Sport

Andy Murray tërhiqet mes lotësh: Nuk dua të rrezikoj shëndetin!

Andy Murray i jep lamtumirën tenisit. Shpresat e ish-numrit 1 në botë ishin për të rezistuar deri në korrik, kur zhvillohet turneu i Wimbledon-it, por ai do ta mbyllë karrierën me “Australian Open”. Tenisti skocez, 31 vjeç, ka deklaruar se dhimbjet e forta në kockat e legenit nuk e lejojnë të luajë dhe të stërvitet si duhet. “Do të doja të tërhiqesha në Wimbledon, por nuk jam i sigurt, nëse do t’ia arrij qëllimit. Me shumë mundësi, “Australian Open” do të jetë turneu im i fundit", - tha Murrey në një konferencë shtypi shokuese për gjithë dashamirësit e tenisit. Ai nuk i përmbajti dot lotët gjatë konferencës, pasi është një vendim që vjen kundër asaj që ai kishte planifikuar për të ardhmen.

"Do të tërhiqem, sepse dua t’i bëj gjërat normalisht. Dua t’i vesh çorapet dhe këpucët pa ndjerë dhimbje, - ka shpjeguar tenisti i parë britanik që është bërë numri 1 në botë. – E kam shumë të dëmtuar pjesën e legenit. Kirurgu që më ka operuar vitin e kaluar, ma ka konfirmuar këtë gjë. Edhe ajo ndërhyrje kirurgjikale nuk më ka ndihmuar për të hequr dhimbjet. Të vazhdoj vetëm në lojën në çift? Jo, nuk dua ta rrezikoj shëndetin tim”, - ka pohuar Murray.

Murray i përlotur gjatë konferencës së shtypit

Të menjëhershme ishin reagimet kolegëve të Murray, të cilët i kanë shprehur mbështetjen e tyre me anë të rrjeteve sociale tenistit britanik. Grigor Dimitrov dhe Juan Manuel del Potro ishin të parët që reaguan. Madje i dyti i ka kërkuar kolegut të mos dorëzohet dhe të luftojë fort, sepse mund t’ia dalë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë