Futboll

“Anglinë e eleminoi mendjemadhësia”

Me 4.2 milionë banorë, Kroacia bëhet vendi i dytë i vogël që arrin në finalen e një Kupe Bote, që prej 1930, kur ishte Uruguaji. Kroatët e realizuan këtë 20 vite nga pjesëmarrja e tyre e parë si shtet më vete në një kompeticion të tillë.

Ndaj Anglisë në gjysmëfinale, kroatëve iu desh sërish koha shtesë. Anglezët e nisën takimin më të frymëzuar, mbase edhe nga fakti që konsideroheshin favoritë, madje në mediat sportive dhe në rrjetet sociale tifozët britanikë ishin të bindur, jo vetëm tek finalja, por edhe tek fitorja e trofeut duke ngritur hashtagun “Futbolli po vjen në shtëpi”.

Analistët dhe ekspertët anglezë favorizonin pa modesti skuadrën e tyre duke deklaruar se kroatët ishin të lodhur për shkak se si ndaj Rusisë, ashtu edhe ndaj Danimarkës më herët u është dashur të shkojnë në shtesë dhe më pas tek 11-metërshat për të fituar, ndërsa Anglia e mbylli brenda 90 minutave sfidën e saj me Suedinë.

Kroatët u ndëshkuan shpejt dhe e mbyllën pjesën e parë në dizavantazh. E dyta ishte një tjetër histori. Ata gjetën forcat dhe dominuan anglezët, duke siguruar barazimin me Perisiç dhe në kohën shtesë fitoren e biletën e finales magjike falë golit të Mandzukiç. Kush i karikoi kroatët? Luka Modriç ka një përgjigje.

“Treguam edhe një herë tjetër që nuk jemi të lodhur. Gazetarët, mediat dhe tifozët anglezë na nënvlerësuan. Na thanë që jemi të lodhur, që do të na mposhtnin lehtësisht e të tjera, e të tjera. Të gjitha ato që lexuam e dëgjuam nga mediat angleze para ndeshjes na karikuan dhe kur zbritën në fushë thamë: Ok, le të shohim se kush janë të lodhur sot. Treguan mundesë respekti ndaj nesh. Anglinë e eleminoi mungesa e respektit ndaj kundërshtarit”, deklaroi Modriç.

I emocionuar trajneri Daliç i jep të drejtë kapitenit të skuadrës së tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë