Menaxhim

AMF ka rritur penalitetet për kompanitë financiare gjatë vitit 2021

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në Shqipëri ka marrë 5 masa administrative ndja shoqërive të sigurimit deri në muajin e 8 të 2021-shit. Vitin e shkuar ishin marrë vetëm 2 të tilla.

Vitin e kaluar, inspektimet kanë qenë në numër të reduktuar përshkak të pandemisë dhe bllokimit të aktivitetit të  bizneseve.    

Në rastin e kompanive të sigurimit, AMF nuk e publikon përmbajtjen e vendimeve të këtij lloji, ndaj llojet e shkeljeve të konstatuara, masat e ndërmarra apo emrat e subjekteve të sanksionuara janë informacione të rezervuara. Në përgjithësi, kjo është një praktikë që ndiqet nga shumica e autoriteteve rregullatore dhe mbikëqyrëse të tregjeve bankare dhe financiare, sipas parimit që publikimi i këtyre masave mund të shkaktojë një dëm në reputacionin dhe biznesin e institucioneve që janë subjekt i vendimeve të këtij lloji.

Kompanitë financiare të mbikëqyryra nga AMF nuk kanë ndjekur të njëjtën logjikë. Në muajt maj dhe korrik, Bordi i AMF ndërmori masa detyruese dhe urdhra për eliminim shkeljesh ndaj të katër shoqërive administruese të fondeve të pensionit dhe vendimet në fjalë u publikuan.  Lidhur me këtë çështje, AMF i referohet ligjit për funksionimin e saj, i cili i njeh të drejtën Bordit të institucionit të vendosë për rastet kur përmbajtja e vendimeve nuk duhet publikuar.

Sipas ligjit “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”, AMF mund të vendosë ndaj shoqërive të sigurimit gjoba që fillojnë nga një milionë lekë deri në tre milionë lekë. Subjekte të gjobave mund të jenë edhe administratorët e shoqërive të sigurimit, për shuma nga 100 mijë deri në 400 mijë lekë, si edhe anëtarët e këshillit mbikëqyrës, në intervalin mes 300 mijë lekë dhe 500 mijë lekë. Ligji përcakton se, kur vendos sanksion me gjobë, AMF siguron që ajo të jetë e efektshme dhe parandaluese, si edhe në përpjesëtim me gjendjen që e shkaktoi vendosjen e masës. Gjithashtu, ligji kërkon që AMF, gjatë vendosjes së sanksioneve, të zbatojë parimin e vazhdimësisë, sipas të cilit për shkelje të ngjashme vendosen sanksione të ngjashme.

Në Shqipëri ushtrojnë aktivitet tetë shoqëri të licencuara për ofrimin e sigurimeve në klasat e jo-jetës dhe katër shoqëri të tjera për produkte të sigurimit të jetës


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë