Ne rrjet

"Antishpifja, BE-ja kundër: Po mbajmë shënime!

Miratimi i ligjit për Antishpifjen nga Parlamenti i Shqipërisë ka ngjallur shqetësime të shumta edhe në Bruksel. Ndërkohë që një zyrtar i Komisionit Europian tha se BE-ja po “mban shënime’, reagime të ashpra kanë ardhur edhe nga Partia Popullore Europiane.

Dy anëtarë të PPE-së shprehën shqetësimin për lirinë e mediave në vendin tonë, duke e cilësuar miratimin e kësaj pakete si një hap të gabuar.

”Ne vërejmë me shqetësim të thellë se shumica parlamentare e qeverisë shqiptare e udhëhequr nga Kryeministri socialist Rama miratoi dje dy ligje për media në kundërshtim të hapur me rekomandimet specifike të bashkësisë ndërkombëtare. Komisioni Evropian, Këshilli i Evropës, si dhe organizatat mediatike shqiptare dhe ndërkombëtare kishin shprehur kundërshtime të forta kundër këtyre ligjeve “, deklaroi Anëtari i Parlamentit Evropian Michael Gahler dhe Koordinator i PPE-së për Punët e Jashtme.
Po ashtu edhe David Lega, eurodeputet dhe raportuesi i PPE për Shqipërinë, paralajmëroi se në Shqipëri po cenohej liria e medias.

“Legjislacioni i miratuar kërcënon këto liri që janë fituar kohë më parë nga populli shqiptar. Media e lirë ka qenë një reporter i vazhdueshëm i abuzimit të pushtetit dhe ka ekspozuar shumë skandale të korrupsionit. Kjo paketë duhet të shihet si një pikë kthese serioze për Shqipërinë në rrugën e saj drejt sundimit të ligjit dhe demokracisë “, theksoi Lega.

Ndryshimet e ligjeve të medias në Shqipëri, që u miratuan të mërkurën mes polemikave e kritikave të shumta, nuk janë mirëpritur as nga KE-ja.

Një zëdhënës i Komisionit EUropian i tha Zërit të Amerikës se Brukseli “po mban shënim” miratimin në parlament të paketës anti-shpifje. Megjithëse qeveria Rama theksoi se ato janë bërë në përputhje të plotë me OSBE-në, zëdhënësi i Komisionit, i se “rekomandimet e ekspertëve të Këshillit të Evropës nuk janë marrë në konsideratë” në variantin përfundimtar.

Zëdhënësi tha se Brukseli do të vazhdojë të punojë nga afër me autoritetet shqiptare, për t’u siguruar që standartet evropiane për lirinë e të shprehurit dhe mediat do të respektohen.
Përfaqësuesë të mediave shqiptare si dhe të institucioneve ndërkombëtare kanë qenë të një mendjeje se amendamentet e reja paraqesin problem lidhur me garantimin e lirisë së mediave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë