Alexandra Samuel/ WSJ – Prano! Bjer dakord! Mirato! Kam humbur numërimin sesa herë kam klikuar mbi butona të tillë, duke rënë dakord mbi kushte shërbimi online, të cilëve as u kam hedhur një sy, më parë. Por zor se jam e vetmja: Sipas një vëzhgimi të vitit 2017 ngaDeloitte, 91% e konsumatorëve, në mënyrë rutinore, pranojnë marrëveshjet e shërbimit online, pa i lexuar në fakt ato. Ajo çka mund të duket si një mënyrë e kuptueshme për të kursyer kohë del të jetë problem i madh, ku zbulojmë befas se për çfarë kemi rënë dakord.
Abuzimi me të dhënat e përdoruesve të Facebook-ut,nga Cambridge Analytica, e befasoi publikun, pjesërisht sepse pak njerëz e dinin se kushtet e shërbimit të Facebook-ut kishin lejuar zhvillues të palëve të treta të kishin liri hyrjeje jo vetëm tek të dhënat e tyre, por edhe tek të dhënat e miqve të tyre, gjithashtu.
Me aq shumë të dhëna personale, komunikim dhe rezultat krijues që tani rrjedh përmes shërbimeve online, mosleximi i marrëveshjeve të përdoruesit u jep kontroll palëve të treta, si në privatësi ashtu edhe në përmbajtje. Shërbimet online kanë pak incentiva për të zhvilluar politika, që janë në interes të përdoruesve të tyre, kur e dinë se pjesa më e madhe e përdoruesve as që ua hedhin sytë kushteve të tyre të shërbimit.
I klikojmë pa menduar dhe pa kuptuar plotësisht se për çfarë po biem dakord. Është koha ta ndreqim!
Është e rëndësishme për ne të nisim të lexojmë marrëveshjet e përdoruesit, por kjo do të ndodhte nëse marrëveshjet e shërbimit ristrukturohen në mënyrë që, të jetë më e lehtë për ne të tretim dhe të përthithim dhe nëse do të kishim mënyrat për të përjashtuar dispozitat më problematike. Kjo do të thotë të rimendohet i gjithë modeli i kushteve të shërbimit dhe të vihet përparësi tek ajo çka është më e mirë për konsumatorët. Ja zgjidhjet më ideale, që kompanitë t’i bëjnë kushtet e shërbimit më të kuptueshme dhe më miqësore me konsumatorin!
Hiqni dorë nga marrëveshjet ‘gjithçka, ose asgjë’!
Në këtë moment, marrëveshjet e përdoruesit janë ‘gjithçka ose asgjë’, një propozim ‘merre, ose lëre.’ Nëse keni dalë në përfundimin se duhet të keni liri hyrjeje në një platformë specifike ( si LinkedIn) apo një shërbim online (si Google Drive), nuk ka kuptim të lexoni çdo paragraf të marrëveshjes së përdoruesit. Edhe nëse nuk bini dakord me pjesë të marrëveshjes, i vetmi opsion është të shmangësh të gjithë përdorimin e shërbimit. Pak prej nesh janë gati ta bëjnë këtë.
Një qasje më e mirë mund të ishte të bëhej një modul marrëveshjesh, në mënyrë që të mos pranonim dispozita specifike, si për shembull; të mos i linim kompanitë të rishisnin të dhënat tona, të ripublikonin përmbajtjen tonë, të gjurmonin vendndodhjen tonë apo të na shënjestronin me reklama. Befas, do të kishim një arsye për të lexuar marrëveshjen në tërësinë e saj, në mënyrë që të vendosnim se cilat pjesë duam dhe nuk duam të pranojmë. Dhe çka është më e rëndësishme, vendimet tona do u jepnin kompanive një reagim më të vlefshëm rreth politikave të tyre, në mënyrë që të mund të riorganizonin modelet e tyre të biznesit rreth preferencave të përdoruesve, në pyetje thelbësore.
Shkruani si njerëz!
Edhe marrëveshjet modul të shërbimit do të shkonin të palexuara, nëse vazhdojnë të shkruhen me gjuhë të pakuptueshme teknike, që është ende norma për shumë kushte të shërbimit. Këto dokumente duhet të rishkruhen në mënyrë që të jenë të lexueshme edhe nga ata që nuk janë avokatë, ose të paktën të ofrojnë një shpjegim të lexueshëm për çdo dispozitë. Rregullorja e Mbrojtjes së të Dhënave të Përgjithshme në Europë ndihmon, për shkak se kërkon që politikat e privatësisë të shkruhen në gjuhë të thjeshtë. Tani duhet të sigurohemi se çdo pjesë e marrëveshjes së shërbimit të ketë atë standard – jo vetëm politikat e privatësisë.
Për shembull, ‘YouTube’ na kërkon të “poho, përfaqëso dhe garanto se zoton ose ke licencat e nevojshme, të drejtat, pëlqimet dhe lejet për të publikuar përmbajtjen që paraqet; dhe ti i licencon YouTube-it të gjithë të drejtat patentuese, të markës, sekretet e tregtisë, të drejtën e autorit dhe çdo të drejtë tjetër pronësie dhe për publikimin e përmbajtjeje pajtohesh me kushtet e shërbimit. Në vend të kësaj mund të thoshte thjesht: “Ti garanton se kjo përmbajtje është e jotja, për ta postuar dhe, po na lejon ta shfaqim në sajtin tonë. (YouTube refuzon të komentojë).
Disa softuerë të palëve të treta përpiqen të mbushin zbrazëtinë për momentin. Kushtet e shërbimit nuk shkruajnë se sigurojnë një zgjatim të shfletuesit, që ofron një analizë të kushteve të shërbimit për afro njëqind uebsajte si ‘Facebook’, ‘YouTube’ dhe ‘SoundCloud’. Njëherë me të instaluar këtë zgjatim, do të shihni në ikonat e shfletuesit fenerë me ngjyra, kudo ku vizitoni një nga sajtet që ka renditur ky zgjatim, duke ju bërë me dije se mund të klikoni për një shpjegim dhe një vlerësim të kushteve të shërbimit, të atij uebsajti. Do të doja të shihja një version më të zgjeruar, që mund të shpjegojë çdo lloj kushti shërbimi që shfaqet në ekranin tim.
Mësoni nga e shkuara!
Një qasje modulare do t’ua bënte gjithashtu më të lehtë njerëzve leximin e kushteve të shërbimit nëse do të dinin me ç’dispozita kemi rënë dakord në të shkuarën dhe cilat kemi refuzuar. Imagjinoni këtë: Gjeni një rrjet të ri social, të cilit dëshironi t’i bashkoheni dhe do të ketë një marrëveshje të zakonshme me 3 faqe dhe 40 klauzola. Por ju po e shqyrtoni këtë marrëveshje duke përdorur zgjatimin e shfletuesit, që regjistron pjesën e marrëveshjes që keni pranuar dhe ato që keni refuzuar.
Kështu, ndërsa po shihni këtë marrëveshje të rrjetit social, çdo dispozitë që është kryesisht e ngjashme me diçka për të cilën më parë keni rënë dakord, paraqitet me të gjelbër dhe, gjithçka e ngjashme me atë që keni refuzuar më parë, është e shënjuar me të kuqe. Nëse ka dispozita që nuk ngjajnë me ato që keni hasur më parë, theksohen me të verdhë, tek të cilat mund të përqendroni vëmendjen. Është shumë më realiste për njerëzit të lexojnë kushtet e shërbimit, kur mund të përqendrohen në pak pjesë, që vërtet meritojnë vëmendje.
Gjeni miq me shije të ngjashme!
Ashtu si ‘Amazon’ dhe ‘Netflix’ mund të sugjerojnë se do të duhet të blije apo të shihje, bazuar në atë çka përdorues “si ju” po bëjnë, një sistem inteligjent i kushteve të shërbimit mund të ishte në gjendje të përshpejtonte preferencat tuaja në mënyrën sesi, njerëz të ngjashëm, u përgjigjen marrëveshjeve dhe dispozitave specifike.
Si do të funksiononte? Kurdo kur vizitojmë një sajt, një shërbim i një pale të tretë, që mbledh të dhënat, gjurmon se për cilat klauzola të marrëveshjes së shërbimit kemi rënë dakord dhe cilat kemi refuzuar. (Përpara se të shqetësoheni rreth çështjeve të privatësisë: Mbledhja e të dhënave mund të menaxhohej nga grupe jofitimprurëse pa ndonjë interes dhe pa qëllime për të shitur informacionin e përdoruesit.)
Atëherë shërbimi i mbledhjes së të dhënave do të përtypte shifrat për të zbuluar se cilët përdorues të tjerë janë të ngjashëm me ne, bazuar në zgjedhjet që kemi bërë. Nga këtu, shërbimi mund të na tregojë se “njerëz të tjerë që kanë zgjedhur të mos ndajnë të dhënat e vendndodhjes kanë refuzuar këtë klauzolë rreth përditësimit nga e-maili.” Do ta bënte punën e leximit të marrëveshjes së kushteve të shërbimit shumë më të lehtë.
Si të arrijmë deri aty?
Krijimi i një sistemi marrëveshjesh modular, që mund të përshtatet, të lexueshëm dhe reagues, është punë e madhe dhe do të kërkonte ndryshime të mëdha, ndaj qasjeve teknike dhe të shërbimit të klientit, përdorur nga platformat online.
Por, skandali i ‘Cambridge Analytica’ e ka bërë të qartë se kompanitë përballen me rreziqe të mëdha financiare dhe në marrëdhëniet publike, kur përdoruesit nuk kanë një pamje të qartë sesi po përdoren të dhënat e tyre dhe përdoruesit nuk do ta kenë kurrë atë pamje të qartë për sa kohë marrëveshjet e kushteve të shërbimit mbeten të gjata dhe të palexueshme.
Ofrimi i marrëveshjeve më të mira të përdoruesit mund dhe duhet të bëhet një avantazh konkurruese për kompanitë. Në fakt, nuk ka mënyrë më të mirë që kompanitë të tregojnë se kujdesen rreth përdoruesve të tyre , sesa t’u japin kontroll të drejtpërdrejtë dhe të imtë mbi atë, për të cilën bien dakord. Kjo do të ishte diçka për të cilën do të nënshkruaja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.