Politike

Botohet vendimi për 2 anëtaret e zgjedhura nga Kuvendi, mungon Xhaferllari

Qendra e Botimeve Zyrtare publikon vendimet e Parlamentit për zgjedhjen e dy anëtareve të Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska dhe Fjona Papajorgji. Fletorja zyrtare mban datën e sotme dhe se në të janë pasqyruar vendimet e Toskës dhe të Papajorgjit. Pas këtij akti të botuar në Fletoren Zyrtare, duhet që të dy anëtarët e rinj të zgjedhur nga Parlamenti të betohen përpara Presidentit. Kjo është e parashikuar në ligjin “Për funksionimin e organizimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Faksimile e Fletores Zyrtare numër 153 ku shpallen vendimet e Parlamentit për zgjedhjen e dy anëtarëve të rinj të Gjykatës. Gazeta Si, 14 nëntor 2019


Ndërsa QBZ, një institucion që varet nga ministria e Drejtësisë, ka botuar vendimet e Parlamentit, akoma nuk ka publikuar dekretin e presidentit Meta për dekretimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Ende nuk dihet nëse dekreti i Xhaferllarrit mund të ketë edhe fatin e dekretit të presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, që nuk u botua kurrë nga QBZ-ja në Fletoren Zyrtare. Ndërkaq po në Fletoren Zyrtare si rrallë herë është botuar edhe vendimi i KED-së ku përcakton listën e pikëzimit të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, ku renditet e para Arta Vorpsi, duke e shpallur automatikisht kështu edhe anëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë