Rend dhe Ligj

Arrestohet në pyll Ilir Berberi, organizatori i atentatit në hotelin e Tushemishtit

Arrestohet organizatori dhe tre bashkëpunëtorët e dy sulmeve me armë të ndodhura në një hotel në Tushemisht, ku u qëllua me breshëri plumbash duke dëmtuar 7 makina të parkuara dhe xhamat e hotelit. Në pranga kanë rënë organizatori llir Berberi, 52 vjeç, banues në Pogradec (me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër personit, pronës dhe sigurisë publike); Ilir Meçolli, 29 vjeç, Ardian Xhuti, 29 vjeç, banues në Zvezdë, Maliq dhe Elvir Haxhia, 32 vjeç, banues në Pojan, Maliq (i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”). Gjatë arrestimit Berberi kishte me vete një armë zjarri tip pistoletë dhe 59 fishekë që i posedonte pa leje.

Ndaj shtetasit Ilir Berberi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja për të mos kallëzuar”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Prishja e qetësisë publike” kryer në bashkëpunim”, për ngjarjen e ndodhur më datë 10.02.2020, në lagjen nr. 3 përpara Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, ku në bashkëpunim me shtetas të tjerë 52-vjeçari ka kanosur pronarin e hotelit për të mos dëshmuar në një seancë gjyqësore, si edhe kanë kundërshtuar punonjësit e policisë dhe IEVP gjatë kryerjes së detyrës.

Kush është Ilir Berberi?

Ilir Berberi është një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe një emër i njohur për policinë, ku ka qenë i hetuar dhe dënuar për vepra të ndryshme kriminale.

Ai ka qenë i dënuar për vjedhje, gjobëvënie dhe armëmbajtje pa leje. Po kështu, ai është hetuar edhe për disa ngjarje të rënda kriminale, si vrasja e shefit të komisariatit të Pogradecit, Agron Gjyrezit. Ai u arrestua në pyll, ku kishte ngritur një cadër.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë