Futboll

Arsenali në krizë, ringritja varet nga Granit Xhaka

Me dy humbje në dy ndeshjet e para të Premier League, Arsenal ka bërë një nga startet më të dobëta të viteve të fundit. Nuk ka qenë fillimi i dëshiruar për teknikun spanjoll Unai Emery, i cili pasoi francezin Arsen Venger, që i drejtoi “topçinjtë” për më shumë se dy dekada.

Rezultatet kanë qenë shumë zhgënjyese dhe tifozët kanë filluar të ngrenë gishtin për të gjetur fajtorët e kësaj gjendje të skuadrës londineze. Një nga ata që ngarkohet me përgjegjësi për këtë gjendje te klubi anglez është edhe mesfushori me origjinë shqiptare Granit Xhaka.

Kur futbollisti me pasaportë zvicerane rinovoi kontratën e tij në muajin qershor, tekniku Emeri u shpreh mjaft i kënaqur dhe shumë i gatshëm për të nisur aventurën e re, duke e pasur atë si pikë referimi. Por forma fizike dhe taktike e Xhakës në këto dy ndeshje të para ka lënë në “baltë” trajnerin Emeri, rrjedhimisht edhe skuadrën.

Por nëse është fajtor, Xhaka njëkohësisht është edhe njeriu që mund të nxjerrë ekipin nga kjo gjendje. Përtej rolit në fushën e lojës, Xhaka pritet të marrë një përgjegjësi të madhe edhe në aspektin psikologjik, pasi në sezonin e shkuar ai ishte lojtari që kishte më shumë ndeshje në këmbë.

Dueli dhe bashkëpunimi me Lucas Torreira

Granit Xhaka këtë sezon do të ketë një partner të ri në mesin e fushë së Arsenal. Nëse vitin e fundit ai luante përkrah Aron Ramsey, këtë sezon është projektuar që ai të luaj më shumë me afrimin e ri të merkatos, Lucas Torreira. Për nga karakteristikat, Xhaka dhe Torreira mund të jenë dy lojtarë komplementarë ndaj njëri tjetrit. Nëse njëri ka forcë fizike dhe potencë në gjuajtjet nga larg apo edhe në luftën në ajër, tjetri është më teknik dhe e mban më shumë topin në këmbë. Pikërisht një kombinim më i mirë mes këtyre dy lojtarëve do i bënte punë “topçinjve”, por përmirësimi duhet të fillojë nga Xhaka duke qenë se është “i shtëpisë”.

Një rol më i tërhequr në mesin e fushës

Xhaka në shumicën e ndeshjeve sezonin e shkuar, por edhe në përfaqësuesen e Zvicrës ka patur më shumë hapësira për të dalë në repartin ofensiv. Por me afrimin e Torreira dhe Ozil për Xhakën, Emery ka menduar një rol të ri. Futbollisti me origjinë shqiptare mund të luaj më i tërhequr dhe të ketë më shumë përgjegjësi në repartin difensiv. Por edhe këtu do i duhet punë pasi Mattéo Guendouzi dhe Mohamed Elneny nuk pritet të lëshojnë pe lehtë.

Stoli nëse dështon deri në tetor

Vitin e shkuar ishte lojtari me më shumë ndeshje, por kjo nuk është një garanci për Xhakën se do të vijojë të jetë edhe për këtë sezon. Për më tepër që Arsenali ka ndryshuar trajnerin dhe Emery do të tentojë të ndryshojë frymën dhe filozofinë e skuadrës. Xhaka duhet të tregojë se mund të bëhet lider në mesfushën e Arsenal përndryshe do duhet të hap krahun dhe të ulet në stol, afati është deri në tetor. Beteja për fanellën e titullarit nuk është e vogël te “topçinjtë” dhe për një lojtar si Xhaka, nga i cili pritet shumë dhe duhet të jetë në çdo ndeshje në maksimumin e tij.

https://www.youtube.com/watch?v=UWHd0Od8j2I

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë