Muzike

Ana Golja, një yll kanadez për festivalin e RTSh

Shqipen nisi ta mësojë fillimisht kur familjes së saj në Ontario, iu bashkua edhe gjyshja. Pak më vonë edhe stërgjyshja e kështu, rrëfen se e mësoi gjuhën, ndërsa për herë të parë në vendin e origjinës shkeli në dhjetor, pas një ftese për të prezantuar festivalin e 57-të të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Në Kanada, Ana Golja është e njohur si aktore dhe këngëtare, me një karrierë që e nisi në moshën nëntëvjeçare, me role në serialë televizive. Organizatorët e festivalit të këngës e përzgjodhën për të udhëhequr tri netët e festivalit, që çelet më 20 nëntor, ndërsa Golja do të jetë në krah të aktorit Viktor Zhusti, i cili i kthehet këtij roli pas 47 vitesh nga prezantimi i edicionit të dhjetë, sëbashku me Edi Luarasin.

Ana Golja dhe Viktor Zhusti, prezantues të Festivalit të 57 të Këngës në RTSh


Festivali i këngës për artisten 23 vjeçare është po aq familjar sa edhe gjuha shqipe. “Ndiqet edhe në Kanada”, do të shprehej ajo gjatë konferencës për shtyp, ku organizatorët zbuluan disa nga detajet e surprizave që ofron ky edicion. “E njihja nga gjyshërit’, do të shtonte ajo.
Ishte ngulmimi i drejtoreshës artistike të festivalit, sopranos Inva Mula, që Golja të prezantonte festivalin e njëherazi të njihej nga publiku shqiptar si një prej yjeve me origjinë shqiptare që kanë karrierë të suksesshme jashtë vendit. Në këtë filozofi, Mula, ka ftuar gjithashtu dy artistë të tjerë shqiptarë, me karriera të suksesshme në botë, si këngëtari Ermal Meta, fitues i festivalit të këngës “Sanremo”, në Itali dhe 13 vjeçarja, Erza Muqolli, e cila u bë e famshme në spektaklin e talenteve “France Got Talent”.

https://www.youtube.com/watch?v=Pezc_u80Eb4
Ana Golja në rolin e Zoë Rivas, në serialin "Degrassi:Next Class"


Nuk e ka fshehur habinë e ftesës që mori nga zonja Mula. “U jam shumë mirënjohëse”, është shprehur ajo, ndërsa e ka parë këtë ngjarje edhe si një mundësi e mirë për të parë vendlindjen e prindërve. Ana, emri i vërtetë i së cilës është Muazana, në Kanada është e njohur për rolin e Zoë Rivas, në serialin dramatik “Degrassi: Next Class” dhe rolin e Ariana Berlin, në filmin “Full Out”, me të cilin mori edhe një kandidim në çmimet “Canadian Screen Awards”.  Paralelisht me aktrimin, Golja ka zhvilluar edhe një karrierë në fushën emuzikës. “ Kam qenë e rrethuar nga muzika në jetën time, pastaj nisa aktrimin dhe kur hyra në industrinë e spektaklit, kisha nevojë për një dalje dhe kjo ishte muzika. Kështu ndodhi tranzicionin”, do të përgjigjej Golja në një intervistë për mediet kanadeze. Ajo ka realizuar kolonën zanore të filmit “Full Out”, titulluar “Feel So Good”. Në dhjetor të vitit të kaluar ajo publikoi edhe albumin e saj të parë në LP, titulluar “Epilogue”. Ka thënë se artin e ka të trashëguar, nga mamaja, e cila talentin nuk mundi ta shpaloste gjatë jetesës në regjimin komunist, por duke lënë vendin e saj dhe duke u vendosur në Kanada, krijoi kushtet e favorshme për të bijën. Ambiciet në muzikë i ka si të një ylli popi, për të kënduar live në stadiume të mbushur me fansa.

https://www.youtube.com/watch?v=lMHXma8c4Lw


Me një shqipe të pastër, që ia pasuron me ngjyra diksioni i anglishtes, Ana Golja për tri net do të prezantojë së bashku me Viktor Zhustin të njëzetedy artistët konkurrentë në këtë festival, të ftuarit dhe performancat e veçanta që do të rezervojë ky vit i pesëdhjetë e shtatë i jetës së një prej festave më të mëdha dhe jetëgjata të këngës shqiptare.
Megjithëse nuk ka kënduar asnjëherë në shqip – veç himnit, zbulon –Golja thotë se ka dëgjuar plot muzikë shqiptare, duke lënë të kuptohet se ajo mund ta përshëndetë publikun, në sallë dhe atë përballë ekranit të televizorit, me një këngë shqip.

Nga e majta, Martin Leka, drejtor i Festivalit, Ana Golja dhe Viktor Zhusti

Drejtori i Festivalit, Martin Leka, e cilëson Goljën një shembull për t’u ndjekur. “Ka plot shqiptarë, që edhe pse kanë lindur këtu edhe pse kanë mbaruar një shkollë këtu, ikin jashtë dhe jo vetëm nuk dinë shqip, por edhe atë që e dinë e harrojnë. Dhe mësimi më i madh që sjell Ana përveç artit, është që di një shqipe të shkëlqyer, e sigurisht kjo gjë është edhe meritë e prindërve të saj; ndaj Ana është një shembull për t’u ndjekur nga të gjithë ata që janë jashtë”. Me dëshirën për t’u kthyer në Shqipëri, edhe në raste të tjera, kur të kthehet në Kanada do të jetë ajo që do t’u çojë familjarëve atë aromë Shqipërie, që dikur ia çoi gjyshja, prej së cilës mësoi edhe shqipen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë