Mendim

Aleanca Trump-Orban

Kur Donald Trump u shpall presidenti i Shteteve të Bashkuara, udhëheqësi më i egër europian i kundë emigracionit pa një mundësi të artë për të fituar legjitimitetin ndërkombëtar për politikat e tij.

Por për më shumë se dy vjet, kryeministri hungarez Viktor Orban, i vetmi udhëheqës i BE-së që mbështeste fushatën e Trump gjatë zgjedhjeve të vitit 2016, nuk arriti të marrë një ftesë për të vizituar Shtëpinë e Bardhë, pavarësisht se Trump priti shumë udhëheqës të tjerë europianë.

Qeveria hungareze loboi muaj të tërë tek ligjvënësit në Departamentin e Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë, por ishin ndryshimet në Departamentin e Shtetit ato që filluan t’i hapnin dyert qeverisë hungareze.

Gjatë pritjes së tij në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump e falënderoi kryeministrin Orbán për “punën e tij të jashtëzakonshme” duke injoruar erozionin e demokracisë në Hungari dhe lidhjet e ngushta të Orbanit me Kremlinin.

Të ulur pranë Orbanit në Zyrën Ovale, Trump tha se ishte një “nder i madh” të priste Orbanin, për të cilin tha se ishte “shumë i respektuar në të gjithë Europën”, veçanërisht për politikat e tij kundër emigracionit.

Donald Trump dhe Vktor Orban

“Ju jeni i respektuar në të gjithë Evropën. Ndoshta, si unë, pak i diskutueshëm, por nuk ka problem,” tha Trump. “Ju keni bërë një punë të mirë dhe keni mbrojtur vendin tuaj”.

Nga ana e tij Orbán tha se qeveria e tij dhe administrata e Trump ishin të të njëjtit mendim për disa çështje globale.

“Do të doja të theksoja që jemi krenarë të qëndrojmë së bashku me Shtetet e Bashkuara në luftën kundër emigracionit të paligjshëm, terrorizmit dhe për të mbrojtur dhe ndihmuar komunitetet e krishtera në mbarë botën”, u shpreh ai.

Pa mbaruar ende fjalën, Trump e ndërpreu duke thënë se qeveria e tij kishe qenë i jashtëzakonshëm në mbrojtjen e komuniteteve të krishtera, duke iu referuar murit që qeveria ka ngritur përgjatë kufirit të Hungarisë me Serbinë dhe Kroacinë.

Shtëpia e Bardhë tha se vizita e Orbán kishte për qëllim thellimin e angazhimit të SHBA-së në Europën Qendrore dhe negocimin e tregtisë e armëve dhe energjisë.

“Të dy udhëheqësit riafirmuan angazhimin e tyre ndaj aleancës së NATO-s dhe demokracisë, e cila mbron lirinë dhe sjell prosperitetin që gëzojnë Shtetet e Bashkuara dhe Hungaria”, thuhej në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.

Por kritikët e Administratës Trump e portretizuan pritjen e Orbán në Zyrën Ovale, si një nga gabimet më të mëdha të Trump, i cili vazhdon të bëjë biznes me vende si Hungaria, pavarësisht nga të dhënat e saj mbi liritë civile.

Donald Trump dhe Vktor Orban

“Orbán përfaqëson kaq shumë gjëra që janë në kundërshtim me vlerat thelbësore amerikane”, tha senatori demokrat Eliot Engel. “Ai ka dobësuar demokracinë në vendin e tij, duke përdorur retorikat antisemite dhe ksenofobe në mesazhet e tij politike, duke u afruar me Vladimir Putinin. Na shqetëson të shohim presidentin e vendit tonë, i cili ka mbështetur historikisht mbrojtjen dhe promovimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në të gjithë botën, të takojë një njeri i cili i shpërfill kaq shpesh këto vlera”, tha demokrati Engel.

Heather Conley, drejtor i programit të Europës në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, tha se qeveria e Orbanit ka penguar në mënyrë të përsëritur interesat e SHBA në rajon duke ndërtuar një marrëdhënie të ngushtë me Vladimir Putinin; duke lejuar Bankën Ndërkombëtare të Investimeve Ruse (e konsideruar gjerësisht si një instrument i inteligjencës ruse) të krijojë selinë në Budapest; duke refuzuar të ekstradojë dy trafikantë ruse armësh, si edhe duke bllokuar bisedimet e pranimit të Ukrainës me NATO.

“Megjithatë, ne e shpërblejmë me një takim në Zyrën Ovale”, thotë Conley.

Për të tjerë ekspertë vizita e Orban në Uashington nuk ishte surprizë, pasi Administrata e Trump ka mbrojtur kryesisht nacionalizmin e Orbanit dhe politikat e tij kundër emigrantëve.

Orbani kishte ndërprerë kontaktet e nivelit të lartë me SHBA-të për shumë vite. Vizita e tij e fundit në Shtëpinë e Bardhë ishte në vitin 1998 për të takuar Bill Clinton, ndërsa vizita e Mike Pompeo në Budapest në shkurt ishte vizita e parë e një Sekretari Shteti në Hungari që nga viti 2011.

Por edhe pse me politikat e tij kundër emigracionit dhe skepticizmin për institucionet ndërkombëtare ka fituar ‘zemrën’ e Trump, udhëheqësi hungarez është përballur me kritika të forta nga BE-ja, Departamenti i Shtetit dhe grupet e shoqërisë civile, të cilat argumentojnë se udhëheqja e Orbanit ka gërryer vlerat demokratike. Orbán është denoncuar për kufizimin e lirisë së shtypit, duke minuar pavarësinë e gjyqësorit, duke sulmuar grupet e pavarura joqeveritare dhe duke inkurajuar komplotet raciste dhe antisemite. Dhe shqetësimet rreth ndikimit kinez dhe rus në Hungari ishin po ashtu ndër argumentet kryesore të kritikëve.

Një javë përpara se Orban të mbërrinte në Shtëpinë e Bardhë, administrata Trump u nda në tri kampe, zyrtarët që dëshironin të qëndronin në politikën ekzistuese të Amerikës për të kundërshtuar shpërbërjen e demokracisë në Hungari, këshilltarët që nuk interesoheshin shumë për Hungarinë dhe disa këshilltarë që admironin Orbanin. Në fund duket se fituan këta të fundit.

 

Më Shumë