Editorial

Vendose vetë atë maskë, ose duhet me detyrim

Vetëm pak kilometra larg Uashingtonit, kur vizitoi një spital ushtarak, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, habiti botën kur u pa me maskë për herë të parë që prej fillimit të pandemisë së Covid-19.  

Njeriu i shtetit më të fuqishëm në botë, që për katër muaj rresht, e konsideroi maskën një zgjedhje personale, u dorëzua.

Ai shpërfilli Qendrat e SHBA për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) kur që në Prill rekomanduan njerëzit të mbajnë maska apo copa lecke për të ndihmuar në ndalimin e përhapjes së virusit.

Madje, ai talli rivalin e tij demokrat Joe Biden kur u pa me maskë në publik në një ceremoni përkujtimore.

Por Trump ndryshoi qëndrim kur shifrat në një ditë në SHBA shënuan  rekord të ri, rreth  67 mijë raste.

Dhe shembulli i tij tregoi shumë.

Se në mungesë të një vaksine, bota, përmes politikave të saj, po i dorëzohet zgjidhjes praktike bazuar në studime shkencore.

E kanë bërë vende si Kina, Spanja, Italia, Gjermania që vendosnin maskë mbi 80% e njerëzve dhe po ushtrojnë trysni të madhe në disa vende të tjera si Mbretëria e Bashkuar (36% e tyre mbajnë maska)...  

Në Shqipëri jemi ende mes debatit nëse duhet ta mbajmë maskën  me detyrim për këdo dhe në çdo ambient ku nuk ruhet distanca fizike.

Maqedonia e Veriut  dhe Kosova po e ushtrojnë dhunshëm.

Ne jemi ende në kufijtë e këshillimit dhe rekomandimit edhe pse shifrat po rriten frikshëm. Edhe pse qasja nga vetë ata që shërbejnë në vijën e parë po ndryshon.   

Pëllumb Pipero vendosi maskë që pa gdhirë në një intervistë televizive për të treguar se njerëzit duhet ta bëjnë këtë gjë. Ai ndryshoi katërcipërisht qëndrim për maskën, kur në kohën e karantinës, këmbëngulte nëpër studio televizive se maska nuk të mbronte.

Sot OBSH dhe vetë studimet shkencore flasin ndryshe. Nëse të gjithë  mbajnë maskë, si ata që shfaqin shenja edhe asimptomatikët, ata ndihmojnë ndjeshëm në zvogëlimin e sasisë së virusit.

Se sa është përqindja e mbrojtjes kjo pastaj ka interpretime të ndryshme.

Deri tani vetëm maskat kirurgjikale N95 janë efektive në bllokimin e virusit (95%).

Ato janë vlerësuar shumë të rëndësishme për punonjësit e kujdesit shëndetësor të vijës së parë. Për gjithë të tjerët, autoritetet shëndetësore rekomandojnë vendosjen e maskave më pak profesionale.   

Nuk mungon as ai kontingjent se maskat në fytyrë mund të shkaktojnë një siguri të rreme tek ata që i mbajnë ato. Të gjitha hipotezat dhe versionet gëlojnë.

Por ajo që shkencërisht nuk po ndryshon qasje është se mbajtja e maskës e ul ndjeshëm rrezikun e infektimit me Covid-19.

Disa prej kërkuesve shkencore sugjerojnë se mbulimi i hundës dhe gojës e ul rrezikun e prekjes nga koronavirusi deri në 65%.  

 Vetë shkenca po ndryshon në këtë drejtim. Më parë, (shkruan BBC) shkencëtarët thoshin se maska shërbente vetëm për të ndaluar transmetimin e virusit tek të tjerët, por studimet e mëvonshme treguan se ajo mbron edhe njerëzit e shëndetshëm.

“Të gjithë duhet të mbajnë maska. Ata që thonë se nuk besojnë në efikasitetin e maskës, po injorojnë provat shkencore. Nuk është me të besuar kjo punë. Është njësoj si të thuash nuk besoj te forca e rëndesës”, shprehen studiuesit amerikanë, sipas një artikulli të BBC.

Dhe për të shkuar tek maska, në vendin tonë pikësëpari volitet një vendim i qartë dhe i detyrueshëm për njerëzit (siç po e bëjnë jo larg nesh vendet fqinje) se ku dhe kur duhen vënë maskat shoqëruar edhe me sanksione.

Kjo është bazikja.

Një politikë më reflektive sigurisht që duhet nga vetë drejtuesit e shtetit.

Kryeministri Edi Rama nuk e mban maskën me argumentin se ruan distancën fizike.

Por ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila deri në muajin qershor shëtiste nëpër Tiranë me të bijën pa maskë, sot nuk lë takim zyrtar, pa mbajtur një të tillë.

Shifrat flasin për një situatë serioze në vend. Dhe vendosja e disa rregullave me detyrim veçse disiplinon këdo, pavarësisht opinionit që mund të ketë.

Ndaj dhe vendose atë dreq maske me detyrim. Sepse ne nuk mund të jemi përjashtimi. Askush nuk është.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë