Para

Anulohet gara për Milot-Fier, skualifikohet oferta e vetme. Do të çelet për herë të dytë

Vetë Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku ka bërë publik lajmin se gara për ndërtimin e rrugës Milot- Fier është anulluar dhe do të rihapet për herë të dytë.

Ministrja në RTSH me gazetarin Lutfi Dervishi nuk bëri me dije se kur do te hapet gara për këtë koncesion, por deklaroi me siguri se do të ketë një garë të dytë.

Argumenti për skualifikimin nga ana e ministers ishte se “ oferta e vetme e ardhur u skualifikua sepse nuk plotësonte kriterin e kohëzgjatjes: qeveria ka kërkuar ndërtimin për 36 muaj, ndërsa kompania ka ofruar ndërtimin e saj për 96 muaj. Ne kemi pasur një ofertë që e kemi kqyrur me shumë vemendje. Ne na u desh ta kqyrnim shumë mirë ofertën, duke qenë se ka qenë shumë voluminoze. Mbi 40 fashikuj kanë qenë. Oferta fatkeqësisht nuk është më e vlefshme”- u shpreh ministrja Balluku,

Gara ndërkombëtare  për këtë aks do të çelej zyrtarisht në korrik 2020. Koncesioni parashikonte projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës për 35 vitet e ardhshme.

Vlera totale e projekti parashikohej 1,188 miliardë euro pa TVSH. Shteti do të ofronte garanci për deri në 7 për qind të vlerës së investimit, në rast se trafiku në rrugë nuk është sipas llogarive të bëra.

Segmenti është parashikuar 115 kilometra i gjatë, ku 53 kilometra do të jenë rrugë të reja që do të ndërtohen, ndërsa 62 kilometrat e tjerë do të jenë rehabilitim i rrugëve ekzistuese.

Tarifa e shërbimit për të kaluar në këtë rrugë vajtje-ardhje do të jetë 17,5 euro, ose 0.075 euro për një kilometër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë