Keshilla

Arushë chatbot? Pse lodrat me AI janë të rrezikshme për fëmijët

Nga Gazeta ‘Si’– ChattyBear, një arush pelushi ngjyrë kafe me zë të gëzueshëm, e nis çdo bisedë me thirrjen: “Përshëndetje, shoku im!”

ChattyBear nuk është më thjesht një lodër imagjinare. Ai bën pjesë në një brez të ri lodrash me inteligjencë artificiale (AI), të afta të tregojnë histori, të bisedojnë për interesat e fëmijëve, të luajnë lojëra dhe madje të diskutojnë mbi ngjarjet aktuale.

Këto lodra të teknologjisë së lartë fuqizohen nga sisteme gjeneruese të AI-së, si ChatGPT, dhe po bëhen gjithnjë e më të përhapura online. Ato po promovohen si një mënyrë për t’u dhënë fëmijëve, që në moshë shumë të vogël, një avantazh edukativ dhe një formë të re loje-pa nevojën e ekranit.

Megjithatë, pas vlerësimit të disa lodrave të tilla gjatë muajve të fundit, studiuesit theksojnë se përveç mundësive që ofrojnë, ato sjellin edhe rreziqe të reja për fëmijët.

Një nga shqetësimet kryesore lidhet me mënyrën se si këto lodra “tingëllojnë njerëzore”. Për fëmijët e vegjël, shpesh është e vështirë të kuptohet se një lodër nuk është e gjallë. Kur lodra përdor gjuhë që krijon ndjesinë e një “miku të vërtetë”, ajo mund të nxisë një ndjenjë të rreme besimi dhe afërsie.

Ky efekt forcohet kur sistemet e AI-së përdorin gjuhë tepër miratuese, lavdëruese dhe gjithmonë dakordësuese, duke krijuar një marrëdhënie emocionale artificiale me fëmijën. Studimet tregojnë se fëmijët e vegjël janë veçanërisht të prirur të krijojnë lidhje emocionale me agjentë bisedorë të AI-së.

Rritja e besimit sjell edhe rritje të përdorimit. Sipas disa vlerësimeve, gati 80% e fëmijëve nga 10 deri në 17 vjeç kanë përdorur një asistent ose shoqërues me AI, çka e bën të domosdoshme edukimin e tyre për të dalluar realitetin nga “shokët” e tyre virtualë.

Një tjetër veçori e këtyre lodrave është “biseda e pafundme”. Ato janë të dizajnuara për të ofruar ndërveprim të pandërprerë, gjë që mund të ndikojë në mënyrën se si fëmijët e mësojnë përdorimin e teknologjisë dhe kufizimin e kohës para saj.

Megjithatë, ky “chat i pafund” sjell edhe rreziqe të tjera, përfshirë mbledhjen e vazhdueshme të të dhënave personale. Fëmijët shpesh mendojnë se po flasin në privatësi me një mik të sigurt, por në realitet këto biseda mund të përdoren si të dhëna trajnimi për modelet e ardhshme të AI-së.

Raporte të ndryshme kanë treguar gjithashtu se disa lodra me AI mund të përfshihen në tema të papërshtatshme për fëmijët, përfshirë tema për të rritur ose udhëzime të rrezikshme.

Studiuesit paralajmërojnë edhe për ndikimin afatgjatë në zhvillimin social dhe emocional të fëmijëve. Koha e kaluar me shokë artificialë mund të zëvendësojë ndërveprimet reale me njerëzit, duke ndikuar në aftësitë për të ndërtuar dhe ruajtur marrëdhënie njerëzore.

Ndërkohë, industria e lodrave me AI po zgjerohet me shpejtësi, me kompani të mëdha që investojnë në produkte të reja inteligjente për fëmijë. Kjo rrit nevojën për rregulla dhe dizajn më të sigurt, ku sistemet të mos imitojnë tepër sjelljen njerëzore dhe të jenë të përshtatura për moshat e vogla.

Në fund, ekspertët theksojnë se përdorimi i lodrave me AI mund të jetë i dobishëm vetëm kur bëhet nën mbikëqyrjen e prindërve dhe me udhëzime të qarta mbi përdorimin e teknologjisë. Pa këtë kujdes, rreziqet mund të tejkalojnë përfitimet./ The Conversation


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë