Ka ndodhur

Arrestohet në ish-Bllok vrasësi i 25-vjeçarit në Babicë, armën e groposi në oborrin e banesës (Foto-Video)

Katër ditë pas vrasjes së Xhuljano Bullarit në Babicë të Vlorës, policia ka arrestuar autorin e dyshuar të ngjarjes. Në pranga është vënë Bledar Selmanaj, 39 vjeç, si dhe është sekuestruar arma e krimit tip pistoletë, të cilën ai e kishte groposur në oborrin e banesës së tij.

Sipas policisë, autori i vrasjes së 25-vjeçarit, është arrestuar në zonën e ish-Bllokut në Tiranë në kuadër të operacionit policor “Babica”.

Autori dhe viktima njiheshin edhe më parë, ata kishin shkuar  së bashku nga Tirana drejt Vlorës. Mes tyre dyshohet se ka pasur një konflikt edhe para krimit.

Policia thekson se Selmanaj dyshohet se e ka vrarë të riun për motive të dobëta me armë zjarri, mbrëmjen e datës 20 gusht.

Gjatë kontrollit në banesën e tij në lagjen “15 Tetori”, Vlorë, është gjetur e groposur në oborrin e banesës së tij, një armë zjarri pistoletë me një krehër me 9 fishekë, me të cilën dyshohet se 39-vjeçari ka kryer vrasjen.

Selmanaj është arrestuar edhe më parë për një seri vjedhjesh në Tiranë. Ai u prangos dhe në vitin 2012 si autor i 5 vjedhjeve banesash në kryeqytet dhe në disa qytete të tjerë të vendit, ndërkohë që sendet e vjedhura i shiste në dyqane.

Po ashtu janë sekuestruar edhe disa veshje, të cilat dyshohen se janë përdorur nga autori gjatë vrasjes, si dhe 1 aparat celular.  I riu Xhuliano Bullari u gjet i vdekur nga banorët e zonës mëngjesin e 21 gushtit, rreth orës 07: 35, në aksin Vlorë-Babicë, në një makinë tip 'Fiat Punto' me targa TR 3437 R.

Sipas ekspertizës mjeko ligjore, 25-vjeçari dyshohet se kishte ndërruar jetë rreth orës 21.00 të mbrëmjes së 20 gushtit. Bullari, me origjinë nga Elbasani, u qëllua 3 herë me pistoletë nga krahu i pasagjerit, por një plumb e kapi në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë