Financa Personale

Anketa e BSH: Familjet shqiptare presin përkeqësim të financave të tyre

Banka e Shqipërisë vëren se familja shqiptare është ngushtë financiarisht, madje në të ardhmen e afërt pret përkeqësim të financave familjare.

Sipas vrojtimit të BSH gjatë nëntorit 2020 për gjendjen financiare të familjeve në vendin tonë, rezulton se numri i të punësuarëve ka rënë lehtshëm krahasuar me një vit më parë. Në kampionin prej 1.210 familjesh, të ardhurat dhe shpenzimet njëkohësisht janë rritur gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2020.

24% e familjeve të anketuara, 252 të tilla, janë përgjigjur se në momentin e intervistimit nga BSH-ja kanë pasur një hua për të paguar. Sipas qëllimit të përdorimit të huasë, rezulton se rreth 33% e saj është përdorur për blerjen/riparimin e një prone, duke shënuar një rënie të ndjeshme në terma gjashtëmujorë dhe vjetorë. Nga ana tjetër, rreth 39% e tepricës është përdorur për zhvillimin e një biznesi dhe 6% për qëllime konsumi.

Rreth 785 familjeve shprehen se kësti i huasë nuk ka ndryshuar, ndërsa pjesa tjetër tregon për rritje të këstit gjatë kësaj periudhe. 58% e tyre thonë se aftësia e tyre pagese nuk ka ndryshuar, ndërsa pjesa tjetër thotë se ka ndryshuar. Lidhur me 6-mujorin e parë të vitit 2021, 78% e familjeve nuk presin përmirësim të aftësisë së tyre paguese dhe pjesa tjetër parashikon përkeqësim.

Në rreth 35% të rasteve të raportuara, huamarrja e familjeve rezulton në formën e kredisë nga institucione financiare, ku 29% e rasteve janë në trajtë kredie bankare, e cila ka pësuar rënie me 4 pikë përqindje krahasuar me 6mujorin e parë 2020. 6% janë në trajtë kartash krediti dhe overdraft, që kanë pësuar rritje me 2 pikë përqindje krahasuar me 6mujorin e parë 2020. Në rreth 46% të rasteve, huamarrja deklarohet në formën e parasë në dorë, duke shënuar rritje me 1 pikë përqindje krahasuar me 6-mujorin e kaluar dhe rritje me 3 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Peshë të konsiderueshme vijon të ketë zëri mall i papaguar në rreth 18% të rasteve të huamarrjes, por gjithsesi i pandryshuar krahasuar me vrojtimin e kaluar dhe në rënie me 3 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.

Rreth 92% e familjeve zotërojnë 1-2 prona të patundshme, kryesisht shtëpi banimi. 2% deklarojnë se zotërojnë më shumë se 2 prona të patundshme, shtëpi dhe tokë/dyqan etj, dhe 5% kanë deklaruar se nuk zotërojnë asnjë pronë. Në grupin e familjeve që kanë deklaruar pasuri financiare, rezulton se depozitat dhe/ose llogaritë bankare vijojnë të mbeten lloji kryesor i investimit financiar, si në rastin e totalit të familjeve (65% e rasteve të raportuara) dhe në rastin e familjeve huamarrëse (72% e rasteve). Krahasuar me 6-mujorin e kaluar, këto pesha kanë rezultuar në rritje me 3 pikë përqindjeje në rastin e totalit të kampionit dhe në rënie me 5 pikë përqindje në rastin e familjeve huamarrëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë