Gazeta Si – Dy persona janë arrestuar dhe një tjetër u shpall në kërkim, si autorë të dyshuar të një pengmarrjeje në Tiranë më 31 mars të këtij viti.
Policia thotë se në pranga kanë rënë, Hysen Neza, 33 vjeç dhe Kevin Neza 25 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim J.N., 28 vjeç me banim në Xhafzotaj të Durrësit.
Mësohet se tre personat e dyshuar rrëmbyen 32-vjeçarin Florjan Sula në Tiranë dhe e dërguan në një magazinë në Xhafzotaj, ku e mbajtën peng për disa orë dhe e dhunuan me qëllim që t’u jepte në këmbim një shumë parash.
Gjatë operacionit të zhvilluar nga policia, u sekuestruan 5 automjete, 5 celularë dhe një shumë parash e sende të jashtëligjshme. Policia po punon për kapjen e personit të shpallur në kërkim.

Sipas hetimeve paraprake, tre të dyshuarit kanë ndjekur lëvizjet e viktimës pranë zonës së ish-Parkut në kryeqytet dhe e kanë rrëmbyer atë në momentin kur po largohej nga një lokal ku kishte konsumuar kafe.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se autorët janë prezantuar si agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke përdorur mashtrimin për ta detyruar biznesmenin të hipte në automjet.
Pas rrëmbimit, ata i kanë kërkuar fillimisht 2 milionë euro, ndërsa më pas shuma është ulur në 1 milion dhe më pas në 500 mijë euro, pas refuzimit dhe dhunës ndaj tij.
Viktima është mbajtur gjatë natës në një magazinë në zonën e Xhafzotajt në Durrës, ku dyshohet se është ushtruar dhunë fizike.
Ai është liruar në orët e para të mëngjesit, me kusht që të siguronte shumën e kërkuar, dhe menjëherë më pas ka denoncuar ngjarjen në polici, duke ndihmuar në identifikimin e autorëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje