Ne rrjet

As Putin nuk e beson, Vuçiç e pyet i zhgënjyer: Pse?

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç doli në një konferencë për shtyp ku me tone zhgënjyese tha se Serbia kishte siguruar prova të shumëfishta të aktivitetit të spiunëve rusë në Beograd dhe ngriti një pyetje në drejtim të Moskës: Pse?

“Kemi foto dhe regjistrime video dhe audio të kontakteve të Kleban (diplomati rus Gergiy) Kleban me anëtarë të Forcave të Armatosura të Serbisë”, deklaroi Presidenti serb.

Greorgiy Kleban nuk ndodhet më në Serbi dhe është e paqartë se kur është larguar ai, ndërkohë që një nga takimet e përgjuara mes tij dhe pjesëtarëve të ushtrisë serbe ka ndodhur më 24 dhjetor të 2018.

Vuçiç tha se shërbimet serbe të sigurisë kanë identifikuar tre kontakte të dyshimta të Kleban, që në 10 raste mendohet se u ka dhënë para të thata anëtarëve të ushtrisë serbe.

Skandali në fjalë e vendos në një situatë të sikletshme Aleksandër Vuçiçin, një ultranacionalist i shndërruar në konservator që u ka premtuar dhe premton serbëve afrim të mëtejshëm me Rusinë. Për këtë arsye ai tha se shpreson që Presidenti rus, Vladimir Putin të mos ketë qenë në dijeni të këtij operacioni spiunimi.

Vuçiç falenderoi mbështetjen ruse duke mos njohur Kosovën dhe thotë se vetëm pyetjen “Pse?” i ka adresuar ambasadorit rus në Beograd, Alexander Bocan Harchenko, kur u takua me të të enjten në mëngjes.

Ambasadori rus në Beograd minimizoi incidentin. Ai tha se nuk ka asnjë skandal që mund të dëmtojë marrëdhëniet mes dy vendeve. Nga Moska deri më tani ka reaguar zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov. Ai ka deklaruar se mbetet e paqartë se çfarë ka ndodhur, por foli me siguri se çfarëdo që të jetë nuk do të dëmtojë marrëdhëniet mes Moskës dhe aleatit të saj të ngushtë në Ballkan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë