Nga Gazeta ‘Si’- Arabia Saudite i është bashkuar Shteteve të Bashkuara në një seri sulmesh ajrore kundër një milicie të mbështetur nga Irani në Irak, duke shënuar një përshkallëzim të ri të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Komanda Qendrore e SHBA-ve (CENTCOM) bëri të ditur se sulmet kishin në shënjestër “terroristë të lidhur me Iranin, të drejtuar nga Garda Revolucionare Islamike (IRGC), të cilët kanë kryer sulme ndaj forcave amerikane dhe infrastrukturës energjetike saudite”.
Megjithëse CENTCOM nuk e identifikoi grupin e goditur, Forcat e Mobilizimit Popullor (PMF), një organizatë që përfshin disa milici pro-iraniane në Irak, njoftuan se të paktën 10 anëtarë të tyre u vranë nga sulmet.
Operacioni vjen menjëherë pasi Irani lëshoi disa raketa balistike ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme.
Sipas SHBA-ve, sulmi kishte në shënjestër një bazë amerikane në Jordani, por të gjitha raketat u interceptuan me sukses. Nga ana tjetër, Teherani konfirmoi se kishte goditur bazën amerikane.
Garda Revolucionare Islamike iraniane deklaroi gjithashtu se kishte goditur tre cisterna nafte në Ngushticën e Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme për transportin global të energjisë.
Sipas CENTCOM-it, avionët luftarakë amerikanë dhe sauditë goditën disa depo armësh dhe qendra logjistike në Irakun lindor, në përgjigje të më shumë se 30 sulmeve me dronë të drejtuara nga IRGC gjatë 72 orëve të fundit. Komanda amerikane paralajmëroi se Irani dhe grupet e tij aleate duhet t’i ndërpresin sulmet për të shmangur reagime të tjera ushtarake.
Forcat e Mobilizimit Popullor i cilësuan sulmet amerikano-saudite si një “përshkallëzim të rrezikshëm” dhe shkelje të sovranitetit të Irakut.
Edhe Arabia Saudite raportoi se kishte rrëzuar disa dronë që synonin objektet e saj të naftës në lindje të vendit. Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes saudite, gjeneralmajor Turki al-Maliki, tha se dronët ishin lëshuar nga milici të lidhura me Iranin nga territori irakian.
Përshkallëzimi i ri vjen vetëm dy ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se mes Washingtonit dhe Teheranit po zhvilloheshin “negociata shumë miqësore”.
Përpara këtij raundi sulmesh, të dyja palët kishin kaluar tre ditë pa shkëmbyer goditje ushtarake, pas 13 netëve radhazi bombardimesh amerikane ndaj objektivave në Iran.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes mes palëve, ndërsa Irani vazhdon të mohojë se po zhvillon negociata me SHBA-në.
Përshkallëzimi i tensioneve ndikoi menjëherë edhe në tregjet ndërkombëtare të energjisë. Çmimi i naftës Brent u rrit me 4.3%, duke arritur në 87.70 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane u rrit me 4.2%, në 82.62 dollarë për fuçi, për shkak të shqetësimeve se konflikti mund të pengojë furnizimin përmes Ngushticës së Hormuzit.
Sulmet përkuan edhe me vizitën e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Uashington, ku ai u takua me presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë. Sipas të dhënave të fundit të Pentagonit, të paktën 624 ushtarakë amerikanë janë plagosur që nga fillimi i operacioneve ushtarake kundër Iranit në muajin shkurt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje