Politike

Antishpifja, Rama do flasë pasi të fiken dritat e Vitit të Ri

Mentor Kasa – Në ditët e para të tetorit, Kryeministri Edi Rama njoftoi përmes rrjeteve sociale një nismë të mazhorancës, që ai e pagëzoi me emrin “paketa antishpifje”. Nisma mbërrinte pas rastit të Xhisiela Malokut dhe akuzave të opozitës se kreu i Grupit Parlamentar, Taulant Balla dhe deputetë e kryebashkiakë socialistë kishin ushtruar presion ndaj ish-oficerit të policisë gjyqësore në Fushë-Krujë, Emiljano Nuhu, për të shpëtuar djalin e deputetit, Rrahman Rraja.

Një pjesë e opinionit publik e interpretuan propozimin e Kryeministrit si shantazh ndaj medias, ndërsa brenda mazhorancës nisma gjeti mbështetje me argumentimin se “kishte ardhur koha që shpifësit të ndëshkohen dhe të mbajnë përgjegjësi për shpifjet e tyre”.

Në atë kohë, Kryeministri nuk dha më shumë detaje për këtë nismë të tij, por ajo u interpretua gjerësisht si rikthim i burgut për shpifjen. Vorbullës së këtij debati, Kryeministri i shtoi dozën me një tjetër propozim, atë të regjistrimit të portaleve në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Reagimet ishin të menjëhershme, madje edhe nga organizmat ndërkombëtarë. Një prej tyre ishte OSBE, e cila theksonte se nisma për regjistrimin e portaleve binte ndesh me udhëzimin e këtij organizmi për të çkriminalizuar plotësisht shpifjen dhe për ta hequr atë nga Kodi Penal.

Por, ngjarjet që rrodhën më vonë, si operacioni i zgjeruar i Policisë së Shtetit që çoi në pranga dhjetra persona nga Shijaku, Lezha e Shkodra morën të gjithë vëmendjen mediatike. Si të mos mjaftonte kjo, pak ditë pas këtij operacione dhe një ditë të shtunë ku Saimir Tahiri kishte paralajmëruar një konferencë për shtyp për të thënë disa “të vërteta të mëdha”, u dorëhoq Fatmir Xhafaj.

Dorëheqja e Xhafajt pasoi “shahun” Kryeministri-Presidencë për pasuesin e tij, Sandër Lleshajn, ndërsa opozita përforconte akuzat për kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako. Të gjitha këto e lanë në hije propozimin e Kryeministrit për paketën antishpifje.

Vetë Kryeministri nuk e ka harruar. Ai shfrytëzoi Vjenën, ku ndodhej për të marrë pjesë në forumin “Ekonomia takohet me politikën”, për t’u takuar me njeriun që i doli kundër gjatë propozimit për të regjistruar portalet në QKB.

“Në selinë e OSBE në Vjenë me Harlem Desir, përfaqësuesi për Lirinë e Medias, pas një diskutimi të dobishëm mbi Paketën Antishpifje dhe kuadrin e ri rregullator të portaleve. Së shpejti çelim konsultimin publik dhe pastaj në Kuvend pas Vitit të Ri”, deklaron ai.

Pikërisht për paketën antishpifje diskutoi këtë të mërkurë edhe OSBE në një tryezë në Tiranë. Ambasadori Borchardt ripërsëriti se një prej rekomandimeve kryesore që ka dhënë institucioni që ai përfaqëson në Tiranë mbetet çkriminalizimi i shpifjes.

“Dispozitat e Kodit Civil mjaftojnë për të ndëshkuar këtë vepër”, u shpreh ai.

Sa i takon nismës së qeverisë për paketën antishpifje, ambasadori thotë se OSBE e mbështet, por kërkon që të bëhet kujdes.

“Marrja e masave kundër shpifjes nuk është diçka e keqe në vetvete. Nga njëra anë, kemi të drejtën e njeriut, lirinë e shprehjes, nga ana tjetër kemi të drejtën e mbrojtjes së dinjitetit. Ne japim dy rekomandime thelbësore në këtë fushë: njëri është që mbrojtja e dinjitetit kundrejt shpifjes të mos bëhet përmes Kodit Penal; ndërsa rekomandimi i dytë është që kjo vijë e hollë ndarëse midis këtyre dy të drejtash të përcaktohet bazuar në jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe në bazë të praktikave më të mira europiane”, tha ai.

Nevojën për rregullimin e portaleve e njeh edhe OSBE, por edhe këtu kërkon që qeveria t’u referohet praktikave më të mira të Bashkimit Europian.

“Ky rregullim duhet të kryhet duke respektuar plotësisht standardet ndërkombëtare, duke treguar kujdes dhe vëmendje për të mos cenuar lirinë e medias, përmes konsultimesh të gjera dhe transparente”, u shpreh ai.

Konsultimet, të paktën siç e njoftoi Kryeministri Edi Rama pritet të nisin së shpejti për paketën antishpifje dhe pas Vitit të Ri, gjithnjë sipas postimit të tij në rrjetet sociale do të hidhet për miratim një paketë.

Sa i takon shpifjes, mundësinë e rikthimit të burgut e përjashtoi edhe vetë shefi i Qeverisë. Duke thënë se “shpifësit do të paguajnë shpifjen sa frëngu pulën”, ai nënkupton gjoba të majme për personat që gjenden fajtorë për këtë vepër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë