Futboll

“Ambasadori” Altin Rraklli: Më shumë mirënjohje në Gjermani, se në Shqipëri!

Fatjon Rupi – Verë, 1991. Për futbollistët më të talentuar shqiptarë fillojnë të vijnë ofertat e para nga jashtë vendit, kryesisht nga Greqia fqinje. Kurse për një nga talentet më të mëdha të futbollit kavajas dhe atij shqiptar fati rezervon diçka tjetër. E çon te Frajburgu në Gjermani, duke e bërë “ambasadorin” e parë shqiptar në futbollin gjerman, ku më pas ai do të bëhet një personazh shumë i rëndësishëm, me 13 vite karrierë dhe më shumë se 80 gola të shënuar.

Altin Rraklli, ish-sulmuesi i Kombëtares, është i pari që ka eksploruar Gjermaninë. Ai bëri emër me Frajburgun, për të luajtur më pas me Hertën e Berlinit, Unterhashing dhe në fund me Regensburg. “Kisha 2-3 vjet që luaja me ekipin e parë të Besës, – e nis Rraklli rrëfimin e tij për “Gazeta Si”. – Isha titullar dhe golashënuesi kryesor. Kishim ekip të mirë dhe një trajner të mirë. Në vitin 1991 luajta ndeshjen e parë me Kombëtaren, me profesor Bejkush Birçen, një trajner dhe njeri shumë i respektuar, të cilin e falënderoj që më dha mundësinë të luaja. Mungonte Sokol Kushta, që kishte kaluar në Greqi dhe ende nuk ishte stabilizuar. Luajta në sulm me Eduard Abazin, një lojtar shumë i mirë që kishte shkuar te Hajduku i Splitit. Pata fatin që shënova golin e fitores me Greqinë dhe kjo ndikoi në karrierën time.

Rraklli në aksion, në vitet e para të karrierës në Gjermani

Në qershor më erdhi oferta për në Gjermani. Një patrioti im kavajas, që kishte shkuar në Gjermani me ambasadat, kishte lidhje shoqërore me presidentin Frajburgut dhe i kishte propozuar emrin tim. Dikush nga ky klub mendoj se e ka parë ndeshjen me Greqinë në Tiranë, por unë nuk dija gjë. Më ftuan për 2-3 javë te Frajburgu, për të parë si do të përshtatesha me grupin atje. U përshtata shumë mirë dhe pas 4-5 ditësh firmosa kontratën me këtë klub”.

Frajburgu, ambienti perfekt për kavajasin
Nis një jetë krejt tjetër për sulmuesin 21-vjeçar nga Kavaja. Kontratë 2-vjeçare me Frajburgun, me pagesën 15 mijë marka në muaj. Sezoni i parë është i shkëlqyer, Rraklli është protagonist absolut me 16 gola të shënuar. Frajburgu, që në atë kohë luante në Bundesligën 2, ishte ambienti perfekt për lojtarin e shpejtë nga Shqipëria. Trajneri e bazonte lojën pikërisht tek ai. “Fati im i mirë ishte se kisha dalë disa herë jashtë me ekipet e moshave të Shqipërisë. E kisha një ide si ishte jashtë Shqipërisë. Ne në Kavajë shihnim nga italianët çdo gjë për sportin dhe ishim pak të informuar, por kur e prek vetë me dorë, mahnitesh. Nuk pata vështirësi, përveç anës fizike, sepse stërviteshim shumë fort, 3 herë në ditë. Jo se isha i papërgatitur, por ne ishim mësuar me tjetër sistem stërvitje, isha i ri, 21 vjeç, dhe vija pas dy javësh pushime. Pas 4-5 ditësh u ambientova plotësisht.

Rraklli në një dyluftim me Hargrivs të Bajer Mynih


Klubi i Frajburgut në atë kohë nuk ishte i pasur, ishte klub që e quante sukses të qëndronte në ligën 2. Kampionati ishte me 24 skuadra dhe binin 6. Shumë… Ishte shumë e vështirë. Si merresha vesh? Portieri i skuadrës ishte i martuar me një italiane dhe e dinte italishten shumë mirë. Flisja italisht me të. Më përkthente ai çdo gjë, ndërsa për gjermanishten m’u desh kohë, sepse nuk dija asnjë fjalë. Edhe me ushqimin nuk pata probleme. Kuzhina e sportistit nuk ka lidhje me traditën gjermane të ushqimit. Futbollistët ushqehen ndryshe, me pasta, me oriz, më shumë si ushqim italian. Klubi kishte një restorant, që ishte edhe sponsor, dhe shkoja aty për të ngrënë. Isha beqar”, – tregon më tej Rraklli.

Rrëfimi vazhdon me ndryshimin e madh që bëri futbolli gjerman në ato vite, sidomos në infrastrukturë. “Atë vit që shkova në Gjermani, ne ishim në ligën 2, ku përveç 2-3 stadiumeve të mëdhenj, pjesa tjetër ishin të vegjël. Me kalimin e viteve të gjithë stadiumet u shndërruan në arena. Atje vetëm ndërtoheshin stadiume, nga 1990-a deri në 2006-ën, që kulmoi me kampionatin botëror. Janë ndërtuar stadiume fantastike, çdo qytet ka bërë një stadium arenë, pa pistë. Për tifozllëk nuk diskutohet, pasi që në atë kohë ishin full me tifozë stadiumet”.

Rraklli dhe Gtnesh në një ndeshje legjendash në Gjermani

Mirënjohja dhe profesionalizmi gjerman
Altin Rrakli bëri emër në Gjermani pas 5 vitesh me Frajburgun, 2 me Hertën e Berlinit, 5 me Unterhashing dhe 1 vit në fund me Regensburg. Gjithçka që jepte në fushë i kthehej në respekt dhe mirënjohje kudo që ishte në Gjermani. Pasi la karrierën si futbollist, ai jetoi 10 vite në Shqipëri, për t’u kthyer sërish në Gjermani, ku gjeti po atë respekt dhe vlerësim nga opinioni sportiv dhe jo vetëm. “Të them të drejtën, – shprehet Rraklli, – është një nga gjërat që më gëzon më shumë respekti dhe mirënjohja që gjeta në Gjermani. Jetova 10 vjet në Shqipëri, pasi mbylla karrierën si futbollist. U harrova, në thonjëza, por nuk ishte e vërtetë. Respekti që gjeta kur u ktheva bashkë me familjen, më dha shumë moral. U kontaktova nga “Bild”, nuk e di si ma gjetën numrin, për një intervistë, që ata e titulluan “Ku na ka humbur Altin Rraklli”. Unë dhe gjithë shqiptarët e tjerë që kemi luajtur në Gjermani, Igli Tare, Altin Lala, Ervin Skela etj., jemi munduar t’i bëjmë Shqipërisë sa më shumë reklamë. Gjithë kohën u kemi folur gjermanëve për vendin tonë të bukur.

Gjermanët nuk janë mosmirënjohës dhe u ndjeva shumë mirë. Ata janë më profesionistë se profesionistët. Mediet atje nuk flasin kurrë kot, nuk të provokojnë, nuk kanë inate personale dhe nuk bëjnë presion për ndonjë përfitim. Vetëm një herë u krijua një precedent, nëse mund të quaj kështu, me një grup gazetarësh. Luanim me Këlnin, në -20 gradë. Arbitër ishte Hajneman, më i miri në Gjermani në atë kohë. Diku nga minuta e 75-të, në një dyluftim tek për tek me mbrojtësin e fundit, në shpejtësi e sipër në atë fushë të ngrirë, ai më prek shumë pak dhe u rrëzova. Karton i kuq për të, por mua më interesonte goli, sepse ishim 0-0. Pas ndeshjes një gazetar më tha: “Çfarë mendove që simulove në atë moment për ta nxjerrë me të kuq mbrojtësin?” Unë iu përgjigja: “Më vjen keq që për herë të parë në Gjermani shoh një gazetar, që nuk kupton nga futbolli…” Dhe ika.

Altin Rraklli në aksion

Ata nuk i hoqën asnjë presje deklaratës sime. Rasti u përsërit 10 herë në emisionet sportive që ishin në atë kohë. Mezi dallohej në fakt që mbrojtësi më kishte prekur, pasi edhe kamerat nuk ishin të shumta si tani. U intervistua edhe arbitri, i cili tha: “Isha prapa lojtarëve dhe e di që Rraklli është i shpejtë, një prekje e lehtë mjafton të prishet ekuilibri, pashë që iu kryqëzuan këmbët dhe dhashë faullin. Ka një logjikë: lojtari del kundër portierit dhe do të bëjë golin”. U pa që nuk ishte simulim. Mirënjohjen në Gjermani e kam gjetur kudo, në çdo ambient, më kanë respektuar më shumë se në Shqipëri”.

“Topi i 5-të tek Altini”
Sulmues shpejtësie, që godet në topat pas shpine. Një sprintier i lindur dhe trajneri i Frajburgut e shfrytëzoi mjaft mirë këtë fakt: “Në Gjermani, në 12 vite kam shënuar mbi 80 gola në më shumë se 280 ndeshje në kampionat. Nuk është se janë shumë dhe unë nuk jam nga ata që i ndaj golat. Më kanë pëlqyer gjithmonë golat që i kanë dhënë pikë ekipit, golat me peshë. Sepse ka pasur edhe lojtarë që thoshin “le të hamë 10, por të bëj unë një” (qesh). Te Frajburgu luajta 5 vjet, te Herta 2, tek Unterhashing 5 dhe te Regensburgu 1 vit.

Vitin e parë pata sezonin më rezultativ. Isha i freskët, iu përshtata lojës së trajnerit. Trajneri donte të luanim si Barcelona sot, nuk e donte kurrë topin e gjatë, por aksione me logjikë. “Breisgau brazilianen” e quanin Frajburgun. Folke Finke ishte trajneri dhe ai synonte që ekipi të ishte sa më mirë teknikisht. Kishim 2-3 lojtarë që luanin mirë topin dhe unë prisja pasimet pas shpine. “Topin e pestë e dua pas shpine tek Altini”, thoshte trajneri. Mora shumë penallti, që nuk i gjuaja unë, dhe isha rezultativ. Nuk më kërkohej të kthehesha prapa. Më kërkohej vetëm sulmi dhe kthehesha pak. Në Bundesligë ana taktike ndryshoi, pasi luanim me skuadra të mëdha dhe duhej të mbroheshim më shumë. Në lojën time ndikoi kjo gjë dhe nga 16 gola në sezonin e parë, kalova në 6 gola sezonin e dytë. Kishte të bënte taktika, pasi lodhesha shumë. Kisha shpejtësinë dhe shkathtësinë, por nuk ishte fiziku pika ime e fortë dhe ajo lojë ndikoi në rendimentin tim.

Te Herta pata shumë dëmtime. Në Berlin ishte shumë ftohtë, ndërsa Frajburgu është qyteti më i ngrohtë i Gjermanisë. Ika nga Berlini pas dy sezonesh, sepse e kisha shumë të vështirë, është qytet shumë i madh. Edhe abuzova pak me daljet, sepse të tërheq qyteti, siç ndodh me Tiranën në Shqipëri. Unterhashing është një qytet i qetë, afër Mynihut, si Kombinati me Tiranën. Skuadër e qetë, familjare dhe u përshtata shumë mirë. Pretendonte të rrinte në Ligën 2. Kur shkova, më pyetën për objektivin dhe unë thashë se do të ngjiteshim në Bundesligë. Pas dy vitesh u futëm dhe dikush me tha: “Duhet të jesh profet, se nuk ka mundësi”. E mbylla në Gjermani me një sezon te Regensburgu”.

Altin Rraklli sot

Tani agjent lojtarësh dhe me licencë trajneri
Në pritje për të nisur një aventurë si trajner në Gjermani, pasi ky është qëllimi kryesor, Altin Rraklli aktualisht është agjent lojtarësh, përveçse menaxhon një biznes privat: “Jetoj në Aue, ku kemi një restorant bashkë me motrën, që e menaxhojmë me Skerdin (Skerdilajd Curri, ish-futbollist i Partizanit, kunati i Rrakllit). Kemi bërë një investim aty, por qytetet e mia janë Frajburgu dhe Mynihu. Kam një profesion dhe nuk doja ta lija. U mundova të bëhem agjent, por në Shqipëri është shumë e vështirë. Mendova se në Gjermani do të ishte ndryshe. Një nga gjërat më të mira që ka bërë FSHF-ja është sistemi i licencimit të trajnerëve. Mund të trajnosh ekipe edhe jashtë Shqipërisë me licencën që merr dhe unë kam “Uefa Pro”. Nuk është e lehtë, por duhet të tregosh diçka dhe kjo vjen gradualisht, ose duhet të kesh lidhje shumë të forta me njerëz që kanë shumë besim te ty. Nuk kam shumë kohë atje dhe jam gjithmonë në kërkim për trajner, por për momentin jam agjent lojtarësh. Djali i ish-agjentit tim më ofroi bashkëpunim dhe unë ndjek lojtarët me kombësi shqiptare, të cilët jetojnë në Gjermani, Zvicër dhe Maqedoni. E kam fjalën për talente të moshës 13, 14 dhe 15 vjeç. Kemi lidhje me Gjermaninë dhe Anglinë”, – thotë Rraklli, i cili ka drejtuar pak vite më parë Kombëtaren e Shqipërisë për femra në futboll.

Ndeshja Gjermani-Shqipëri, 2-1, e vitit 1994. Rraklli shënon një eurogol

Kombëtarja dhe talentet që mungojnë
Altin Rraklli numëron 63 ndeshje me Kombëtaren e Shqipërisë dhe 11 gola. Ai ka qenë një nga sulmuesit më të rëndësishëm kuqezi dhe e kujton me shumë nostalgji brezin të cilit i përket: “Kemi pasur lojtarë vërtet shumë të mirë, që nuk i shoh sot. Kemi pasur trajnerë, që për kushtet e Shqipërisë dhe mentalitetin tonë, ishin shumë të mirë. Kemi bërë ndeshje fantastike, por pësonim shumë gola dhe ky ishte problemi ynë. Nuk kishim një mënyrë organizimi, që të ishim më kompaktë, që të mbroheshim më shumë. Shënonim, por pësonim kollaj. Tani nuk shoh talente. Nuk po shoh një organizator si Skela apo Bledar Kola, një shkatërrues si Altin Lala, një sulmues të fortë me kokë si Igli Tare. Lëre pastaj lojtarët e krahut. Agolli më ka pëlqyer shumë, kam pasur supersimpati për të dhe më vjen keq që e lanë jashtë Kombëtares. Nëse ai ka rendiment, duhet marrë. Ka një parim bazë në futboll: për sa kohë që lojtari nuk ndryshon nga ana fizike, numrat nuk merren parasysh. Nëse e ke një lojtar të ri po si ky, atëherë po.

Rraklli me fanellën e Kombëtares shqiptare


Dhe në atë kohë kemi dalë të gjithë nga akademitë shqiptare. Ma gjeni tani një që del nga akademitë tona… Të mos kishim lojtarët nga Kosova, nuk besoj se do të shkonim në Europian, ku na ndihmuan edhe fati dhe formula. Në kohën tonë një futej direkt dhe një bënte play-off. Nuk kishe shanse, sepse i binte të hyje para Gjermanisë ose Belgjikës. Futbolli nuk ka më disnivele si më parë. Danimarka atëherë të “thyente brinjët”, luanim ndaj me Laudrup me shokë. Tani ia merr rezultatin shumë lehtë, kanë ndryshuar shumë gjëra. Është për të ardhur keq që nuk ka më talente. Nuk e gjej dot psenë. Terrenet ishin të shumta në kohën tonë, por nuk kishte ndonjë cilësi. Tani ka shumë akademi, ka fusha me bar artificial, por ç’rëndësi ka. Redi Jupi ka hapur një super akademi dhe dua ta komplimentoj. Shpresojmë që të nxjerrin talente këto akademi të paktën, që të kemi një Kombëtare më të mirë. Për momentin, Eros Grezda më duket lojtari më interesant, sepse ka shpejtësi”.

Ai brez i shkëlqyer dhe “uji i ndaluar”
Nuk është thjesht nostalgji. Altin Rraklli ka bindjen se ai brez lojtarësh i kombëtares, ku ai bënte pjesë, në kohët e sotme do të luante me skuadrat më të mëdha dhe do të jepte 50% më shumë: “Unë e thashë që në fillim, që ne kemi pasur trajnerë shumë të mirë në atë kohë. Ata bënin gjithçka, bënin maksimumin që ne të ishim në nivelin më të lartë. Ata futbollistë që luanin në Kombëtare në atë kohë dhe më përpara, nëse do të ishin sot, ku shumë gjëra kanë ndryshuar, do të luanin me siguri në klubet më të mira në Europë. Jam i bindur. Meritokracia ishte absolute.

Dua të tregoj vetëm një shembull. Në atë kohë trajnerët punonim me metodikën ruse të stërvitjes dhe ne nuk na linin të pinim ujë gjatë stërvitjes, sepse konsiderohej e gabuar. Kur shkova te Frajburgu, gjatë seancës stërvitore, në atë të fushës kishte koli me ujë dhe një fuçi me “getorade”. Çdo 15 minuta duhej të pinim ujë, sipas metodikës së stërvitjes në Gjermani. Prandaj them se ata futbollistë në kohët e sotme do të jepnin 50% më shumë”, – e mbyll rrëfimin e tij ai që ka elektrizuar me mijëra e mijëra tifozë në stadiumet e Gjermanisë dhe Shqipërisë, Altin Rraklli.

 

Më Shumë