Futboll

Argjentina (thuajse) e eleminuar! Messi hije e vetvetes, Sampaoli katranos gjithçka

Mediat argjentinase u munduan të karikojnë skuadrën e tyre duke kërkuar që ndeshja ndaj Kroacisë të luhej si një finale, e nëse ishte një finale, atëherë ajo u humb. Lotët e finales së humbur në 2014 ndaj Gjermanisë u rikthyen shumë më shpejt në sytë e argjentinasve këtë Botëror.

Kroacia shkatërroi 3-0 skuadrën e Jorge Sampaolit, që në gjithë këtë dramë është njeriu që mban më shumë përgjegjësi. Ndaj Kroacisë ai hodhi në fushë një skuadër ndryshe nga ajo me Islandën. Ishin tre ndryshime nga skuadra që luajti në atë barazim 1-1 me Islandën dhe Di Maria ishte emri i madh i lënë në stol.

Në portë, Sampaoli kishte futur Caballeron, që gjatë sezonit nuk ka luajtur thuajse asnjë minutë me Chelsea-n, madje konsiderohet si portier i tretë tek “Blutë” e Londrës. Caballero nuk la gjurmë për mirë, madje as nuk ishte një portier normal në fushë dhe ishte pikërisht ai që gaboi në golin e parë, kur i dhuroi një asist kroatit Rebiç, që nuk e fali.

Rebiç në momentin e realizimit të golit të parë

Rebiç ishte zgjedhur nga trajneri Zlatko Daliç për të zënë vendin e Kramariç në fushë, një zgjedhje që rezultoi e suksesshme, megjithëse lojtari flirtoi disa herë me kartonin e kuq në pjesën e parë.

Me disavantazhin e një goli, Sampaoli vendosi të hedhë në fushë Dybalan dhe Higuain, por edhe Salvion. Tre ndryshimet nuk sollën as golin dhe as qartësinë në lojën e amerikano-latinëve, përkundrazi, ata humbasin toruan dhe në prapavijë shndërrohen në amatorë.

Por, nëse golin e parë e dhuroi Caballero, të dytin kroatët e gjetën falë magjisë së këmbëve të Modriç. Mesfushori i Realit, që mban edhe shiritin e kapitenit në Kombëtaren e tij goditi bukur me të djathtën duke kaluar për herë të dytë topin pas shpinës së Caballeros.

Modriç shënon golin e dytë për kroatët

E sërish, nëse goli i parë i tronditi, i dyti e shndërroi Argjentinën në një skuadër që vetëm shëtiste fanelën në fushë. Messi ishte hija e vetvetes, ndërsa përpjekjet e Dybalas dhe Higuain ishte të vobekta dhe pa asnjë rrezik për kroatët, falë edhe mbylljes së mirë të tyre në mesfushë dhe mbrojtje.

Minutat shtesë ishin vetëm katër, por mjaftuan që Kroacia të gjente golin e tretë. Ishte Rakitiç e shtyu topin në rrjetë pa shumë vështirësi, pasi argjentinasit u zunë në befasi në një kundërsulm të ballkanasve dhe jo vetëm kaq, por mbrojtësit në aksion e sipër u dorëzuan dhe ngritën duart lart në kërkim të një pozicioni jashtë loje të Kovaçiç. Gabimi u kushtoi rëndë.

Rakitiç shtyn në rrjetë topin për golin e tretë në minutat e fundit të ndeshjes

Fërshëllima përfundimtare shihte në tabelë 3 gola për ballkanasit dhe zero për Argjentinën, shpresat e së cilës nuk janë shuar ende plotësisht, por jo gjithçka varet më prej tyre. Nëse Islanda fiton të premten ndaj Nigerisë, Argjentina do të varte shpresat krejtësisht tek Kroacia, që të mposhtë nordikët në ndeshjen e fundit.

Nëse Nigeria fiton, atëherë Argjentinës do t’i duhet të fitojë vetë ndaj afrikanëve në ndeshjen e fundit dhe të shpresojnë që në mos fitoren, Kroacia t’i marrë të paktën një pikë Islandës në ndeshjen e fundit.

Të gjithë skenarët e mundshëm për Messin me shokët kërkojnë një kombinim rezultatesh me ndeshjen e fundit të Kroacisë, e cila nga ana saj siguroi kualifikimin, duke iu bashkuar Rusisë, Uruguajit dhe Francës.

Sampaoli, fajtori i madh

Kur Argjentina shpalli listën me 23 lojtarët e besuar të Sampaolit të thërritur për fushatën e Botërorit në Rusi, kritikat nuk ishin të pakta. Mes shumë emrave, që trajneri u kritikua për mosgrumbullimin njëri ishte ai që e vuri në qendër; Icardi.

Trajneri argjentinas, Jorge Sampaoli udhëzon të tijtë gjtë ndeshjes kundër Kroacisë

Sulmuesi i Interit mbylli një sezon fantastik me zikaltërit duke u shpallur golashënues i Serisë A dhe duke njohur karakteristikat e tij si një lojtar zone dhe i fuqishëm fizikisht, shumë u habitën për zgjedhjen e bërë nga trajneri.

Në media qarkulluan lajme se ai që “dëboi” Icardin nga Argjentina në të vërtetë ishte Lionel Messi. Mes Messit dhe Icardit dihet botërisht që marrëdhëniet nuk janë aspak të mira. I pyetur për këtë, Sampaoli la të kuptohej se Icardi nuk ishte lojtar grupi, madje e përçante atë.

Zgjedhja u mirëkuptua deri diku, por kritikat vërshuan më shumë pas ndeshjes së parë me Islandën, ku as Messi dhe as Di Maria nuk arritën që të çanin murin mbrojtës të vikingëve. Nëse në ndeshjen e parë përgjegjësia e Sampaolit ishte 50 për qind, në takimin ndaj Kroacisë ai është fajtori që duhet të marrë i pari barrën e eleminimit të mundshëm të Argjentinës.

Zgjedhjet e çuditshme të tij do të ishin mirëpritur nëse në fushë do të prodhonin rezultate, por në çdo repart, të besuarit e tij e katranosën si mos më keq. Në portë, Sampaoli kishte zgjedhur Caballeron, që të vetëm gjurmë që la ishte ajo pasa parabolë për kroatin Rebiç e nuk e fali.

Gabimet vazhduan në mbrojtje. Sampaoli kishte zgjedhur një rreshtim tresh në prapavijë me Tagliafico, Mercadon dhe Otamendin në qendër, duke lënë në stol një lojtar si Federico Fazio, mbrojtësi shtatlartë, që mbërrinte në Kombëtare pas një sezoni fantastik me Romën në Itali. Otamendi nga ana tjetër asnjëherë nuk ka bindur, si tek Manchester City, ashtu edhe me Kombëtaren dhe e provoi ndaj Kroacisë këtë të enjte.

Një tjetër zgjedhje e gabuar e Sampaolit ishte edhe mbipopullimi i mesfushës me pesë lojtarë. Objektivi me siguri ka qenë neutralizimi i kundërshtarit që aty dhe kombinimi me pasa të shpejta dhe nisja e Messit drejt zonës me topin në këmbë, por as e para dhe as e dyta nuk ndodhi. Argjentina ishte një skuadër e çorientuar dhe pa ide në mesfushë.

Në sulm, Aguero ishte i izoluar nga pjesa tjetër dhe Messi që duhet ta mbështeste nuk e realizoi asnjëherë këtë mision. Auguero me të drejtë u zëvendësua me Higuain pa u mbyllur takimit, por asgjë nuk ndryshoi në lojën e argjentinasve, që problemin më të madh pas dy golave të pasuar nuk e kishin me rreshtimin, as me emrat që kishte në fushë, por me goditjen psikologjike që kishte pësuar.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë