Rend dhe Ligj

Vorpsi injoron Metën, bën betimin si anëtare e Kushtetueses te noteri

Kandidatja për anëtare e Gjykatës Kushtetuese, Arta Vorpsi, ka bërë betimin si anëtare në Gjykatën Kushtetuese, jo te Presidenti i Republikës, por te noterja. Betimi i gjyqtares Arta Vorspi është bërë pranë noteres Miranda Xhemalçe. Arta Vorpsi ka njoftuar për betimin institucionet kushtetuese: presidentin, KED dhe Gjykatën Kushtetuese.

Te noterja ajo mësohet të jetë shprehur: “Me dorën në Kushtetutë, betohem!

Ndërkohë, presidenti Meta në konferencën me gazetarët mbrëmjen e kaluar e ricilësoi si kontrabandë botimin në Fletoren Zyrtare të emërimit të Arta Vorpsit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese dhe gjatë gjithë konferencës me pyetje-përgjigje me gazetarët nënkuptoi vazhdimisht se nuk do të organizonte ceremoni betimi për të.

Dokumenti i betimit te noterja
Deklaratë e Arta Vorpsit e paraqitur para noteres

Reagon Presidenca: Nuk ndalojmë askënd të betohet, as tek noterja as tek parukierja

Menjëherë pas betimit të anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Vorpsi, ka reaguar presidenca.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, zëdhënësi i presidentit thotë se Meta nuk ndalon askënd të betohet, as te noterja, as te parkurierja.
Kreu i shtetit thotë se është betuar me dorë mbi Kushtetutë dhe Shqipëria dhe shqiptarët janë të parët.
“Të dashur gazetarë,
Lidhur me pyetjet tuaja për një lajm qesharak që qarkullon në media, dua t’ju sqaroj se:
Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta nuk ndalon askënd të betohet as tek noterja, as tek parukierja.
Presidenti Meta është betuar me dorë mbi Kushtetutë dhe për të Shqipëria dhe shqiptarët janë të parët”, shkruan zëdhënësi i presidentit, Tedi Blushi.

Basha: Gjykata Kushtetuese, grusht institucional

Lulzim Basha vazhdon takimet në kuadër të turit “Rrugëtimi për Shqipërinë”. Në ndalesën e radhës, që ishte takimi me operatorët turistikë në këtë qytet, kryefjala e kreut të Partisë Demokratike ishte shpalosja e premtimeve dhe programit të opozitës për të lehtësuar biznesin dhe sipërmarrjen.

Por, zhvillimet në lidhje me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese në Tiranë tërhoqën vëmendjen e Lulzim Bashës. Ai foli për grusht institucional.

“Edi Rama ka vetëm një qëllim, ose ta kapë ose ta bllokojë reformën në drejtësi. Kjo që po ndodh me Gjykatën Kushtetuese, është grusht institucional. Një Gjykatë e kapur, një drejtësi e kapur i shërben qeverisë dhe një grushti oligarkësh dhe jo ju”, deklaroi ai.

Basha akuzoi Qeverinë e Kryeministrit Edi Rama se nuk u ofron shpresë shqiptarëve.

“Mungesa e shpresës vjen prej mungesës së kësaj qeveri për të ofruar shpresë. Ndryshe nga këta, ne ofrojmë çlirim të biznesit, duke luftuar korrupsionin. Për biznesin e vogël do të ketë vetëm një taksë 0.5 % jo dhjetë taksa dhe eleminimin e taksës Rama për karburantin”, premtoi ai.

Mes premtimeve është edhe rritja e pagës minimale në 300 euro. Ndikimi i parë pozitiv i këtij vendimi, sipas Bashës, do të jetë rritja e fuqisë blerëse dhe konsumit, duke gjallëruar ekonominë.

“Ju duhet një qeveri që t’ju ndihmojë duke ju lënë që të punoni dhe aty ku ka nevojë duke ndërtuar infrastrukturën që do t’ju ndihmojë të punoni në biznesin tuaj”, u shpreh Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë