Interviste

Angjeli: Amnistia fiskale si një oportunitet në kohë të Covid-19

Pak ditë më parë Kryeministri Edi Rama kërkoi me ngulm nga Parlamenti që të miratojë amnistinë e re fiskale. Një draft që tregon vetëm se kujt i drejtohet kjo amnisti, z. Rama e ka reklamuar që në shkurt. Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk ka qenë dakord.

Gazeta “Si” ishte e interesuar të mësonte nëse rifutja në agjendë e  temës së amnistisë lidhet më vështirësitë buxhetore të shkaktuara nga pandemia e Covid-19. Sa mund të përfitojnë në mënyrë të drejpërdrejtë shtresat më të prekura nga kjo situatë dhe pse riciklohen amnistitë kur sërisht dalin subjekte që, edhe pse falen, sërisht fshehin të ardhurat e krijuara nga procese që i ndalon ligji.

Për këto çështje ne biseduam më z.Anasatas Angjeli, ish-ministër socialist i financave dhe ekonomisë dhe një nga deputetët e maxhorancës së sotme.

Zoti Angjeli, çfarë synon Amnistia Fiskale e shpallur nga Kryeministri Rama para dy muajsh dhe e rikthyer në vëmëndje për tu miratuar së shpejti? Pse u rikthye çështja e amnistisë fiskale në këtë moment?

Kjo Amnisti Fiskale, siç ka anonçuar kryeministri Rama, vjen si nevojë e shumë faktorëve Shteti-Qeveria, tregu, ekonomia, individi, biznesi. Ajo është e lidhur me kushtet dhe situatën politike, ekonomike, financiare që kalon vendi, me përpjekjet e pandalura që po bëhen për formalizimin e ekonomisë, me nevojat e ekonomisë për më shumë zhvillim, me interest individuale dhe të bizneseve, etj.

Kjo Amnisti do të ketë karakter të dyfishtë, edhe penal, edhe fiskal. Në konceptin juridik “amnistia” përfaqëson një akt të pushtetit legjislativ që presupozon “harresën zyrtare” të një faji apo disa fajeve dhe anulimin e rrjedhojave penale, d.m.th ndërprerjen e ndjekjeve penale dhe të ndëshkimeve për njerëz që kanë bërë faje, kurse Amnistia Fiskale presupozon faljen e detyrimeve të prapambetura fiskale, në pamundësi arkëtimi (për shkaqe në radhë të parë objektive) nga subjektet e regjistruara si tatimpagues (jo për veprimtari të kryera jashtë saj).

Amnistitë mund të jenë të pjeshme ose të përgjithshme dhe në ligjin përkatës kanë të përcaktuar në mënyrë të hollësishme objektin dhe subjektin e vet. Në rastin konkret dhe në përgjigje të pyetjes tuaj, unë nuk besoj se kemi një “rikthim”, aq më tepër të lidhur me momentin që po kalojmë, rrjedhojë e pandemisë COVID-19. Më tepër kemi një respektim të axhendës për sa i përket çështjes së rikthimit për diskutim të Amnistisë Fiskale. Ajo u anonçua si ide nga Kryeministri Rama në fund të muajit shkurt, mori një kohë të shkurtër diskutimi publik, dhe pastaj, pa dyshim në kushtet e pandemisë, doli në plan të dytë apo thuajse “ra në gjumë” si temë debati. Por nga koha e anonçimit dhe deri në përgatitjen e Aktit të nevojshëm ligjor, besoj se duhej, nevojitej një kohë për përgatitjen e kuadrit ligjor, dhe se tani është momenti që të rihapen debate sa kohë që ky akt do të miratohet në Qeveri dhe më pas në Kuvend. Debat ky i nevojshëm, jo thjesht për transparencë, por për të marrë sa më shumë mendime nga aktorë të ndryshëm dhe faktorë interesi për të pasur një ligj dhe një veprim sa më të dobishëm.

A po bëhet kjo Amnisti për të mbledhur para në buxhetin e shtetit tanimë që është I rrezikuar edhe nga kriza e pandemisë?

Gjithashtu, besoj se askush nuk e fsheh qëllimin që ka ky ligj, i cili nuk mund të përmblidhet me fjalë të thjeshtë “Për të grumbulluar para”. Përtej kësaj, duhet nënvizuar fakti se përfitimi është grumbullimi i këtyre parave që përfaqësojnë para apo kapitale që deri më sot, individë apo biznese i kanë mbajtur të padeklaruara, të fshehura dhe që mund të përdoren si një instrument i fuqishëm për t’u investuar në ekonomi. Njëherazi këto kapitale, duke u rregulluar dhe qarkulluar përmes sistemit bankar ato “shndërrohen në para të formalizuara” me përfitim të dyanshëm - Shtet-Individ apo biznes, duke i dhënë mundësi krijimit të rregullave, forcimit të zbatimit të tyre për të ardhmen, në dobi të procesit për të ardhmen, në dobi të procesit të uljes së informalitetit si një fenomen i dëmshëm, që karakterizon ekonominë tonë në këto momente.   

Z. Angjeli, sa para mendohet që të mblidhen? A mund të bëhet një vlerësim paraprak?

Pa dyshim që marrja e nismës për Amnistinë Fiskale bazohet në informacionet dhe të dhënat që nismëtarët (qeveria dhe institucionet dhe Agjencitë përkatëse) i disponojnë dhe mbi këtë bazë kanë dhe pritshmëritë e tyre që priten të realizohen. Unë personalisht nuk e disponoj një informacion të tillë, por të jeni të sigurt se kur aktet ligjore të shkojnë në Qeveri dhe Kuvend ky informacion do të jetë i hapur për publikun. Më e rëndësishme është që të jemi sa më realist në atë që presim. Kjo lidhet me faktin sa ligj i qartë dhe i rregulluar mirë do të jetë për t’u zbatuar e mbi të gjitha që të krijojë besim tek individët dhe bizneset që do jenë pjesë e këtij procesi, pra gjë që do të formalizojnë parate e tyre. Nga ana tjetër, eksperienca e vendeve të tjera duhet mbajtur mirë parasysh, jo thjesht në formulimin e ligjit dhe akteve nënligjore e rregullatore, por dhe të zbatimit dhe rezultateve që kanë arritur këto lloj nismash.

Z. Angjeli, a ka modele të tjera në rajon dhe Evropë? Si kanë rezultuar ato?

Amnistia Fiskale që po debatohet nuk është një “shpikje shqiptare”. Pa dyshim që ka përvoja të tjera në shumë vende. Kështu mund të përmendim vende si Italia, Hungaria, Austria në vitet 1995, Amnistinë Fiskale në Afrikën e Jugut pas aparteidit në vitet 50’, atë në Itali që kishte të bënte me riatdhesimin e kapitaleve të emigruara, “në vitet e brigadave të kuqe dhe frikës së komunizmit”, Amnistia Fiskale në Rusi, në SHBA, Argjentinë (2016),  Turqi, Nigeri, Malajzi, Filipine (2019) etj. Në të gjitha rastet pritshmëritë kanë qenë të mëdha, por rezultatet kanë qenë deri në 10 herë më të ulëta se pritshmëritë.

Z. Angjeli, sa është rreziku për të formalizuar para të paligjshme?

Rreziku potencial ekziston gjithnjë. Por kjo varet nga cilësia e akteve ligjore që rregullojnë këtë amnisti dhe veçanërisht nga mënyra e zbatimit të tij. Me rëndësi është objekti dhe subjekti i Amnistisë Fiskale. Dhe besoj kryeministri Rama ka qenë i qartë në këtë çështje. Ai ka theksuar se tri kategori do të jenë të përjashtuara nga kjo amnisti dhe konkretisht: Përjashtohen të gjithë ata që janë të dënuar për aktivitetet e caktuara që hyjnë në veprimtarinë kriminale që është subjekt direkt i ligjit të OFL, merren me aktivitete kriminale, zyrtarë të lartë bashkë me rrethin familjar të tyre, të gjithë ata që janë në radhët e Policisë së Shtetit, gjykatës, prokurorë apo në rangjet e larta të drejtësisë.

Z. Angjeli, amnistitë kanë gjithnjë një bazë morale të cenuar? A mos po e thellojmë bindjen se edhe nëse realizon evazion apo fsheh në mënyrë të paligjshme të ardhurat, nuk ka rëndësi. Cili është mesazhi që jepet për ata që kanë qenë të rregullt me shtetin?

Natyrisht që kjo çështje do të ketë dhe problematikat e veta teknike, ligjore, morale, etike, etj... Një taksapagues i rregullt, që e ka bërë pasurinë e vet në mënyrë korrekte dhe ligjore nuk do të jetë shumë mirëkuptues (ai mund të thotë po pse budalla kam qenë unë që zbatova ligjin dhe isha i rregullt, pse të mos filloj dhe unë të bëj veprime të paligjshme se kushedi pas ca vitesh  mundet një qeveri tjetër, një situatë tjetër mund të bëjë një Amnisti tjetër? Ashtu si një njeri që ka vepruar në mënyrë antiligjore mund të thotë se po sikur një vendimmarrje tjetër të bëjë të kundërtën dhe të ndryshojë ligjin dhe t’i dëmtojë ata). Por unë besoj se amnistitë duhen parë si një oportunitet, i dhënë njëherë dhe që mund t’u shërbejë disa qëllimeve, që nga legalizimi i parave, nga përdorimi i tyre për zhvillim ekonomik e deri në forcimin për të ardhmen e luftës kundër evazionit dhe formalizimit të ekonomisë deri te forcimi i kulturës së të bërit biznes, brenda parimeve të tregut, me konkurrencë të ndershme e barazi para ligjit.

Z. Angjeli, cila është qasja e qeverisë ndaj qëndrimit të FMN-së  dhe partnerëve të tjerë lidhur me këtë nismë?

Konsultimi dhe konsiderimi i mendimit të institucioneve që na asistojnë si FMN, OECD, BE është i nevojshëm dhe sa më afër konsensusit me to, aq me pozitive është.

Z. Angjeli, a duhet një konsensus politik për të realizuar një amnisti të përgjithshme, e cila të mos përsëritet shpesh, siç ka ndodhur vitet e fundit?

Por për të kapërcyer dilemat që lindin në këtë proces, pa dyshim që konsensusi politik, dhe jo vetëm, por edhe më i gjerë me faktorët e interesit, është shumë i dobishëm. Prandaj dhe ky debat që zhvillohet synon pikërisht edhe këtë çështje. Por çdo konsensus i munguar, por i paargumentuar nuk mund të frenojë proceset ligjore që i hapin rrugë nevojave të shtetit, tregut, ekonomisë, individit.

Z. Angjeli, në këtë kohë pandemie më të prekurit janë qytetarët e mbetur pa punë dhe më të varfrit. Mirëpo, deri tani shikojmë se nga amnistia mund të përfituesit më të mëdhenjë mbetet qeveria dhe pala që ka nevojë të amnistohet?

Nuk është tamam kështu. Përfitues nuk janë këto dy palë vetëm. Përfiton tregu që ka nevojë për “likuiditet”, përfitojnë ekonomia, në të cilën do të investohet, do të hapen vende pune, për të cilat kemi më shumë nevojë, do të rriten të ardhurat në buxhet si rrjedhojë e zhvillimit, por edhe e formalizimit të ekonomisë që shndërrohen në para në dispozicion të të gjithëve. Ndërkaq të mos harrojmë që përballë pandemisë janë të gjithë të barabartë dhe ata që amnistohen dhe ata që nuk amnistohen, ashtu siç duhet të jenë dhe përpara ligjit në çdo veprimtari të tyre.

Z. Angjeli, a duhet që qeveria të tregojë në fillim se çfarë do të bëjë me paratë që pretendon se mund të mbledhë nga kjo amnisti për të ndihmuar shtresat më të prekura?

Pa dyshim, siç e theksova më sipër, transparenca është e domosdoshme dhe kjo nuk do të mungojë.

Z. Angjeli, ju keni një përvojë të gjatë në qeverisje si ish-minsitër Financash dhe Ekonomie, por edhe si deputet e me njohuri të zhvilluara për tezat ekonomike. A mund të na thoni si duhet të dalim nga kjo krizë ekonomike të shkaktuar nga pandemia? Ku duhet të orientohet qasja e qeverisë që dëmi të jetë sa më i vogël dhe rimëkëmbja më e shpejtë?

Situata është komplekse. Ekonomia globale po shkon në recesion dhe në një krizë globale, nga më të rëndat pas asaj të depresionit të madh të viteve 1929-1932. Edhe ekonomia shqiptare po përkeqësohet, të ardhurat buxhetore të munguara po rriten, pasojat sociale gjithashtu, papunësia po rigjallërohet, hallkat e zinxhirit ekonomik po këputen dhe kjo është e lidhur me faktorin kohë të pandemisë dhe me masat tashmë të marra dhe që priten të merren nga qeveria në mbështetje të ekonomisë dhe zbatimi i planit të hapjes graduale për kthimin në normalitet, që nuk është shumë i lehtë.

Në këto kushte, ne duhet të mendojmë për të tashmen dhe të ardhmen ekonomike e sociale të vendit. Veprimet e deritanishme të qeverisë janë në kahjen e duhur për përballimin e pasojave shëndetësore dhe sociale, subvencionimin e pagës për të papunët e krijuar nga pandemia, ashtu edhe për të “ndezur motorët” e ekonomisë dhe frymëmarrja e bizneseve të fillojë të ndihet. Për këtë duhet që njëherazi, nevoja për përballjen e kësaj krize ekonomike globale ka nxjerrë në pah çështjen e ristrukturimit të ekonomive, të politikave, strategjive dhe prioriteteve të ekonomive. “Kriza tregon brishtësinë e zinxhirëve të prodhimit në botë dhe interesin e zhvendosjes së aseteve strategjikë si shëndetësia, farmacia, teknologjia e prodhimit shëndetësor deri tek i pajisjeve të thjeshta, por shumë të nevojshme, si ai i maskave” (Mathieu Plane, 19 mars 2020). Pra, nevoja e ndryshimeve edhe në ristrukturimin e ekonomisë, në llojet dhe  modelet e bizneseve, në vlerësimin e riskut të tyre, përshtatja me ekonominë dixhitale dhe me të rejat e tregut të punës bëhen më të domosdoshme se kurrë.

Ne duhet të gjejmë alternativë për të kompensuar humbjet që po na shkaktohen nga industria e turizmit, transportit, eksporteve, duke u fokusuar, së paku këtë vit, në sektorët që tregojnë qëndrueshmëri dhe janë larg ndikimit të pandemisë, si energjia e bujqësia, duke lejuar hapjen graduale të bizneseve të tjera. Ndërsa në vazhdim ristrukturimi ekonomik, modeli, politikat duhen riparë, ashtu si vetë bizneset duhet të gjejnë e rigjejnë vetveten në ndryshimet dinamike të tregut, duke e parë këtë krizë jo vetëm si “një fatkeqësi”, por edhe si një oportunitet.   


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë