Mendim

Ambasadorja Kim në zyrën e guvernatorit?!-BSh na detyrohet me shpjegime

Mbërritja në zyrën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, e ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim nuk është një lajm që duhet anashkaluar. Por takimi edhe pse u zbardh gjatë nga zyra e shtypit përmes një gjuhe tradicionale të trashëguar nga ky institucion, dhe të drunjtë për publikun, më shumë e rëndoi tisin e informacionit sesa e shpërndau atë.
Vizita e një ambasadori dhe veçanërisht atij amerikan në zyrën e një Guvernatori është e rradhë edhe në Shqipëri. Konteksti i luftës në Ukrainë, rritja shqetësuese e çmimeve dhe paratë e pista mund të jenë arsye kuptueshme, por jo të mjaftueshme.
Por çfarë ka në dorë Guvernatori dhe Banka Qendrore, dhe cilat janë garancitë që mund të jepen aq sa duhen konfirmuar përballë amerikanëve?
Përmes deklartës së zyrës së shtypit mësohet se Guverntori Gent Sejko i ka deklaruar ambasadores se :
Shqipëria po përballet me sfidën ndërkombëtare të rritjes së çmimeve. Se sanksionet ndaj Rusisë dhe pasiguritë e tregjeve e kanë detyruar BSh-në të rishikojë politikat. Se politikbërësit janë në dilema dhe duhe të kujdesen për shtresat në nevojë dhe të mos rrisin borxhin publik.
Se Banka e Shqipërisë është e gatshme të përdorë të gjitha instrumentat e nevojshëm ligjorë dhe rregullator për të përballuar situatën.
Siç mund ta vini re nga këto deklarime lehtësisht burojnë edhe ca deduksione: se jemi të rrezikuar jemi , nga rritja e çmimeve dhe borxhi publik. Por nuk e dimë ende se cilat politikat duhen rishikuar nga BSh dhe çfarë efekti do të japin?!
A ka reaguar qeverisja ndaj shqetësimeve të BSh-së dhe nëse ajo e ka të pamundur të reagojë, çfarë mund të bëjë BSh?
Publiku e ka të paqartë se cilat janë instrumentat që do të duhet të përdorë Banka në rast nevoje dhe kur është ky moment ?
Cilat janë dilemat? Dhe cili është sygjerimi i BSh-së, e cila deri tani është I trajtës “mishi të piqet, por edhe helli të mos digjet” sepse është të flasësh gati në ajër kur sygjeron rritje të ndihmës financiare për familjet, të kërkosh të mos rritësh borxhin dhe të kesh edhe rritje ekonomike.
Kjo në situatë lufte dhe krizash pak gjasa ka të ndodhë, ndaj qëndrimet e Bankës edhe ato të mëhershme nuk e mbushin publikun me informacionin e nevojshëm dhe ca më pak ta qetësojnë atë.

Nga ana tjetër siç thotë zyra e shtypit ambasadorja Kim “vuri theksin në rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm të situatës nga institucionet në vend, si dhe koordinimin e politikave nga autoritetet shqiptare duke marrë masat e nevojshme në kohën e duhur.”
Çfarë do të thotë kjo ? A mos vallë amerikanët perceptojnë një rrezik të cilën pala shqiptare ende nuk e ka të qartë dhe ka dobësi në monitorimin e saj si kundër edhe mund të ketë mungesë koordinimi?!
Mesa duket amerikanët kanë nevojë të konfirmojnë se aleati i tyre i vogël në NATO dhe i madh në Ballkan nuk do i bëhet hall dhe se ai e vetë(Shqipëria), duhet të jetë në gjendje të përballojë situatën ekonomike ku ndodhet dhe të ndërhyjë për të mos krijuar pasiguri për sa kohë luftohet në një front më të madh në Lindje të Europës
Se çfarë duhet të bëjë Banka e Shqipërisë, askush nuk e di qartë dhe shkoqur . Megjithëse në këtë situatë ky është një detyrim për institucionin që ruan rezervat e shtetit dhe duhet të mbajë nën kontroll çmimet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë