Menaxhim

ARRSH, 30 mln lekë për shpronësimet në Porto Romano

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për shpronësimin për interes publik  të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtim rruga Porto Romano – Durrës, loti 3”.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, do të kompensohen në vlerë të plotë, për pasuritë e llojit “Tokë arë” dhe “Truall” me vlerë të përgjithshme prej 27 milionë e 694 mijë lekë.  Vlera e përgjithshme e shpronësimit,  do të përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Shpronësimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, do të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, do të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likujdim, pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, do të nisë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes se gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësive në favor të shtetit për pasuritë e shpronësuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë