Menaxhim

AMF harton rregulloren se si do të funksionojë bursa me aksione të shoqërive

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka hartuar një rregullore të re mbi mundësimin e shitjes së titujve dhe aksioneve nga shoqëritë tek publiku, një Bursë.  

Projektrregullorja “Për formën dhe përmbajtjen e prospektit që publikohet kur titujt i ofrohen publikut dhe pranohen për tregtim në një treg të rregulluar”, mbështetur në ligjin për tregjet e kapitalit është hartuar me ndihmën e Bankës Botërore.

Rregullorja përcakton kushtet që shoqëritë duhet të plotësojnë, ku fillimisht duhet të publikojnë një material informues në benefite të konsumatorëve. Përmes këtij dokumenti, shoqëria i fton qytetarët të investojnë në titujt që po emeton apo të blejnë aksione të saj në një treg të rregulluar (bursë).

Në dokument duhet treguar është vlerësimi i faktorëve të rrezikut nga emetuesi, mbështetur në probabilitetin e shfaqjes së tyre dhe shkallën e pritshme të ndikimit të tyre tek emetuesi. Duke i qartësuar atyre rrezikun e mundshëm kur investohet në një titull.

Përpara procesit të miratimit, Autoriteti verifikon që prospekti, (materiali informues) përmban të gjithë informacionin e kërkuar, sipas kërkesave ligjore dhe rregullative. Në anën tjetër, Autoriteti nuk verifikon saktësinë apo vërtetësinë e informacioneve të paraqitura në prospekt. Çdo investitor ka përgjegjësi ekskluzive për vendimin e tij për të investuar në tituj, mbështetur në informacionin e ofruar në prospekt dhe nëse është i pasigurt për investimin mund të konsultohet me një profesionist të fushës.

Bazuar në rregulloren që pritet të miratohet nga Autoriteti, prospekti duhet të jetë i qartë, i plotë, i lehtë për t’u lexuar dhe kuptuar nga investitorët. Prospekti është i vlefshëm për 12 muaj nga miratimi i ofertës drejtuar publikut. Pas këtij afati, ky dokument është objekt miratimi sërish nga Autoriteti. Në këtë mënyrë, publiku do të jetë gjithmonë i informuar dhe për çdo përditësim të informacionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë