Shendet

Budallallepsja alla-shqiptare: Bien shitjet e alkoolit pas daljes nga karantina

“Për momentin nuk kemi marrë furnizime me alkool dezifektant të madh. Po të duash të të jap një të vogël që e mora sot për vete,” këto ishin fjalët e para që më tha një farmaciste pranënë një nga rrugët kryesore të Tiranës, ndërkohë që më shpjegoi se prej 2 javësh nuk kishin marrë furnizim me alkool dezifektantë sepse nuk kishin pasur kërkesa.
Dola e habitur nga farmacia sepse që prej fillimit të epidemisë së Covid-19 në vendin tonë, njerëzit u dyndën nëfarmaci për të blerë alkool . Por tani situata e e përhapjes së infeksionit pas heqjes së karantinës nuk është më e mirë, madje më keq në numra. Gjatë ditëve të fundit ka pasur minimalisht nga 2 vdekje çdo ditë në Spitalin Infektiv, ndërkohë që të gjithë epidemiologët në vend po këshillojnë qytetarët që të kujdesen për higjienën vetjake.

Por rastet e shtuara nuk i kanë tutur qytetarët, pasi edhe në një farmaci tjetër përgjatë kësaj rruge më thanë se nuk kishin marrë furnizim me alkool sepse nuk kishin kërkesa.

Sërish çudi, më shumë alkool përdorej kur njerëzit ishin të izoluara brenda shtëpive dhe në karantinë dhe kur infeksioni ishte nën kontroll se sa tani që janë më të ekspozuar dhe pranë njëri-tjetrit dhe kur numrat nga përhapja e virusit janë disa fish më të larta?!
Madje në farmacinë e radhës i vetmi alkool që përdornin ishte një shishe e madhe në hyrje , për të plotësuar rregullat higjienike në protokollin e përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Në kërkim të alkoolit që në fillim nuk e gjenim dot në farmaci nga kërkesat e shumta, një farmaciste në rrugën “Fortuzi” më tregoi se në të gjitha depot e farmacive kishin gjendje të alkoolit dhe dezifektantëve të duarve, por që ajo në farmaci kishte gjendje të alkooleve 100 mililitra pasi nuk ka kërkesa për alkool të mëdhenj.
Pasi mora alkoolin e vogël që e mbaj shpesh nëpër duar, rruga dhe kurioziteti më drejtoi në një tjetër farmaci dhe mu kujtua koha kur fillimisht nuk gjeja dot maskë e alkool, qofshin këto në sasi të vogla, pasi dukej që njerëzit e “ngulfatur” nga frika i kishin përpirë. Kur shkova në farmacinë e radhës në rrugën “Mine Peza”, vajza që qëndronte brenda në banakun kryesor më tha se njerëzit tashmë nuk kërkojnë më alkool.
“Ju jeni i vetmi person që më ka kërkuar alkool dhe dezifektant që prej 1 jave tashmë. Në fillim kishim një bum shitjesh për këto produkte, ndërsa tani i kemi të radhitura e askush nuk i ble,” më tha ajo duke më treguar me shenjë nga cepi i majtë i banakut, ku qëndronin disa lloje alkoolesh dhe deifektantësh.
Më tej vajza më tha se në këtë zonë kishin rënën kërkesat edhe për maska, pasi të gjithë njerëzit përdornin maskat prej cope, duke nisur edhe nga ajo vetë.
Ndërsa kur e pyeta Florian Zekjan nga kompania prodhuese Pro Export Albania, nëse ka kërkesë për blerjen e maskave, më tregoi se vazhdon interesi, por shumë gjëra janë kanalizuar dhe prodhimi për vendin është stabilizuar. Ai shpjegoi se po punohet gjithmonë për institucionet shtetërore dhe vendore.

“Nuk është si ditët e para të pandemisë sepse tregu ishte bosh, por kërkesa ka,” tha ai.
Ndërsa, përgjatë rrugës së“Durrësit” dy farmaci të tjera më treguan se “tashmë i ka kaluar koha blerjes së alkoolit”. Duke u ankuar për shitjet e këtij produkti njëri prej farmacistëve i cili quhej Arlind më tha se kemi marrë furnizim duke menduar që do të kishte shitje njëjtë sa në fillim, por njerëzit që i shkonin vazhdimisht i kishin thënë se nuk kanë për çfarë i duan alkoolet se mbaroi karantina.
Edhe njerëzit e zakonshëm që hasa në farmaci të ndryshme më treguan se, duke qenë se mbaroi karantina nuk pse të blejnë më as maska dhe as alkool.
Duke parë se blerja e alkoolit shihet paralelisht me izolimin nuk po e kuptoja pse është anashkaluar aq shumë virusi, ndërkohë që rastet po shtohen dita ditës. Me një sërë pyetjesh në mendje u largova dhe që prej farmacisë në fillim të rrugës së“Durrësit”. Njerëzit flasin të gjithë për virusin, por duket se jo të gjithë po marrin të njëjtat masa sa në karantinë, për shmangien e infeksionit. Nga ajo çfarë vura re, edhe farmacistët që pyeta nuk i atribuonin fitimet e tyre shitjeve të këtyre produkteve, që ende nuk kishin lëvizur nga çmimet fillestare, por pyetja që më shqetësonte dhe nuk gjeta përgjigje ishte; A besojnë shqiptarët se virusi është ende prezent?
Një farmaciste është e dyzuar: nëse do ta thoja para mediave, do shprehesha publikisht para kamerave se njerëzit janë të ndërgjegjësuar me higjienën dhe po përdorin alkool por, në kofidencë do të t’ju thoja që askush nuk blen alkol dhe pak kush mbrohet, prej javësh tashmë.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë