Analize

As Weber as Timmermans, Komisioni Europian pa President

Marrëveshja e arritur mes kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez, Emmanuel Macron është refuzuar ashpër nga zyrtarët e Partisë Popullore Europiane, të cilët nuk janë të gatshëm të heqin dore nga presidenca e Komisionit Europian. Merkel dhe Macron kishin rënë dakort që holandezi Frans Timmemans të vihej të krye të ekzekutivit të BE-së dhe Manfred Weber, kandidati kryesor i PPE-së të vihej në krye të Parlamentit Europian.

Nga ana tjetër, deri më tani emri më i përfolur për të pasuar Përfaqësuesen e Lartë është Charles Michel, kryeministri në largim i Belgjikës, por as për këtë post nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare. Nëse konfirmohet do të marrë një nga postet kyçe për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor dhe do të kryesojë bisedimet me liderët e rajonit. Ai vjen nga familja politike e partive liberale dhe është i njohur për qasjen pozitive ndaj Ballkanit dhe anëtarësimit të rajonit në BE.

Por përzgjedhja e zyrtarit që do të ketë në dorë fatin e rajonit, kreut të Komisionit Europian, duket se është bllokuar sërish pas bisedimeve të së hënës. Pas rebelimit kundër Merkelit, Partia Popullore Europiane ka bërë të ditur se është gati të sakrifikojë kandidatin kryesor Manfred Weber dhe procesin e përzgjedhjen e Komisionit Europian, i njohur si “Spitzenkandidaten” për aq kohë sa një nga zyrtarët e saj merr presidencën e ekzekutivit të BE-së.

Në një takim të PPE-së në Parlamentin Europian, burimet thanë se ligjvënësit konservatorë ranë dakord se socialisti Frans Timmermans nuk duhet të bëhet në asnjë mënyrë shefi i ri i Komisionit të BE-së, edhe pse kancelarja gjermane Angela Merkel nuk kishte shprehur asnjë kundërshtim ndaj kandidaturës së tij.

Charles Michel

"Ligjbërësit e PPE-së mund të rishqyrtojnë mendimin e tyre mbi procesin e Spitzenkandidaten për sa kohë që ata të marrin presidencën e ekzekutivit të BE-së" tha një burim për “Euroactiv”.

Sipas gazetës së njohur europiane, një skenar të tillë nënkupton se emri i Michel Barnier ka të ngjarë të rishfaqet sërish, pasi grupi politik i Macronit, mbështetet edhe emërimin e Barnier. Kryeministri grek Alexis Tsipras tha javën e shkuar se do të mbështeste "çdo kandidat të moderuar i cili nuk e ka ofenduar qytetarët e Europës Juglindore si Weber". Alexis Tsipras përsëriti mbështetjen e tij për Timmermans dhe u kthye në Athinë për të bërë fushatë për zgjedhjet e 7 korrik.

"Do të ishte një krim kundër Europës të privonim veten nga i vetmi kandidat potencial i cili ka kaq shumë cilësi dhe nuk ka defekte të dukshme", tha një burim i PPE-së i cili foli në kushte anonimiteti për “Euroactiv”. Ai shprehu shqetësime të thella rreth kancelares Merkel dhe shefit të Partive Popullore Europiane, Joseph Daul duke thënë se gatishmëria e tyre për të hedhur poshtë kandidaturën e Weber kishte "vrarë" grupin e djathtë.

"Në takimin tonë të fundit të brendshëm, të gjithë drejtuesit ranë dakord të mbështesin kandidatin tonë, Manfred Weber, për presidencën e Komisionit Europian. "Ne nuk do të jemi kurrë dakord që ta kemi atë si President i Parlamentit të BE-së. Suksesi i Weber ishte vendimtar jo vetëm për Evropën, por edhe për konservatorët gjermanë”, deklaron ai.

Gazeta gjermane gjithashtu mëson se Merkel u zemërua me udhëheqësit konservatorë, të cilët kundërshtuan planin e saj për të emëruar Timmermans në krye të Komisionit si pjesë e një marrëveshjeje me presidentin Macron. Ajo thuhet se u largua nga samit i PPE-së "duke e përplasur derën".

Manfred Weber dhe Frans Timmermans

Burimet nga PPE-ja shprehën frikën se Merkel po dorëzohet përpara presionit të Macronit. Ndërkohë, në Berlin, mediat gjermane raportojnë se aftësitë diplomatike dhe negociuese të Merkelit kishin dështuar, pasi u kap në befasi nga opozita brenda PPE-së.

“Ajo nuk ishte në gjendje të zbatonte planin që kishte hartuar në Berlin pak para samitit të BE-së, sipas të cilit Timmermans vihej në krye të Komisionit dhe Weber zgjidhej si president i ri i Parlamentit Europian. Ky samit ka treguar se fakti se Gjermania dhe Franca kanë rënë dakord për diçka, nuk e bën fakt të kryer”, shkruan “Der Spiegel”.

Macron fajësoi PPE-në për dështimin e bisedimeve. Sipas tij, PPE është në thelb përgjegjëse për "imazhin e keq të Europës" . Macron gjithashtu vlerësoi përpjekjet e Merkel për të bindur krerët e tjerë të PPE për marrëveshjen e propozuar. "Kemi pasur një koordinim të ngushtë me kancelaren gjermane që është angazhuar për të gjetur një kompromis", tha Presidenti francez.

Ashtu si ai, edhe kryeministri socialist i Spanjës Pedro Sánchez kritikoi PPE-në për kundërshtimin e "marrëveshjes së Berlinit". "Ne kemi qenë shumë afër, shumë afër, por PPE-ja nuk ka respektuar marrëveshjen", tha Sánchez

Kryeministri spanjoll, i cili u largua nga Këshilli i BE i frustruar, duke thënë se përfaqësuesit e BE-së duhet të pushonin dhe të reflektonin mbi rrezikun e krijimit së një krizë institucionale midis Parlamentit të BE-së dhe Këshillit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë