Futboll

Apeli i Gegës: Të thyejmë tabunë e 20-vjeçarëve, si në kohën tonë!

Java e 5-të e kampionatit të Superiores rezervon disa përplasje mjaft interesante, ku veçohen Partizani-Flamurtari dhe Skënderbeu-Tirana. E para çel këtë javë dhe në kampin e kuq ndihen gati. Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, i cili ka dalë në një konferencë shtypi bashkë me mesfushorin Esat Mala, ka komentuar këtë sfidë, gjendjen e ekipit, politikën e klubit për t’u mbështetur te të rinjtë dhe kthimin e tifozëve.

“Ndeshja me Flamurtarin është komplet ndryshe. Ata duan ta kalojnë atë moment dhe në Tiranë do të vijnë të marrin maksimumin. Jemi përgatitur, e dimë forcën e Flamurtarit dhe besoj se është ekip shumë i mirë, por e dimë edhe forcën tonë dhe kemi qëllim vetëm fitoren. Jemi në progres dhe po punohet në të gjitha drejtimet. Nga ana fizike jemi shumë mirë, ndërsa ngacmimet e vogla që ndodhin në çdo stërvitje, te Partizani bëjnë më tepër lajm. Do të jemi të plotë. E kam shpjeguar pozicionin e Hebajt dhe kontributin e tij, nuk mund të jetë i veçuar nga ekipi. Është 20 vjeç dhe jam i sigurt që do të rritet. Në futbollin e sotëm mendoj se në mesfushë e sipër duhet të jenë të gjithë në gjendje të shënojnë, shpresojmë ta bëjnë me Flamurtarin”, - tha trajneri i të kuqeve, duke shpjeguar problematikën e sulmit.

Trajneri Skënder Gega dhe mesfushori Esat Mala në konferencë shtypi

Më tej, trajneri i Partizanit ka folur për rikthimin e tifozëve: “Për ne është gjë e madhe. Kemi disa ndeshje pa tifozë, ndërkohë që Partizani nga natyra është i lidhur ngushtë me tifozët. Janë shtytje e madhe për ne dhe na karikojnë që t’i kënaqim ata. Shpresoj t’ia arrijmë qëllimit. Partizani po konsolidohet në logjikë dhe koncept. Kemi mundësi të bëjmë më shumë, duke nisur nga ndeshja me Flamurtarin”.

Gega është ndalur më gjatë te konkurrenca në ekip dhe dëshira e tij për të punuar me lojtarë të rinj, madje për këtë temë ka edhe një apel: t’u besohet më shumë 20-vjeçarëve. “Kemi futur në lojë atë grup që ka qenë në gjendje optimale. Çdo ndeshje ka specifikat e veta dhe jemi përgatitur gjatë javës që ndaj Flamurtarit të bëjmë më të mirën, duke studiuar dhe detajet. Konkurrenca është e madhe dhe besoj se do të luajë ai që e meriton. Kampionati është i gjatë dhe lojtarë duhet të kenë durim. Secili që është afruar këtu e meriton. Është një investim nga klubi dhe për këtë të gjithë të jemi të ndërgjegjshëm.

Disa nga lojtarët e rinj të Partizanit

Personalisht, dëshiroj të punoj me djem të rinj, sepse një 20-vjeçar në futboll nuk është shumë i ri. Duhet ta thyejmë tabunë e 20-vjeçarëve, t’u besojmë më tepër. Kam marrë edhe nga ekipi i dytë apo i të rinjve 5-6 lojtarë që të stërviten me ne. Nuk kam asnjë problem nga mosha e lojtarit për ta aktivizuar. Partizani është stemë dhe fanellë e madhe. Vendimi për të afruar 20-vjeçarët është për t’u dhënë mundësinë të krijojnë një ide mbi klubin në një kohë të shkurtër. Dua që këtyre lojtarëve t’u jepet mundësia, siç na është dhënë në kohën tonë. Grupi është premtues, ndaj i kam afruar këta të rinj. Dera është e hapur për të gjithë dhe Partizani është një klub, ku të rinjtë mund të rriten.

Kur humbet, krijohet presion, një alarm i vogël, por varet sa një klub është në gjendje ta mbajë atë. Me klubin bashkëpunimi është i ngushtë dhe mbahet një presion i vogël. Ndeshja me Flamurtarin është vendimtare, pasi vijmë pas një barazimi dhe nuk duhet të shkëputemi nga vendet e para. Fokusin e kemi vetëm te Flamurtari, pastaj na pret derbi, që është një ndeshje tjetër. Pas kësaj ndeshje duhet të jemi në 100% të mundësive tona”, - ka theksuar në fund trajneri Gega.

Stafi teknik i Partizanit

Për ndeshjen me Flamurtarin ka folur edhe mesfushori Esat Mala, një titullar fiks te të kuqtë. Ai është shprehur se Partizani i këtij sezoni është më i bashkuar dhe beson se me ndihmë e tifozëve do të ketë një ecuri të mirë: “Për mua e rëndësishme është të luaj dhe pavarësisht rolit që më cakton profesori, mundohem të jap më të mirën. Duhet të kesh përgjegjësi kur luan, nuk ka rëndësi mosha. Çdo lëvizje duhet ta bësh me përgjegjësi. Rikthimi i tifozëve nuk na vë nën presion, përkundrazi, është motivim për ne. Gjithmonë ata kanë qenë afër nesh dhe vazhdojnë të na mbështesin. Partizan tani ka një grup shumë të mirë, të bashkuar dhe në harmoni. Partizani hyn në çdo ndeshje për të marrë tri pikët dhe ky është objektivi edhe me Flamurtarin. Detyrat na i cakton profesori”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë