Futboll

“Aleanca” e SHBA për të fituar Botërorin 2026

Tre dekada pasi organizoi e vetme një botëror, Shtetet e Bashkuara janë rikthyer me një propozim që thotë se do t’i sigurojë FIFA-s një përfitim prej 11 miliardë dollarësh.

Federata Amerikane e Futbollit është bashkuar me atë kanadeze dhe homologen meksikane për të qenë organizatore të Botërorit 2026.

“Do të jetë Kupa e Botës me e suksesshme e organizuar ndonjëherë”, premton Presidenti i Federatës së SHBA të futbollit, Calros Cordeira.

Kandidaturën e ka mbështetur edhe Donald Trump.

“Do të jetë një turp për aleatët tanë nëse do të lobojnë kundër kandidaturës sonë për të zhvilluar Kupën e Botës në 2026”, deklaroi ai.

Nga ana e tij, Cordeiro shpreson që anëtarët e FIFA-s do të lënë mënjanë politikën kur vjen puna për të vendosur për organizimin e Kupës së Botës.

“Çështja e organizimit të botërorit, hera-herës është shndërruar në një vendim gjeopolitik. Ajo që ne po kërkojmë këtë herë është që të gjykohemi dhe të vendoset jo në bazë të politikave të momentin, por në bazë të meritave të kandidaturës”, deklaroi Cordeiro.

Deri më tani, rival publik i SHBA për të zhvilluar botërorin ka dalë vetëm Maroku, që ka dorëzuar në FIFA një raport prej 193 faqesh ku jep pretendimet e veta se përse duhet të jetë ai organizatori i Kupës së Botës 2026.

SHBA ka organizuar më parë vetëm një herë një kompeticion të tillë, atë të 1994 të fituar nga Brazili, që mposhti në finale me 11-metërsha Italinë, ndërsa Meksika e ka organizuar dy herë, përkatësisht në vitin 1970 dhe 1986.

Pas Rusisë, që luhet këtë verë, Botërori i 2022 do të organizohet në Katar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë