Para

Anketa/ Shumica e pensioneve më të ulta se paga minimale

Sipas një ankete të studimit “Sistemi ekonomik dhe roli i shtetit në shoqëri”, realizuar nga ekonomistët Selami Xhepa dhe Adrian Civici të udhëhequr nga Fondacioni «Friedrich Ebert”,  89% e personave mbi 60 vjeç mendojnë se pagesa mujore e pensionit ishte e pamjaftueshme për të plotësuar nevojat e mbijetesës.

Sipas këtij studimi, mbi 90% e pensioneve janë ndjeshëm më të ulëta se paga minimale dhe minimumi jetik.

Vetëm 4% e të anketuarve mendojnë se pensionet janë të mjaftueshme për plotësimin e nevojave bazë, ndërsa 8% janë disi dakord.

Sipas autorëve të studimit, përmirësimi i kësaj situate lidhet ngushtë me një angazhim më të madh të shtetit në reformimin e skemës së pensioneve, uljen e informalitetit në pagesën e kontributeve shoqërore dhe shtimin e financimeve nga buxheti i Shtetit për buxhetin e ISSH-së.

Pyetjes nëse “individi duhet të marrë më shumë përgjegjësi individuale për moshën e pensionit duke investuar dhe zbatuar skema të ndryshme investimi privat”, vetëm 30% janë përgjigjur se janë dakord.

Ekonomistët Xhepa dhe Civici , argumentojnë se ky qëndrim ka të bëjë me 3 elemente themelore:

-mendimin se skemën e pensioneve duhet të vazhdojë ta mbështetë buxheti i Shtetit dhe individët duhet të vazhdojnë të paguajnë vetëm detyrimet e sigurimit social sipas pagesave në fuqi aktualisht;

-mungesën e informacionit dhe të kulturës financiare për të njohur skemat alternative të pensionit

- mungesën e besimit në qëndrueshmërinë dhe garancinë e këtyre skemave në realitetin shqiptar.

Aktualisht në Shqipëri përfitojnë pensione 621,2 mijë pensionistë dhe paguajnë kontribute 752,4 mijë qytetarë.

122 kontribues mbulojnë 100 pensionistë sipas normës së varësisë së sistemit që është 1.22.

Të ardhurat e mbledhura nga kontributet janë të pamjaftueshme për të mbuluar të gjitha shpenzimet për përfitime dhe, si rrjedhojë, diferenca mbulohet nga buxheti i shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë