Mjedis

Arrihet marrëveshja historike për të mbrojtur oqeanet dhe rekuperimin e natyrës detare

Kombet kanë arritur një marrëveshje historike për të mbrojtur oqeanet e botës pas 10 vitesh negociatash.

“Traktati i Detit të Lirë” vendos 30% të deteve në zona të mbrojtura deri në vitin 2030, duke synuar mbrojtjen dhe rikuperimin e natyrës detare.

Marrëveshja u arrit të shtunën në mbrëmje, pas 38 orësh bisedimesh, në selinë e OKB-së në Nju Jork.

Negociatat ishin shtyrë prej vitesh për mosmarrëveshjet mbi financimin dhe të drejtat e peshkimit.

Marrëveshja e fundit ndërkombëtare për mbrojtjen e oqeanit u nënshkrua 40 vjet më parë në 1982 në Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit.

Ajo marrëveshje krijoi një zonë të quajtur det i hapur ku të gjitha vendet kanë të drejtë të peshkojnë, të transportojnë dhe të bëjnë kërkime por vetëm 1.2% e këtyre ujërave janë të mbrojtura.

Jeta detare jashtë këtyre zonave të mbrojtura ka qenë në rrezik nga ndryshimet klimatike, mbipeshkimi dhe trafiku i anijeve.

Sipas Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) në vlerësimin më të fundit të specieve detare globale, gati 10% u zbuluan se janë në rrezik zhdukjeje.

Këto zona të reja të mbrojtura, të vendosura në traktat, do të vendosin kufizime në sasinë e peshkimit, rrugët e korsive të transportit dhe aktivitetet e eksplorimit si minierat në det të thellë kur mineralet merren nga një shtrat deti 200 metra ose më shumë nën sipërfaqe.

Vendet më të pasura kanë aktualisht burimet dhe fondet për të eksploruar oqeanin e thellë, por vendet më të varfra donin të siguronin që çdo përfitim që ata gjenin të ndahej në mënyrë të barabartë.

Dr Robert Blasiak, studiues i oqeanit në Universitetin e Stokholmit, tha se sfida ishte se askush nuk e di se sa vlejnë burimet e oqeanit dhe si rrjedhim si mund të ndahen ato.

Laura Meller, një aktiviste e oqeaneve për Greenpeace Nordic, lavdëroi vendet që "lanë mënjanë dallimet dhe që dorëzuan një traktat që do të na lejojë të mbrojmë oqeanet, të ndërtojmë elasticitetin tonë ndaj ndryshimeve klimatike dhe të mbrojmë jetën dhe jetesën e miliarda njerëzve”.

“Kjo është një ditë historike për ruajtjen dhe një shenjë se në një botë të ndarë, mbrojtja e natyrës dhe e njerëzve mund të triumfojë mbi gjeopolitikën”, shtoi ajo.

Vendet do të duhet të takohen përsëri për të miratuar zyrtarisht marrëveshjen dhe më pas të kenë shumë punë për të bërë përpara se traktati të mund të zbatohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë