave në spital, të cilat arritën kulmin në fundjavë. Dy të tretat e pacientëve mbërritën me ambulancë.

Ndërsa kishte dallime të mëdha në të gjitha spitalet evropiane, ky lloj i të dhënave mund të ndihmojë “në informimin e politikave dhe përgjigjeve lokale, bazuar në situatën dhe nevojat lokale, dhe në përmirësimin e gatishmërisë”, tha Giraudon.

Vlen të përmendet se analiza përfshinte vetëm pacientët e helmuar nga droga që arritën në urgjencë, jo ata që vdiqën nga mbidoza ose u trajtuan në vend dhe nuk shkuan në spital. Gjithashtu, nuk gjurmoi ndërlikimet shëndetësore nga përdorimi i rregullt i drogës, siç janë vendet e infektuara të injektimit ose hepatiti B, një infeksion i mëlçisë që përhapet përmes gjakut dhe lëngjeve trupore.

“Këto të dhëna përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të dëmeve që lidhen me drogën”, tha Giraudon.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë