Drejtësia

Korrupsion në tendera, SPAK arreston ish-drejtorin e RTSH-së Thoma Gëllçi dhe 3 punonjës

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK) arreston ish-drejtorin e RTSH-së, Thoma Gëllçi dhe 3 punonjës të tjerë të televizionit për korrupsion në tendera.

Bëhet fjalë për tenderin e blerjeve të pajisjeve të kanalit RTSH Agro. Së bashku me Gëllçin në pranga kanë rënë edhe 3 anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, J.T., A.M. dhe E.M.

"Për këtë arsye, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, paraqiti në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për caktimin e masave të sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj shtetasve nën hetim J.T., A.M., E.M. dhe Th.G. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.79 datë 07.10.202, vendosi: “Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.

Vendosjen e masës të sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj shtetasit nën hetim Th.G., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimit i detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Vendosjen e masave të sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj shtetasve nën hetim J.T., A.M. dhe E.M., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021) dhe 25 të Kodit Penal", thuhet në njoftimin e SPAK.
Ky vendim është ekzekutuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë