Futboll

Anglia përshëndetet në mënyrën e duhur me Uejn Runi

Me siguri që fitorja 3-0 me SHBA në një ndeshje miqësore nuk do të mbahet mend nga tifozët e kombëtares së Anglisë. Por 15 nëntori i 2018-ës do të kujtohet gjatë nga tifozët e kombëtares së “tre luanëve” pasi ishte dita e përshëndetjes me sulmuesin më të madh që luajti me këtë fanellë, Uejn Runi.

33-vjeçari që zbriti në fushën e Wembley mbrëmjen e së enjtes nuk kishte shumë ndryshime nga ai djalosh 17 vjeç që debutoi me kombëtaren e Anglisë në ndeshjen kundër Australisë. Në më shumë se 14 vite karrierë në ekipin kombëtar, Runi ka marrë me vete disa rekorde që do të qëndrojnë gjatë në këtë kombëtare.
Ai është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në kombëtaren e Anglisë me 53 rrjeta në 120 ndeshje. Është golashënuesi më i mirë në historinë e Premier League pas Alan Shirer dhe asistuesi i tretë më i mirë. Vetëm portieri Peter Shilton ka luajtur më shumë ndeshje me kombëtaren e Anglisë, i cili u ndal në shifrën e 121 sfidave.
Në ndeshjen e parë me kombëtaren, si për rastësi u shënuan tre gola dhe ishte miqësore, ashtu siç ishte edhe në mbrëmjen e së enjtes në Wembley.

Kur shpërtheu si talent te Everton, Runi e kishte mundësinë që të luante me kombëtaren e Irlandës, për shkak të origjinës së nënës së tij. Por dëshira e tij për të veshur fanellën e “tre luanëve” prevaloi mbi këtë origjinë të largët irlandeze. Dhe duke parë atë që i dha kësaj kombëtareje apo edhe që mori, shumë në Angli besojnë se ishte zgjedhja e duhur. Epoka kur Runi ishte në kombëtaren angleze nuk ishte ndër më të ndriturat, madje një nga më të errëtat. Pa yjet, Bekam apo Ouen, kombëtarja e Anglisë dështoi që të shkonte në kampionatin europian të vitit 2008. Por kjo gjendje e kombëtares nuk ndikoi në performacën e Runit, që në eliminatoret e kampionatit botëror ishte golashënuesi më i mirë i skuadrës për t’i dhënë asaj një dorë, duke e çuar deri në Afrikën e Jugut.

Pas këtij botërori do të vinin vitet e Runit kapiten, ku Anglia u rikthye në nivelet e larta, por gjithsesi jo në pritshmëritë e tifozëve. 33 minutat në ndeshjen e 15 nëntorit në Wembley mbyllin karrierën në kombëtare për Uejn Runi dhe me të drejtë 90 mijë tifozët e pranishëm ngrihen në këmbë një futbollist që nuk besohet të zëvendësohet lehtë në këtë skuadër.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë