Njerez

Andrini, lahutari 9-vjeçar nga Zvicra

Suadela Balliu - Kur dëgjoi se lahuta ishte njohur si trashëgimi shpirtërore e Serbisë, Andrini ndjeu trishtim të thellë. Si lahutari më i vogël në trojet shqiptare, që kish kënduar me lahutë në shumë koncerte për bëmat e trimave shqiptarë, e kishte të vështirë ta rrokte sesi lahuta e tij, me shqipen dykrenore dhe përkrenaren e Gjergj Kastriotit, do të cilësohej nga vendimet e organizatave që drejtoheshin nga të rritur, si serbe. “Unë nuk këndoj për serbët. Unë këndoj vetëm shqip dhe lahuta ime e ka shqipen dykrenare dhe përkryen e Gjergjit. Lahuta asht’ e imja, jo e shkjaut!”, tregon tezja e djalit nëntëvjeçar, Ilire Daka. Andrin Traboin Krasniqi, ka lindur në Zyrih , por i ka të forta lidhjet me rrënjët e tij. Edhe pse prej dy brezash, të lindur dhe rritur në Zvicër, familja e tij i ruan traditat shqiptare dhe dashurinë për vendlindjen, Prizrenin. “Jemi rritur me historinë e Lahutës së Malcisë”, tregon Ilire Daka, ndërsa zbulon më tej se Andrini krahas lahutës, luan në çifteli dhe piano. Këngët patriotike me lahutë e çifteli, ndërsa muzikën ndërkombëtare në piano.

9 vjeçari Andrin Traboin Krasniqi, i cili luan në lahutë, çifteli dhe piano

Ishte dëshira e nënës së Andrinit që të mësonte të këndonte me lahutë, por për ta realizuar këtë iu deshën plot dy vite kërkim për një mësues të lahutës. Derisa gjetën Ajshe Muriqin, e vetmja grua lahutare në Kosovë, siç shpjegon Daka, e cila po ashtu banon në Zvicër. Kështu, Andrini nisi të mësojë të luajë dhe këndojë në lahutë, kur ishte shtatë vjeç dhe për dy vite ka marrë pjesë në koncerte e festivale, me lahutën e tij.

Mori pjesë edhe në Festivalin e Instrumentistëve të vegjël të Fushë-Arrëzit dhe u vlerësua me çmim të parë. Ka kënduar me çifteli dhe lahutë, në koncerte të ndryshme, për zviceranët, ku është pritur jashtëzakonisht mirë, thotë tezja e vogëlushit, duke shtuar se zviceranët nuk e njihnin lahutën si instrument shqiptar. “Kur e prezantojnë si kosovar në koncerte, Andrini i korrigjon, duke u thënë “Jam shqiptar, si Gjergj Kastrioti”, thotë Daka. Të njëjtën përgjigje kishte edhe për mësuesen në shkollë, e cila prezantoi me flamurin e Kosovës. Andrini do ta hiqte atë, duke vendosur flamurin kuqezi. “Ky asht identiteti im!”, do t’i thoshte ai mësueses zvicerane.

Andrini me lahutë


Tezja e tij, Ilire, thotë se Andrini ëndërron të ketë pasaportën shqiptare. “Edhe pse jemi me origjinë nga Kosova, na kemi dhe njohim vetëm nji identitet dhe ai asht’ identiteti shqiptar”, thotë Daka. Kur lindi, Andrinin e pagëzuan me dy emra. I pari, do të thoshte Anës Drinit, për të përkujtuar vendodhjen e qytetit të Prizrenit dhe Traboin, vendlindja e Dedë Gjo Lulit. “Trimit që lahuta i ka kënduar shumë kang’ dhe malësia e tij, që i ka mbet’ matanë kufinit”, thotë Ilire Daka, ndërsa shton “Andrini ka me e përcjellë identitetin shqiptar dhe prejardhjen e tij gjithë jetën”. Edhe këngët e tij të parapëlqyera me lahutë, janë ato për heroin kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe ajo për Dedë Gjo Lulin.

Andrini, gjatë vizitës në Varrin e heroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Lezhë.


Një nga festat që kremtohet çdo vit, në shtëpinë e tyre, tregon Daka, është 6 Prilli. “Dita kur u ngrit për herë të parë flamuri i Dedë Gjo Lulit, pas Gjergj Kastriotit”, thotë Daka. E ka fjalën për 6 prillin e vitit 1911, e njohur në histori si Kryengritja e Malësisë së Madhe, ku nën udhëheqjen e Dedë Gjo Lulit malësorët e Hotit, të Grudës e të Kelmendit luftuan kundër forcave osmane dhe e detyruan qeverinë xhonturke të hynte në bisedime me ta. Në atë ditë, Nikë Gjelosh Luli, me urdhër të Dedë Gjo Lulit do të ngrinte flamurin shqiptar kuqezi, në në Bratilë, në afërsi të majës së Deçiqit. Festa tjetër e rëndësishme për ta është edhe 28 Nëntori, Shpallja e Pavarësisë.

https://www.youtube.com/watch?v=bjfSzZZgb8A

Në shtëpinë e tyre flitet shqip. “Shqip flasin edhe nipërit e mbesat”, zbulon më tej Daka. Ajo thotë se Andrini e mësoi shqipen nga e ëma, e cila pasi e kërkoi në Prizren Lahutën e Malësisë dhe nuk e gjeti dot librin, nisi ta kopjojë me shkrim dore. “At’ Gjergj Fishta kishte me ken’ krenar me ty”, i shkruan Daka së motrës, Shqipes. Ndërkohë Andrini vijon mësimet në shkollën zvicerane dhe është në klasë të tretë.

Andrini duke kërcyer valle shqiptare.

Është i dhënë edhe pas valleve tradicionale dhe ndjek aktivitetet, në shoqatën “Rinia” , në Zvicër. Daka thotë se pasionin për këngën, Andrini e ka trashëguar nga gjyshja e tij, Zenete Krasniqi.

“Ajo këndon dhe e dashuron këngën, por kushtet e vështira në atë kohë nuk i dhanë mundësinë ta vazhdonte këtë pasion”, përfundon Daka, “Ne e duam lahutën shumë, por të tjerët shumë pak ia dinë vlerën një fëmije, i lindur dhe i rritur në mërgim, që i ruan traditat tona”. Lahutari më i vogël i trojeve shqiptare do të vazhdojë të këndojë me lahutën e tij, ku ka të gdhendur shqiponjën me dykrenore dhe përkrenaren e Gjergj Kastriotit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë