Libra

Arian Leka, në kërkim të këmishës së humbur

Dhe ja ku dashur pa dashur e hoqa një vijë dalluese mes europianit human dhe ballkanasit gjakësor. Ngecëm, kur ruleta e ndaloi rrotullimin. Kë zemëron më shumë kjo ndarje: europianët skeptikë apo ballkanasit që ëndërrojnë? Shtëpi e përbashkët, por secili në dhomën e vet…Kështu shkruan Arian Leka në esenë e tij “Të shpiket ballkanasi siç shpiket një armë”, pjesë e librit që erdhi i botuar para pak ditësh nën titullin “Në kërkim të Këmishës së humbur” nga Botimet POETEKA. Një libër me 10 ese mbi vendin e çuditshëm pas Perdes së Hekurt.
Vend qendror në libër zë e kaluara, dëshmitë dhe interpretimet mbi ndodhitë e saj, dështimet e atyre që sunduan shtetin, kompromiset dhe komprometimi edhe më shqetësues i tjerëve që drejtuan mënyrë të kontrolluar tranzicionin shqiptar pas rënies së Murit të Berlinit deri më sot.

Tekstet kushtuar Shqipërisë dhe Durrësit në veçanti, vendosin nyje të forta lidhëse mes historisë socialiste dhe simboleve detare të vendit e të vendlindjes, si pjesë e një sfondi më të gjerë marrëdhëniesh me Europën Perëndimore – Fake Europa dhe Ballkanin – Armiqësor. Marrëdhënia komplekse mes dy kinse qytetërimeve të dallueshme, ai europian dhe ai ballkanas, që kthehet herë pas here në debate intelektuale, por edhe të politikës së madhe, ku Ballkani Perëndimor mbetet pikë e nxehtë dhe kritike në përqafimin e familjes së madhe të Bashkimit Europian, kanë qenë prej kohësh shqetësim i shkrimtarit, i cili i ka trajtuar përmes letërsisë së tij.
I sjell edhe në këtë libër eseistik në tituj si “Perëndimi artificial dhe fake-Europa”, “Europiani sheh ëndrra me ballkanas”, “Ballkanasi konkuron për the Best Crime Movie of…” apo “Përrallë ballkanase për europianët e rinj”.

“Ballkanasi në Lindje. Europiani në Perëndim. Ballkanasit komunistë. Europianët kapitalistë. Ballkanasit në mishmashin e tyre të besimeve fetare, të cilët të premteve shkojnë në xhami e të dielave në meshë, ngatërruar mes gjuhësh dhe bindjesh politike. Europianët të ndarë në katolikë, protestantë, ortodoksë. Ballkanasi i fshehur pas perdes së hekurt. Europiani i rrethuar me kurorat plastike të integrimi, diversitetit, eurocentrizmit dhe unifikimit të hapësirës, kufijve, monedhës së përbashkët, por pa simbole shtetesh”, shkruan Leka tek “Ballkanasi shpiket siç shpiket një armë”. Ai ofron një tablo historike, duke mos u ndalur vetëm në trajtimin e përciptë të shqetësimeve të bashkëkohësisë, ndërsa sjell një tablo të gjerë dhe shteruese për lexuesin, të cilit autori i lë të drejtën e të mos qenit dakord, por assesi të dyshimit së ngjarjet që trajtohen apo fenomenet janë bash ashtu.

“Vërtet je aq naiv sa të besosh se mirëqenia apo harresa janë shkaqet që e bëjnë europianin ironik të shprehet se urrejtja është një specialitet ekskluziv ballkanas dhe se ballkanasi ka monopolin e barbarisë?”, pyet Leka lexuesin, edhe atë të huaj, i cili ka pasur mundësi t’i lexojë esetë e Lekës në disa prej gjuhëve europiane. Eseja “Në kërkim të këmishës së humbur” nga ka marrë titullin edhe ky libër u botua fillimisht në gjuhën gjermane. “Duhet të pajtohem me Hermann von Keyserling-un, kur përmend se edhe sikur të mos ekzistonte, europianët do e shpikin Ballkanin, siç shpiket një armë e vërtetë apo plastike. Dhe pavarësisht se e nënçmojnë, e dokëndisin dhe e manipulojnë, paçka se e pengojnë, e ndërsejnë dhe e përqeshin, njëlloj si atë çupëlinën që e zbuloi shampanjën vonë dhe që stridhet i ha me gjithë guaskë, t’ua heqësh europianëve Ballkanin nga duart është si t’ia rrëmbesh fëmijës lidrën e dashur teksa ëndërron”, shkruan Leka.

Bashkë me mjetet e tjera rrëfimore, Arian Leka shfrytëzon edhe mundësitë e teknikave fact-fiction e patchwork, duke përdorur Kujtesën dhe mbulojën e fiksionit dokumentar si një tejqyrë që afron e largon, zmadhon e zvogëlon në mënyrë të beftë hapësirën mes historive vetjake të autorit dhe historisë së Shqipërisë gjatë viteve të komunizmit.Marrëzia dhe banaliteti i së djeshmes bën të dukshme rrëfime drithëruese të një realiteti të zhdukur, që vazhdon të rikthehet, si për të na kujtuar jo thjesht historinë e dhimbshme të një diktature absurde në zemër të demokracive të konsoliduara europiane, por edhe paradokset e peizazheve të sotme shqiptare që, në vend t’i rrafshonte dyshimet mbi të shkuarën, shtoi dilemat mbi atë çka ndodh para syve tanë.


“Një ditë Europa mbërriti, sidoqoftë. Por gjatë kohës që Europa mungoi, gjatë periudhës së gjatë kur Shqipëria ruajti fare pak dhe vetëm simbolikisht marrëdhënie me Perëndimin, shteti komunist u kujdes dhe mund të thuhet se edhe ia doli, të krijonte përshtypjen se nuk kishim mbetur pa Europë. Përkundrazi! Ne shqiptarët kishin privilegjin të takonim pjesën më të zgjedhur të evropianëve”, shkruan Leka në një tjetër ese, titulluar “Perëndimi artificial dhe Fake-Europa”. “Nuk u desh shumë kohë ta marrë vesh se turistët “perëndimorë” që mbërritën asokohe në Shqipëri nuk ishin Perëndimi i vërtetë. Ata jetonin në Perëndim, por Perëndimi nuk përfaqësohej prej tyre. Megjithëse harresa ka bërë punën e vet gërryese, duhet të ketë qenë jo pak zhgënjyes çasti kur të gjithë e morën vesh se “turistët tanë” të parë nuk kishin qenë thjesht turistë në punë të tyre”, shkruan ai duke iu referuar të rinjve me bindje marksist-leniniste, që mbërrinin në Shqipërinë komuniste, si në një destinacion turizmi ideologjik. “Nëse të tjerët erdhën, u përgatitën dhe ikën pa e kthyer kokën pas, grupet e të rinjve marksistë nga Perëndimi mbërritën për të na gënjyer, për të zgjatur agoninë tonë, duke na thënë se edhe pse të izoluar, ne ishim në rrugë të drejtë, më të mirët qëndresëtarë mes dallgëve të historisë, të cilëve u ishte paracaktuar misioni i madh i shpëtimit të botës: ne, Mesia ideologjik i kombeve!” Edhe sot, thotë Leka, e shohim Europën nga e njëjta vrimë çelësi si dikur. “Ndërkohë, europianët e vizitojnë së fundmi gjithmonë e më shumë Shqipërinë – Parajsën turistike, ku e vërteta zhvleftësohet, harresa bren historinë dhe lotët pësojnë rënie në bursë, siç shkruan poeti polak Tadeusz Rozewicz.”

Syri qëmtues i Lekës nuk vëzhgon vetëm masën gri, por edhe mbijetesën e gjendjes multikulturore mes shkretimit. Në librin “Në kërkim të këmishës së humbur”, lexuesi do ta gjejë veten si brenda një varke që lëkundet nga valët e së shkuarës dhe së tashmes në tranzicioni, mes Ballkanit dhe Europës, mes problemeve të letërsisë po aq sa edhe të teatrit, mes nostalgjisë së fëmijërisë aq sa edhe shqetësimeve për të ardhmen, mes detit dhe izolimit…I ndarë në dhjetë kapituj si “Nevoja për të shpikur” , “Gjithë fajin e ka shkrimtari” , “Në kërkim të këmishës së humbur”, “Zhdukja e tjetrit nga harta meteorologjike”, “Teatri si formë ndëshkimi” , “Bakër Spaçi për antena dhe pushkë erotike”, Shkrimtari i angazhuar” , Monopoli i Barbarisë”, “Luftë e ftohtë në Bibliotekë”, “Provincë autonome – letërsia fason”, lexuesi prezantohet jo vetëm me disa prej shqetësimeve sensitive, por edhe me historinë e vonë, që shumë prej nesh e mbajnë mend, por Leka e gërric më thellë, me shtjellimet socio-filozofike, që e bëjnë më të dallueshme gjurmën që sistemet totalitare, populizmi apo autoritarizmi lënë mbi njeriun, duke ia shndërruar në pengesa mundësitë, veçse jo më për poezinë dhe artin, por për jetën e qytetarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë