Drejtësia

Arrestimi i ish-drejtorit të RTSH / Thoma Gëllçi shpalli procedurën e tenderit para miratimit nga AMA dhe bordi

Detaje të reja kanë dalë në dritë për arrestimin e ish-drejtorit të Radio Televizionit Shqiptar, Thoma Gëllçi.

Sipas SPAK, Gëllçi ka shpallur procedurën e tenderit përpara se të merrte miratimin nga AMA dhe Bordi për hapjen e kanalit TVSH AGRO.

Në tenderin për blerjen e pajisjeve si kamera dhe tjera, kanë qenë dy kompani EURO Contact dhe TBS 96.

Anëtarët e KVO kanë shpallur TBS 96 fituese edhe pse kishte ofertë 20 mln më të lartë. Të dyja kompanitë kanë pasur parregullsi në dokumentacion dhe duheshin skualifikuar.

Një ditë më parë me urdhër të SPSAK u arrestua ish-drejtori i RTSH-së Thoma Gëllçi dhe 3 bashkëpunëtorë të tij.

Së bashku me Gëllçin në pranga kanë rënë edhe 3 anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Ervin Muraj, Alban Malaveci dhe Julian Tapia.

Këshilli i ri Drejtues i Radio Televizionit Publik Shqiptar liroi në maj të këtij viti nga detyra drejtorin e Përgjithshëm të RTSH-së, Thoma Gëllçi, pasi i mbaroi mandati i qëndrimit në detyrë. Këshilli Drejtuesi i RTSH votoi me 8 vota pro shkarkimit të  Thoma Gëllçit, dhe miratoi që drejtimi t’i kalojë zv.drejtorit Martin Leka.

Thoma Gëllçi ka studiuar për Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës, në periudhën 1980-1984.

Nga viti 1985 deri më 1992, ai punoi si gazetar dhe redaktor i kulturës në gazetën Zëri i Popullit, organ zyrtar i Partisë së Punës së Shqipërisë dhe pas vitit 1991, i Partisë Socialiste.

Në periudhën 1992-1996, ai ishte kryeredaktori i gazetës Zëri i Popullit, gjatë kohës kur Partia Socialiste ishte në opozitë.

Gëllçi shërbeu si zëdhënës i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar me Kryeministër Bashkim Fino gjatë periudhës mars-qershor 1997.

Me ardhjen në pushtet të socialistëve, ai ishte zëdhënës dhe drejtues i zyrës së informacionit të kryeministrave socialistë: i Kryeministrit Fatos Nano më 1997-1998, i Kryeministrit Meta më 1999-2002 dhe sërish i Kryeministrit Nano më 2002 deri më 2005.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë