Rend dhe Ligj

Arrestohet administratori i plazhit ku u mbytën babai dhe dy djemtë e tij të mitur

Gazeta Si - Një ditë pas ngjarjes tragjike një ditë më parë, ku në plazhin e Vilë-Bashtovës në Rrogozhinë u mbytën babai dhe dy djemtë e tij të mitur, 13 dhe 15 vjeç, është arrestuar një person.

Ai është një 34 vjeçar nga Tirana, administratori i operatorit turistik që kishte marrë me qira nga Bashkia e Rrogozhinës atë pjesë plazhi në Vilë-Bashtovë ku ndodhi kjo ngjarje e rëndë.

Sipas policisë, i riu nuk ka plotësuar kushtet e sigurisë sipas kontratës të lidhur mes operatorit ekonomik dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit (kontratë e miratuar nga Ministria e Turizmit).

“Policia e Shtetit apelon për të gjithë operatorët që kanë përfituar kontrata shërbimi përgjatë vijës bregdetare, që të ushtrojnë aktivitetin në përmbushje të detyrimeve për sigurinë e jetës së pushuesve dhe të marrin masa të menjëhershme për të përmirësuar edhe më shumë kushtet e sigurisë, pasi Policia e Shtetit nuk do të tolerojë në asnjë rast, shkelje të tilla që cenojnë sigurinë dhe jetën e pushuesve në plazhe”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tre të mbyturit në Vilë-Bashtovë u nxorën nga deti me kajak nga një person që punonte në plazh.

Dëshmitarët nga vendi i ngjarjes treguan se panë një burrë që kishte ngritur duart dhe kërkonte ndihmë.

Por asnjë nga pushuesit nuk u fut në det, sepse kishin frikë nga dallgët e mëdha dhe aty mungonin vrojtuesit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë