Mendim

Armiku ka hyrë në shtëpi, ne e sfidojmë në kafe!!!

Sabina Veizaj- E kush do të mund të kishte fuqinë ta parashikonte se një luftë e tretë e mundshme botërore do të vinte në një mënyrë të atillë që do të të ndalonte manifestimin e dashurisë fizike; puthje, përqafime, biseda të afërta më pak se 1m  me njerëzit e shtrenjtë e të dashur.

Një luftë kundër dashurisë, vdekja e dashurisë me detyrim në kulmin e epokës së materializmit.

Luftë e quajti kryeministri Edi Rama virusin e ri Korona, në mbledhjen e djeshme të qeverisë (të martën) duke bërë thirrje për përgjegjshmëri e duke këshilluar që të gjithë që munden të qëndrojnë në shtëpi e të ruajnë distancën nga njëri-tjetri të paktën 1 metër.

Në Shqipëri sapo u shënua viktima e parë prej Koronavirusit, Italia pritet të ashpërsojë masat duke bllokuar gjithçka. Aty çdo ditë numërohen mbi 1500 raste të reja infektimi dhe repartet e terapisë intensive “mezi po frymëmarrin” duke deklaruar se trajtimet do të nisin të bëhen selektive sipas moshës, ish kryeministri Salvini kërkon që gjithë Europa të konsiderohet zonë e kuqe e kancelarja gjermane Angela Merkel deklaron se 70% e gjermanëve mund të infektohen nga virusi Korona.

Në këto kushte, pasi u zyrtarizuan edhe rastet e para me koronavirus në vend, qeveria vendosi masat e para që përhapja e virusit të ri të mos marrë përmasa të pakontrollueshme në vend.

Por sot në kryeyqytet nuk ndihej në ajër as panik, as frikë kolektive.

Ajo që vërehej ishte se një pjesë e subjekteve të shërbimit si publike dhe private ishin gdhirë nën masa higjene më të shtrënguara; dezinfektim, dorashka e maska, ruajtje distance mes njerëzve.

Disa biznese në rrugën “Myslym Shyri” kanë vendosur të zbatojnë “karantinëm personale”duke u vënë drynin dyqnaeve, në sheshin “Skënderbei” ka më pak lëvizje se zakonisht.

Në njësinë bashkiake numër 13 sapo mbërrije në derë të kutërbonte aroma e dezinfektantëve dhe vëreje gjithkë me doreza dhe maska. Disa syresh duke dezinfektuar tavolinën e punës dhe duart.

“Po respektojmë rregullat e shpërndara duke mos u mohuar shërbinmin qytetarëve. Të mendojmë për vete dhe për të tjerët. Ne kemi një të mirë se sportelet e shërbimit i kemi me xham dhe nuk ka kontakt të drejtpërdrejtë mes punonjësit dhe qytetarit. Njerëzit i lëmë të presin jashtë dhe po i fusim me radhë duke respktuar distanacat”- shprehet Ardita Doçi administratorja e Njësisë nr 13-të.

Ardita Doçi

Të njëjtën gjë vëren edhe tek pikat e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektirke. Madje aty masat janë më të rrepta, ashtu si në filialet e Postës Shqiptare. Nuk mund të hysh nëse nuk të lejon roja dhe duhet të presësh në distancë 1 m nga personat e tjerë.

Edhe në banka e njëjta gjë. Po ashtu edhe në supermarket dhe kioska.

“Unë I kam blerë vetë dorashkat dhe maskat. Ka një problem që dorashkat bëhen shpejt pis nga lekët. I mora vetë masat sepse mendoj për vete dhe të tjerët” – shprehet një shitëse në një kioskë në kryeyqtet.

Shqetësimi i vetëm aktual mbeten kafenetë.

Në një distancë kohore 40 minuta prej ‘Kodrës së Diellit” deri në qendër në çdo bar-kafe nuk vëreje asnjë masë të marrë përsa i përket uljes së numrit të tavolinave dhe distancimit të njerëzve mbi 1 m në tavolinë.

Disa bare për arsye të caktuara ishin të mbyllura, të tjera më pak të frekuentuara, por ato bar-kafene të mbifrekuentuara si zakonisht nuk kishin marrë asnjë masë mbrojtëse për të parandaluar përhapjen e virusit të ri duke zbatuar vendimin e qeverisë.

Askush nuk ka vënë panikun prej qeverisë, institucioneve kopetente, por faktet dhe realiteti bërtasin.

Në një kohë kur informacioni të vjen me të njëjtën shpejtësi që përhapet Koronavirusi, nuk mund të bëjmë “trimin me fletë”.

Është një situatë e atillë ku vihet në sprovë përgjegjshmëria kolektive dhe jo egoizmi i mirë individual.

Specialistët e shëndetësisë vendas dhe të huaj, qeveria me masat që po ndërmerr hap pas hapi, po na bërtasin me kujdes si një fëmije të brishtë që “jini të përgjegjshëm, për vete dhe ata që doni! Ky është një armik i padukshëm dhe është si të luftosh me mullinjtë e erës, prandaj rrisni vigjilencën dhe kujdesin! Qëndroni në shtëpi! Mos snoboni rregullat! Po na luhet shëndeti dhe e ardhmja. Na ndan një teh i hollë nga situatë katastrofe nëse nuk ndërgjegjësohemi për vërtetësinë e situatës.

Nuk ka patur ndonjëherë një situatë të tillë brishtësie të kësaj forme, situatë lutjeje e përulësie me fjalë sepse dashuria edhe në shtëpi na është mohuar nga armiku i padukshëm.

Është një situatë sprove dhe dashurie ndaj vetes dhe atyre që duam. Nëse nuk kemi ditur si të duam deri më tani, është momenti ta mësojmë dhe ta demonstrojmë.

Ta duam më shumë njëri-tjetrin duke I qëndruar larg.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë