Ekspozite

Arti mesjetar shqiptar ekspozohet në Paris

Arti Mesjetar shqiptar ka udhëtuar drejt Parisit, për t’u shfaqur në ekspozitën e çelur në sallën Miro të UNESCO-s, me rastin e rastin e 60- vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Organizatën arsimore, shkencore e kulturore të Kombeve të Bashkuara. Pjesëmarrës në ceremoninë e çeljes së kësaj ekspozite të titulluar “Dritare në Artin Mesjetar Shqiptar” kanë marrë pjesë Ernesto Renato Ottone Ramirez, Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm për Kulturën në UNESCO, ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro, zëvendësministres së MPJE, Artemis Dralo, Ambasadorit të Shqipërisë në UNESCO, Ferit Hoxha dhe personalitete e ambasadorë në UNESCO.


“Çfarë mund të bëjmë për të promovuar paqen në botë? Kjo është çështja që UNESCO-ja shtroi për zgjidhje që kur u krijua në vitin 1945, fill pas luftërave që përgjakën botën.
Një përgjigje për këtë na e ka dhënë shenjtorja jonë shqiptare, Nënë Tereza: Shko në shtëpi dhe duaj familjen tënde!”- u shpreh ministrja Kumbaro në fjalën e hapjes.Kjo ekspozitë në Paris, në sallën Miro, përbën një rrugëtim në historinë e pikturës bizantine dhe pas bizantine të zhvilluar në territorin shqiptar dhe fton publikun e gjerë dhe studiues të fushës në një eksperiencë të rrallë në njohjen e mjeshtërve eponim dhe anonim si dhe atelieve më të spikatura të kohës, nëpërmjet veprës së trashëguar prej tyre.


“Kur Shqipëria hyri në UNESCO, 60 vite përpara, ende nuk e kishim zgjidhur problemin e paqes me veten, ndaj dhe për më shumë se 30 vite prania jonë ishte gati formale, thjesht me dëshirën për të qenë në paqe të rreme me të tjerët. Gjithçka nis pra me njohjen e vetes dhe tjetrit. Ky është thelbi. Dhe njohja nis nga zakonet, traditat, mënyra e jetesës, të shprehura në arkitekturën e shtëpive, qendrave historike apo objektet e rralla, pra në trashëgiminë materiale dhe shpirtërore që mbart gjithsecili, nis kështu nga Kultura”- u shpreh më tej në fjalën e saj Kumbaro.


Kjo është arsyeja pse hapi i parë domethënës me UNESCO-n erdhi në vitin 1992 me pranimin e Butrintit në sitet e mbrojtura të trashëgimisë botërore. Për të parën herë një pasuri e jona mori meritën që i takonte duke u bërë pjesë e mozaikut të trashëgimisë botërore. Si për të përligjur konceptin se qytetërimi nuk mund të ndërtohet me kështjella të mbyllura, por me amfiteatër të hapur, nuk mund të kuptohet pra pa shkëmbime, ndikime, marrëdhënie dhe shtresëzime kulturash.“UNESCO mbetet e pazëvendësueshme në këtë rol unik të rëndësisë që i jep arsimit, kulturës, vlerave të qytetërimeve të cilat përbëjnë garantimin e stabilitetit të vendeve tona, të cilat do të shpëtohen nga Kultura.

Shqipëria bëhet pjesëmarrëse në krijimin e vlerave të përbashkëta të qytetërimit evropian, për të cilin kemi strukturën dhe të cilën ne dëshirojmë të zhvillojmë së bashku, sepse e kaluara që ne e ruajmë së bashku do të jetë themeli i së ardhmes sonë”-shtoi Kumbaro në fjalën e saj. Përtej interesit vizual dhe qëllimit artistik që konsiston në ilustrimin e fazave të pikturës ekleziaste, boshti kryesor në përzgjedhjen e ikonave është paraqitja e aspekteve të realitetit të përditshëm të shoqërisë së kohës, idetë dhe shqetësimet që përshkonin marrëdhëniet njerëzore, apo dhe dimensione të tjera – pjesë e jetës materiale – si civilizimi, veshja, duke i konvertuar ato në koncepte të drejtpërdrejta për t’u kuptuar nga vizitori.

Në një këndvështrim më të gjerë, ekspozita kontribuon në kuptimin e ndikimit që ushtroi Civilizimi Bizantin në popujt e tjerë të botës mesdhetare, duke dëshmuar vazhdimësinë e kësaj tradite kulturore dhe estetike në pikturën religjioze edhe pas rënies së Kostandinopojës në vitin 1453 dhe vendosjes në Ballkan të turqve osman.Ekspozitën e çelur në UNESCO, ministrja Kumbaro e ka cilësuar si një gjest të vogël të kulturës së mrekullueshme shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë