Futboll

“Arenës” i rrëshket sërish Superkupa! FSHF: Do të rikandidojmë

“Arena Kombëtare” nuk ka përfunduar ende, por ritmet e punimeve janë të kënaqshme dhe sipas parashikimeve të Federatës Shqiptare të Futbollit, shtëpia e re e “Kuqezinjëve” do të jetë gati në vitin 2019.

E për të promovuar së më mirë këtë stadium, FSHF e kishte propozuar mes kanditatëve që u paraqitën në UEFA për organizimin e Superkupës së Europës në vitin 2020.

Por, pas votimit, “Arena” nuk ka shkuar dot më shumë se vendi i tretë, ndërsa finalja e kësaj Superkupe do të luhet në “Estadio do Dragao” të Portos në Portugali.

Kjo ishte hera e dytë që Shqipëria kërkonte organizimin e një Superkupe të Europës, ku përplasen dy skuadra, fituesja e Champions League dhe ajo e Europa League.

Ndërkohë, finalja e Champions Leagues do të luhet në Stamboll, në stadiumin e rikonstruktuar ‘Ataturk’, i njëjti ku u luajt edhe finalja e famshme Milan-Liverpool. Polonia do të presë finalen e Europa Leagues, në stadiumin e Gdanskut, ‘Arena Gdansk’, që gjithashtu është rikonstruktuar së fundmi.

Pas publikimit të fituesve ka reaguar edhe Federata Shqiptare e Futbollit, duke thënë se këtë herë ‘Arena kombëtare’ ishte renditur e treta sipas sistemit të pikëzimit, por pa arritur të fitojë të drejtën e pritjes së këtij eventi. FSHF thekson se ashtu si për Superkupën e 2019-ës, edhe këtë herë garoi me një projekt, pasi stadiumi është ende në ndërtim e sipër.

Nga ana tjetër, me ‘Arenën Kombëtare’ që pritet të përfundojë së shpejti, Federata shprehet se vitin e ardhshëm do të aplikojë sërish, për Superkupën e vitit 2021, këtë herë me një stadium të përfunduar dhe të inauguruar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë