Politike

Lëmshi për Kushtetuesen, Presidenca dhe Kuvendi klonojnë anëtarët

Presidenti Ilir Meta ka vendosur që të dekretojë Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, duke mos pranuar qëndrimin e mazhorancës se Arta Vorpsi është automatikisht anëtare, për shkak se kreu i shtetit nuk nxori dekretin brenda afatit 30-ditor.
Menjëherë pas kthimit nga Franca, kreu i shtetit ka firmosur dekretin për caktimin e Xhaferllarit si anëtare të Gjykatës, duke sqaruar se e ka marrë këtë vendim mbi bazën e njohjes së listës së paraqitur nga ana e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. “Pasi u njoha me të gjithë praktikën dokumentare të vendimmarrjes dhe vlerësimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për kandidatët e ngelur në garë për plotësimin e kësaj vakance, përcjellë fillimisht nga Këshilli i Emërimeve dhe plotësuar përfundimisht me shkresën e këtij organi; si dhe pasi vlerësova kandidatët e ngelur në garë për plotësimin e kësaj vakance, pas zgjedhjes nga Kuvendi në datën 11.11.2019, të dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në përfundim vendosa të dekretoj zonjën Marsida Xhaferllari si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në dekretin e kreut të shtetit.

Marsida Xhaferllari, e dekretuar nga presidenti Meta si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Gazeta Si 13 nëntor 2019


Akti më i fundit i presidentit i kundërvihet Parlamentit, i cili e ka cilësuar si të mbyllur procedurën për zgjedhjen e anëtarit nga Presidenti, pasi Meta nuk e ka nxjerrë dekretin brenda afatit 30-ditor.
Presidenti kishte kërkuar me anë të një letre drejtur KED-së ngrirjen e procesit të zgjedhjes së anëtari të dytë për Gjykatën Kushtetuese, duke e lidhur me faktin se procedura ligjore përcakton një radhë për emërimin e tyre. Sipas ligjit, anëtarin e parë e emëron Presidenti, të dytin Kuvendi, të tretin Gjykata e Lartë. Për këtë arsye Presidenti vendosi paraprakisht që të pezullojë procesin administrativ të shqyrtimit të listës dhe praktikës dokumentare për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, dhe përcjellë nga KED deri në zgjedhjen e anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë apo deri në përfundimin e afatit kushtetues, brenda të cilit Kuvendi i Shqipërisë do të shprehet për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese për plotësimin e dy vakancave që i përkasin atij si organ emërtese dhe që, sipas përllogaritjes, ky afat përmbushet në datë 13 nëntor 2019.

Gjithashtu në shkresën e tij Presidenti vendosi t’i kërkojë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi vetëm plotësimin e praktikës dokumentare dhe dërgimin brenda 5 ditëve të kopjes së dokumentacionit të administruar e të shqyrtuar nga KED-ja që përmban dosja e kandidimit e secilit prej 4 (katër) kandidatëve të lejuar dhe të listuar nga KED-ja për plotësimin e vakancës së shpallur nga Presidenti. Sipas renditjes së KED, emrat e renditur ishin Arta Vorpsi me 89.642 pikë; Fiona Papajorgji me 88.785 pikë; Elsa Toska me 85.428 pikë dhe Marsida Xhaferllari me 82.000 pikë. Pikërisht mbi bazën e kësaj renditjeje, Presidenti zgjodhi kandidaten e katërt në listë.
Por KED nuk pranoi kërkesën e Presidentit dhe i dërgoi një shkresë Presidentit, duke i bërë të ditur se lista e emrave qëndronte në fuqi. Ndërsa më 9 nëntor në Fletoren Zyrtare u botua vendimi i KED-së, duke e cilësuar si të mbyllur procesin. Më 11 nëntor, Parlamenti kishte në rendin e ditës votimin e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Mazhoranca në qëndrimet e saja bëri të ditur se Presidenti e ishte tejkaluar afatin 30-ditor dhe se për këtë, në mënyrë automatike, Vorpsi është anëtare. Kryekomisioneri Ulsi Manja gjatë fjalës së tij në Parlament tha se Kushtetuta nuk parashikon ngrirje të procesit dhe se Presidenti nuk e ushtroi detyrën e tij. Kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla do të deklaronte se meraku i Metës ishte pikërisht Xhaferllari.

Vendimi i KED-së i botuar në Fletoren Zyrtare, Gazeta "Si", 13 nëntor 2019


Deputetja e PS-së, Ermonela Felaj në një proncim për median deklaroi se “Presidenti Meta me këtë akt vijon të shkelë Kushtetutën”. “Sipas ligjit, anëtare e Gjykatës Kushtetuese e zgjedhur nga presidenti rezulton Arta Vorpsi, pasi presidenti nuk e ushtroi detyrën. Arta Vorpsi është anëtare e Gjykatës Kushtetuese dhe se vendimi është botuar në Fletoren Zyrtare. Presidenti vijon të shkelë Kushtetutën dhe se ndaj tij ju kujtoj se mazhoranca ka hapur një proces për shkarkimin nga posti i kreut të shtetit”, tha Felaj

.

https://www.facebook.com/espiropali/posts/10158993404747926

Për dekretin e nxjerrë reagoi zyrtarisht, ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali, e cila e cilësoi aktin e presidentin si një kundërvënie ndaj SHBA-ve dhe BE-së. Me anë të një postimi në rrjetet socialie, Spiropali thekson se "edhe njëherë Ilir Meta iu kundërvu Reformës në Drejtësi dhe Shteteve të Bashkuara e Bashkimit Europian, duke dekretuar kundër ligjit dhe kundër qëndrimit të tyre, me zero legjitimitet kushtetues e ligjor, një gjykatëse mbrapa liste".
"Edhe njëherë kundërvënia brutale e Ilir Metës ndaj prioritetit themelor të vendit, drejtësisë, na bën të ndjehemi keq për Presidentin e Republikës. Edhe njëherë, Ilir Meta dha një shembull spektakolar për ta kuptuar kush ende nuk e ka kuptuar, se Reforma në Drejtësi ndan thellë e qartë shumicën qeverisëse dhe parlamentin e vendit, nga fronti i atyre që me në krye Ilir Metën, i bashkon kundër nesh Frika nga Drejtesia", shprehet Spiropali.

Ndërkaq për një vend anëtar janë dy emra, një që PS-ja pretendon se është Arta Vorpsi dhe tjetra ajo e dekretuar nga presidenti, Marsida Xhaferllari. Përplasja mes palëve do të jetë te betimi i anëtarëve, pasi Meta mund të kërkojë kryerjen e betimit nga Xhaferllari dhe mund të bllokojë Vorpsin. Ndërsa PS si kundërpërgjigje mund të bllokojë botimin në Fletoren Zyrtare të dekretit të Metës për anëtaren Xhaferllari.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë