Muzike

Andrra: Bisedë me nënën, për vajzën-nuse

Suadela Balliu - Gjembaçë bojëmanushaqe kanë çelur në fushat e gjera, që prarojnë prej kallëzave të pjekura të grurit, nën diellin e muajit të të korrave. Një grua, e heshtur sa edhe ajo tablo impresioniste, si të qe pikturë e Van Gogh-ut, mpreh kosën si në një ritual, ku në kohën e duhur duhet mbledhur ajo që dikur u hodh farë…
“Pse m’tradhtove e m’shitove”, dëgjohet zëri , sikur del prej mendimeve të gruas me tipare të fisme, por të vuajtura, që fshin djersën me shaminë e bardhë dhe e pushon kosën në ijë. “Nuk tregove, ku m’fejove, moj nana jem…moj nana jem”, zëri i brendshëm i gruas bëhet kujë, balli rrudhet, vetullat ngrysen e sytë rrëmbushen tek kujton kohët e largëta të vajzërisë, kur “ca krushq” mbërritën beftë dhe ia rrëmbyen fëmijërinë…
Mes lirikave të vjetra të gërmuara në folklor dhe ritmeve elektronike e avangarde të muzikës pop, Andrra – artistja nga Kosova, me karrierë të stacionuar në Berlin –ka sjellë videoklipin e këngës “Moj Nano”.

https://www.youtube.com/watch?v=cmK5VDYmZwk&list=RDMMcmK5VDYmZwk&start_radio=1


“E kam kompozuar në bazë të një kënge nga Ulqini”, rrëfen Fatime Kosumi, e njohur me emrin e artit Andrra, ndërsa zbulon se tekstin e gjeti në një libër të publikuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, në vitet ‘80. “Më ka prekur shumë ky tekst, pasi ishte një lloj bisede me nënën. Në këtë këngë nuk ka ‘të mirë’ apo ‘të keqe’. Edhe nëna ishte bija njëherë, edhe bija do të bëhet potencialisht nënë një ditë.” Një cikël që ajo e vë në pah, por gjithashtu përmes kreshendove që i jep këngës, duket se këngëtarja ofron edhe mundësinë për ta ndërprerë ciklin. Sidomos kur tema prek fenomenin e martesave të vajzave në moshë të mitur, një traditë, edhe pse në zbehje në kulturën shqiptare, të të gjitha trevave, nuk është zhdukur ende. “Kurse në botë është akoma shumë aktuale”, thotë këngëtarja, duke iu referuar shtatëqind milionë vajzave-nuse, që shtrëngohen prej zakoneve e traditave të martohen në moshë të mitur.

Nga dokumentari "Kang' e Defa". 


Ritualeve të përgatitjes së vajzave për fejesë apo ditën e dasmës, njohur ndryshe edhe si kanagjegji, u ka kushtuar një film dokumentar, të titulluar “Kang’ e defa”. Në kërkim të këtyre rapsodive të grave, udhëtoi në qytete e fshatra të Kosovës, i mbodhi për të kuptuar kontekstin e dikurshëm dhe të tanishëm të këtyre zakoneve, që për një vajzë të lindur dhe rritur në kulturën perëndimore të Gjermanisë, bëheshin të zorshme për t’u kuptuar, me gjithë plotmërinë e tyre. Ishte kjo nevojë për kërkim të brendshëm që do ta sillte pas lufte në Kosovë, ku nisi të merrej fillimisht me muzikë. E rikthyer në Berlin, i kushtoi asaj pasurie jo vetëm folklorike, por edhe të kodeve të një populli, mbi të cilët ishte ndërtuar edhe roli i grave dhe vajzave në shoqëri, në këtë pjesë të Ballkanit, një album muzikor.

Fatime Kosumi, e njohur me emrin e artit, Andrra. 


Megjithëse këto zakone janë të tejshkuara dhe gratë e vajzat që ende i ruajnë veshjet tradicionale të festave apo dinë t’u këndojnë nuseve me defa janë si ujët e pakët, “patriarkalizmi në forma të ndryshme, sikurse është dhuna ndaj grave, sidomos në familje, është më alarmante tani se kurrë”, shton Andrra. Albumi i saj EP, titulluar “Palinë” me pesë këngë, shoqëruar edhe me video muzikore në tri prej tyre, trajton pikërisht këtë; patriarkalizmin e fshehur pas gëzimit të dasmorëve dhe kapërcimit të rëndësishëm drejt një etape tjetër të jetës për vajzën-nuse, shpesh në moshë të mitur, me ngutin e familjarëve si për t’ia dhënë ofruesit më të mirë ‘mallin’ përpara datës së skadencës.

https://www.youtube.com/watch?v=zieuLgbgUKs


Kështu u dha jetë këngëve si “Kalle Llamen, shoqëruar me një video ku shfaqen disa vajza, në moshën e adoleshencës, të veshura njëlloj. Ajo çka Andrra evidenton është unifikimi i grave; të sillen dhe të vishen në një formë të përcaktuar nga rrethi, pjesë e të cilit janë. Jo vetëm prej rrethit rural, nga i cili ka rrëfyer se vjen, por edhe në klasat e larta të shoqërisë. Teksti i kësaj kënge dhimbshëm jep natën e fundit të vajzërisë dhe përpjekjen e dëshpëruar për ta mbajtur dritën (llamen) sa më gjatë ndezur, për ta bërë të pafundme atë natë vendimtare. 

Nga videoklipi "Kalle Llamen"

Më pas erdhi “Palinë”, kënga që i dha titullin edhe albumit, emri i një vajzë katërmbëdhjetë vjeçare, të cilën prindërit deshën ta fejojnë pa dëshirën e saj. E gjeti në një këngë folklorike të Malit të Zi dhe përveç muzikës origjinale, kompozuar prej saj, erdhi edhe videoklipi, ku Kosumi është gjithashtu regjisore.


Palina, e idhnuar me prindërit që duan ta fejojnë –siç thotë edhe teksti – i arratiset shtëpisë për të vizituar edhe njëherë parkun e lojërave, ndërsa gra veshur e zbukuruar për festë këndojnë: ‘kaj oj qika oh n’qerap me vegza, sot t’la daja e t’la tezja/ kaj moj qike oh n’mafez me oja, sot t’lan shoqet e t'lan lojat”.

https://www.youtube.com/watch?v=fsPi07EC2w8

E fundit e albumit prej pesë këngësh, por edhe këtij hulumtimi të gjatë të Andrrës, është “Moj Nano”. Videon, ashtu si edhe dy të tjerat, i realizoi në po të njëjtin vend; në fshatin Bajçinë, të Podujevës, ndërsa secila ka elementë të jetës personale të artistes. “Ideja ishte ta përcjellim një grua (tani nënë, kurse dikur bijë) në një ditë tipike fshatare”, rrëfen këngëtarja, ndërsa zbulon se protagonistja e kësaj videoje është nëna e saj. “E cila, në diellin mâ të fortë dhe duke agjëruar –ishte Ramazan në atë kohë – pranoi, pa asnjë ankesë, të ishte pjesë në këtë videoklip.” Natyrshmëria e interpretimit të kësaj gruaje vinte nga fakti se një pjesë të mirë të jetës e kishte kaluar duke punuar në fusha, njëlloj siç shfaqet edhe në video.


Fabula, fotografia, kujdesi për detajet, zgjedhja e portreteve me fuqi shprehëse, i bëjnë videoklipet e Andrrës të rrinë fare mirë edhe si filma artistikë, me metrazh të shkurtër. “Pjesa vizuale është po aq e rëndësishme për mua si edhe muzika dhe përmbajtja e teksteve”, pranon këngëtarja, ndërsa zbulon “Unë jam regjisorja ose bashkëregjisorja e gjitha videoklipeve të mia”. Në dy videoklipet e tjera, “Kalle Lamen” dhe “Palinë” thotë se vajzat që aktrojnë janë të gjithë kushërirat e saj “kurse në këngën “Palinë" ishte edhe një ansambël nga Zymi, që quhet “Katarina Josipi”.


“Unë mendoj se gjithçka e ka kohën dhe ritmin e vet. Nuk është qëllimi im, të ndryshoj gjëra sot apo nesër. Për mua është më rëndësi që ta krijoj mundësinë për t’i rimenduar gjërat ekzistuese. 

Të sjellësh në kohë këngët folklorike është thuajse në çdo rast eksperiment jo fort i lehtë dhe megjithëse shumë mund të nisen me dëshirën më të mirë, jo të gjithë ia dalin. Por në këngët e Andrrës, teksti ngjan i freskët, i saposhkruar, i shkrirë njëtrajtshëm dhe në harmoni me ritmet moderne dhe vokalin. Këngët nuk janë vetëm për nostalgjikët, të cilët i kanë dëgjuar e kënduar në festa, në kohën kur këto ende ishin pjesë e zakoneve, por edhe tek të rinjtë, tek ata që nuk kanë dëgjuar kurrë sesi u këndohej vajzave, që ndaheshin prej dashurisë së nënës për të zbuluar atë të një burri, që nuk e kishin zgjedhur vetë.


“Për mua ishte shumë e rëndësishme që t’i sillja këto tekste në kontekste bashkëkohore. Nuk ishte ideja të shkrihemi në nostalgji, por të ballafaqohemi me të tashmen duke e marrë të kaluarën si bazë për ku jemi tash. Ajo bazë duhet të ndriçohet për ta ndryshuar të ardhmen”. Ballafaqimi i saj nuk është as agresiv as fajësues, “por një ballafaqim me dashamirësi për çka kanë qenë dhe janë problemet”, thotë Kosumi, ndërsa muzika bashkëkohore – një përzierje e avant-pop dhe elektronikes – “na bën të shohim si diçka që na takon neve tash e jo atyre dikur.” Këto këngë janë në fakt krijime muzikore të saj. “Edhe pse tekstet nuk janë, gjithsesi janë tregime që kanë të bëjnë me mua. Por edhe të mos kishin të bënin me mua, ka tregime që janë më interesante dhe që ia vlejnë të tregohen mâ shumë se ndonjë tregim personal, nga jeta ime.”

https://www.youtube.com/watch?v=D5ye1RoiItI


Thotë se edhe publiku i huaj ka reaguar i emocionuar. “Këtë e ndjen gjithkush. Këto tema nuk janë tema që i takojnë vetëm shqiptarëve, janë globale. Unë vetëm se e tregoj me fjalët tona”. Ato këngë që dikur kishin kuptim gëzimi, tani marrin tjetër domethënie; shfrytëzimi i vajzave, martesa gati me përdhunë, ku thuajse të gjitha tekstet theksojnë mosdëshirën e vajzës për t’u larguar nga gjiri i familjes dhe për të lënë etapën e fëmijërisë, para kohe.

“Unë nuk flas frëngjisht, por dëgjoj muzikë në këtë gjuhë pikërisht për arsye se dikush në Francë nuk ka pranuar të këndojë në ndonjë gjuhë tjetër. Këtë kënaqësi dhe mundësi me ndigju’ muzikë në një gjuhë të cilën nuk e kupton, dua t’ia jap edhe unë dikujt”, 

Por a ka depërtuar dot muzika e Andrrës në psiken e shoqërisë shqiptare? Veçanërisht tek ajo pjesë, ku trajtimi i vajzave dhe grave mbetet me doza të thella patriarkalizimi e maskilizmi. “Unë mendoj se gjithçka e ka kohën dhe ritmin e vet. Nuk është qëllimi im, të ndryshoj gjëra sot apo nesër. Për mua është më rëndësi që ta krijoj mundësinë për t’i rimenduar gjërat ekzistuese. Nëse tani, ky rishqyrtim sjell ndryshime, atëherë është merita e atyre që e kanë marrë kohën për t’i rishqyrtuar gjërat. Jo e imja apo e muzikës. Mirëpo muzika dhe arti në rastin mâ të mirë, e jep atë hapësinë, ku gjërat mund të rishqyrtohen”, është e mendimit Fatime Kosumi, e cila e quan veten feministe, por e atij lloji që bashkë me fuqizimin e vajzave do të donte të shihte edhe të djemve.

Nga klipi "Moj Nano"


Në këtë këngë nuk ka ‘të mirë’ apo ‘të keqe’. Edhe nëna ishte bija njëherë, edhe bija do të bëhet potencialisht nënë një ditë.”


“Moj Nano” ishte kënga e fundit e kësaj teme, ndërsa thotë se ka nisur punën kërkimore për temën e re. “Estetika e muzikës gjithmonë do të jetë çështje momenti dhe ajo çfarë më intereson në kohën kur i prodhoj këngët”, thotë Kosumi. Do të realizojë edhe për temën e re, të cilën dëshiron që për ca kohë të mos e zbulojë përse bën fjalë, një film dokumentar “do të shërbejë si hyrje në temë dhe pastaj album muzikor. Për këtë jemi ende në kërkim për përkrahje”, thotë ndërsa shton se ata që e pëlqejnë muzikën e saj mund ta përkrahin duke bërë një dhuratë për Krishtlindje a vit të ri një album “Palinë” , edhe nëse jo në formën e diskut, mund të ishte në formën elektronike. Zbulon se do të jetë në Holandë, në festivalin ESNS Eurosonic Noorderslag, që siç shpjegon më tej ajo, “është platforma më e madhe për muzikën e Evropës”. Do të performojë aty më 18 janar të vitit të ardhshëm, gjithnjë në gjuhën shqipe.

Megjithëse jeton dhe punon në Gjermani, Kosumi ka zgjedhur që këngët e saj t ‘i ketë vetëm në versionin shqip (ndoshta kanagjegjet dhe rapsoditë e grave shqiptare do ta humbnin magjinë në përkthim). “Unë nuk flas frëngjisht, por dëgjoj muzikë në këtë gjuhë pikërisht për arsye se dikush në Francë nuk ka pranuar të këndojë në ndonjë gjuhë tjetër. Këtë kënaqësi dhe mundësi me ndigju’ muzikë në një gjuhë të cilën nuk e kupton, dua t’ia jap edhe unë dikujt”, thotë ajo, ndërsa zbulon se së shpejti do të vijë sërish në Shqipëri, me një koncert. “E adhuroj Shqipërinë dhe publikun që kemi”, përfundon ajo.
Me të rënë muzgu, ku tehu i kosës e ka humbur mprehtësinë, gruaja e lodhur, në kokën e së cilës jehon ende e freskët, si të qe dje, koha kur i lutej së ëmës t’ua mbyllte derën krushqve (ndoshta edhe jeta e saj do të ishte shkruar ndryshe, pa u pikturuar atyre fushave të praruara me grurë), niset drejt shtëpisë. Ndoshta së bijës do t’ia kursejë një ditë ato mendime që i sillen tani në krye…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë