Futboll

Tirona, një propozim për të dal nga kriza

Fatjon Rupi - Tirana po kalon një krizë të thellë, më shumë jashtë fushe se brenda kuadratit të gjelbër. Kriza kulmoi me pushtimin e fushës nga tifozët bardheblu, një pjesë e madhe e të cilëve janë ngritur kundër presidentit Refik Halili, por edhe lojtarëve. Çfarë po ndodh me këtë klub? Sa e rrezikuar është Tirana prej rënies në Kategorinë e Parë dhe si mund të kalohet kjo situatë e paprecedentë në një nga klubet emblematikë të futbollit shqiptar?

Ish-trajneri i njohur i Tiranës, Sulejman Starova, bën një analizë të situatës për Gazeta Si. Në këndvështrimin e tij, Tirana po përjeton një situatë të njëjtë me atë të sezonit që ra nga kategoria: “Ka një kontradiktë e tifozëve me klubin, po përsëritet situata që e çoi Tiranën në Kategorinë e Parë. Ata nuk duan presidentin, ky është problemi. Presidenti është një person juridik, që ka një përqindje të aksioneve në klub. Jemi në kapitalizëm dhe këtu nuk ka shumë për të komentuar. Nuk është se ka ndodhur për një javë apo dy javë, u bë viti, ose më shumë. Presidenti ka bërë përpjekjet e veta, por ka edhe gabime teknike. Tifozët u thonë lojtarëve: “nuk e meritoni fanellën”, por nuk duhet t’i krijojë situatë të keqe tek ata. Llogari kërkohet pas ndeshjes”.

Tifozët e Tiranës kontestojnë presidentin Refik Halili gjatë ndeshjes me Kukësin

Për Starovën ka vetëm një rrugë për kapërcimin e kësaj situate kritike: “E vetmja gjë që mund të bëhet, është të bisedohet. Nëse tifozët kërkojnë largimin e presidentin, nuk janë ata që vendosin. Edhe presidenti duhet të shikojë qëndrimin e tij, por vetëm me bisedime, me sherre nuk bëhet asgjë. Kur skuadra luan shëmtuar,  justifikohet publiku që reagon, por Tirana po luan mirë. Tifozët e Tiranës nuk duan të tërhiqen? Duhet një ndërhyrje më e gjerë, përpjekje më të mëdha për të dalë nga situata. Pjesa tjetër, bashkia për pjesën e saj, tifozët neutralë, sepse nuk janë vetëm fanatiksat, dashamirësit e ekipit, duhet të reagojnë. Duhet të bëhet një tavolinë e rrumbullakët. Në mënyrë paqësore zgjidhet gjërat, jo me dhunë”.

Ish-trajneri bardheblu paralajmëron rrezikun e madh dhe kërkon të mos përsëriten gabimet e së kaluarës: “Gara bëhet e fortë nga fundi dhe pikët nuk mbajnë më. Përfitojnë skuadrat e tjera nëpërmjet gjyqtarëve, kjo është situatë e vjetër. Kur janë tifozët në stadium, situata është ndryshe. Tifozi duhet të bëjë detyrën, ta mbështesë skuadrën nga fillimi deri në fund. Po shohim kudo në botë, ku skuadra të mëdha ndodhen në kategorinë e dytë dhe tifozët i mbështesin. Ka ndonjë moment delikat, por jo në vazhdimësi. Tirana luajti mirë me Kukësin, nuk e meritonin lojtarët e saj atë sjellje.

Duhet analizuar edhe ana teknike. Unë shoh ndryshimin nga ana teknike, ku vetëm një lëvizje, Hoxhallari në qendër të mbrojtjes, ka rregulluar defektet në prapavijë. Me një skuadër që synon të dalë kampione, Tirana ishte superiore. Situata është e njëjtë, por nga ana teknike skuadra ndryshon. FSHF, pasi e pa që Tirana u dëmtua e u dëmtua, ndërhyri disi, sepse luhet me punën e gjithë vitit dhe skuadra më e pambrojtur, rreshket. FSHF-ja nuk donte rënien e Tiranës, por në atë kohë nuk të linin “peshkaqenët” e tjerë. Por ishte faji i Tiranës që situata shkoi deri aty, ku duhet të luftosh me kundërshtarin dhe të tjerët. Tirana skuadrën e ka. Për momentin janë Skënderbeu dhe Partizani, ka një ngritje të Flamurtarit, por diferencat janë të pakta. Edhe Kastrioti, që është i rënë, i përballon ndeshjet dhe luan futboll”.

Sulejman Starova, kur drejtonte Tiranën

Starova gjykon se me trajnerin Mema Tirana do të gjejë forcat e ngjitjes në tabelë, pasi ka gjendje të mirë: “Tirana ka shumë lojtarë të mirë. Ze Maria kishte një vit në dispozicion dhe më mirë se ai nuk e njihte skuadrën askush. E kishte këtë avantazh, pasi e shihte Superioren, nivelin e saj. Nuk ishte problem dalja e Tiranës në Superiore. Nëse ka gabuar Ze Maria me lojtarët dhe më pas u detyrua të merrte lojtarë të tjerë, përgjegjësia bie mbi trajnerin. Tirana linte për të dëshiruar në mbrojtje dhe, siç e thashë, me një lëvizje me Hoxhallarin, u rregullua. Sulmi? Edhe Partizani me një gol po i fiton ndeshjet. Po luajte mirë, do bësh gol. Në fund të fundit, me Kukësin po luante dhe niveli është i tillë, nuk është e lehtë të bësh gol”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë